Një gazetare e emisionit investigative “Fiks Fare”, ka plotësuar pa asnjë vështirësi formularin si delegate për në Kuvendin e 11 dhjetorit, organizuar nga Sali Berisha. Formulari është plotësuar më 12 nëntor në Sarandë, pak para se të fillonte takimi i Sali Berishës. Madje organizatori i mbledhjes së firmave e ka inkurajuar “nënshkruesen”, duke e surprizuar me stilolapsin e Doktorit.
Në fakt, stilolapsi i Berishës është e vetmja gjë orgjinale në këtë aksion politik, por jo legjitim. Qysh prej 1991, ai është përdorur vetëm për spastrime në PD.
Siç mund të shikohet në emision, gjithçka është e filmuar dhe rrëzon gjithë besueshmërinë e një procesi të rremë për mbledhjen e një Kuvendi nga Sali Berisha.
Pa diskutim që mes atyre që kanë nënshkruar mund të ketë dhe delegatë të Kuvendit, por fakti që nuk ka asnjë filtër dhe nënshkruan me lehtësi, tregon se Sali Berisha nuk është i interesuar për një proces legjitim të mbledhjes së Kuvendit, por për një “revolucion permanent” për pushtimin e PD, të cilin ai kërkon ta zgjasë sa më shumë në kohë, për t’i treguar muskujt SHBA-së.
Ky rast, që nuk është i vetmi, tregon pse procesi i marrjes së mandateve duhet të kalojë një proces certifikimi, siç e parashikon statuti, nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, i cili pasi të verifikojë përputhjen e postit të delegatit me kartën e identitetit, duhet të lëshojë mandatin, që të përfaqësojë demokratët në Kuvend.
Fakti që firmëtarët e Berishës nuk kanë asnjë filtër dhe nuk bëjnë as kujdes të kenë ndonjë filtër, tregon se ata nuk janë duke u përpjekur për një Kuvend legjitim, por për një Kuvend paralel, që t’i imponohet PD-së nga jashtë, si një Kuvend i dhunshëm.
Këtu merr fund çdo demagogji për verifikim firmash në mënyrë vullnetare, për t’i dhënë legjitimitet një tufe fletësh të printuara që nuk kanë asnjë siguri juridike.
E vetmja gjë për të cilën duhet të biem dakord, është që më 11 dhjetor, Sali Berisha do mbledhë mbështetësit e vet dhe do t’i quajë pjesëtarë të Kuvendit të PD, dhe më 18 dhjetor Lulzim Basha do mbledhë pjesëtarët e Kuvendit të PD dhe do t’i quajë mbështetës të tij.
Por ndërsa Basha do të ndjekë një proces ligjor të marrjes së mandatit për Kuvend, Berisha siç duket dhe nga ky skandal, merr çdo letër të firmosur nga kushdo, qoftë dhe nga socialist që mund të shkojnë të tallen aty me Berishën.
Tani është e qartë përse Berisha i mban letrat në zyrën e Palokës, përse nuk i bën publike dhe mbi të gjitha, përse nuk lejon askënd as t’i prekë me dorë. Është i qartë që nuk janë as formularë, as mandate delegatësh, dhe as anëtarë të PD. Janë 4200 letra të printuara, me të cilat ai po bën shantazh mbi PD-në, me të cilën është i zemëruar që nuk po e mbron në ditët e tij të zeza.
Problemi është se ditët e tij të zeza, do të zgjasin sa të jetë gjallë, ndërsa PD që të mbetet gjallë, nuk duhet ta lidhë fatin me ditët e tij të zeza.
Koha kur stilolapsi i tij firmoste për të ardhmen e PD ka mbaruar. Tani është lodër në duart e atyre që tallen me PD.