MENU
klinika

Nga Mero Baze

Të gjithë armiqtë që po lavdëron Sali Berisha

25.11.2021 - 22:01

Sali Berisha po përpiqet të zbardhë gjithë armiqtë e tij personal apo politik, për të nxirë vetëm Lulzim Bashën. Në përpjekje për të krijuar idenë se nuk është i izoluar, ai po përdor çdo armik të tij, çdo kundërshtar, çdo kritik, dhe mbi të gjitha, çdo akuzë që ka kundërshtuar më pare, për të krijuar një ‘front” kundër Lulzim Bashës.

Sot i ka thyer gjtihë rekordet. E para, duke përdorur një kërkesë të “Zërit të Amerikës” për intervistë me të, mobilizoi gjithë enturazhin e tij mediatik, të përhapte idenë se tani SHBA nuk e ka më armik, por aleat, pasi po jep intervistë në “Zërin e Amerikës”.

SHBA edhe Bin Ladenin e ka pas armik, por shtypi amerikan paguante miliona nëse i merrte një intervistë. Të jesh anti-amerikan dhe i ndëshkuar nga SHBA, nuk do të thotë që je armik dhe i shtypit amerikan. Shtypi nuk ka armiq, ka personazhe, dhe Berisha është ende një i tillë.

Vetëm një komunist në mentalitet si Sali Berisha mendon se edhe në SHBA shtypi funksion si televizioni i djalit të tij, me miq dhe armiq.

Kjo më kujton pak një moment kur si gazetar i Zërit të Amerikës, shkova të intervistoja Fatos Nanon në burgun e Bënçës ku e kishte mbyllur Berisha, dhe ai u ndje sikur “hyri SHBA në qelinë e tij”. Në fakt më shumë po më bënte nder ai mua që po më jepte intervistë, se sa “po i bënte SHBA nder atij”, që as e kishte idenë fare pse kisha shkuar aty.

Mu kujtua se sot mes armiqve të tij, “amnistoi” dhe Fatos Nanon, vetëm që të krijojë idenë se aleanca e tij kundër SHBA është “përtej së majtës dhe së djathtës”. E lavdëroi, edhe pse disa muaj më parë Fatos Nano ka dhënë një intervistë poshtëruese për të, pasi i ka kujtuar se e ka linçuar personalisht duke u marrë me çdo hallkë të burgosjes dhe survejimit të tij, duke dëshmuar se nuk është as qytetar, as intelektual dhe natyrisht, kurrë shtetar normal.

Por kjo për Sali Berishën sot nuk ka rëndësi. Atij i duhet që të gjithë politikanët e këtij vendi të jenë të mire, përveç njërit, atij që e ka prerë në besë.

Më pas lavdëroi ambasadorin Donald Lu. Çfarë nuk ka thënë për të, çfarë akuzash nuk i ka bërë, që nga të qenit agjent i Sorosit e deri tek ushtar i Edi Ramës. Sot i duhej të ishte burri i mire, pasi e paskësh informuar për dosjen e pagesës së një lobisti të Luzlim Bashës në SHBA, që rezultonte të kishte përfituar nga disa llogari ofshore me pronarë rus.

Njësoj amnistoi dhe Tualant Ballën nga akuza absurde për ca para të sjella me një “Toyota Yaris” tre vite më parë. Tani ja hoqi Taulantit ato paratë dhe ja dha Lulzim Bashës me të njëjtën qetësi.

Me të njëjtën qetësi nëpër tribuan po përpiqet të amnistojë dhe çdo kundërshtar të tij brenda PD, dhe gjithë të larguarit prej saj.

Shikoni si vazhdon përmend vitin 2017, për të bërë të ndjehen “të persektuar nga Basha” Astrit Patozi, Majlinda Bregu apo Ridvan Bodja. Edhe pse asnjë prej tyre nuk e mbështet në “Foltore”, ai bën sikur nuke  ka mendjen dhe i llogarit si aleatë të tij, siç po llogarit SHBA, Donald Lu, Taulant Ballën, Fatos Nanon etj. Gjithë ata që i prishin punë po folën kundër tij.

I mbetur vetëm dhe në përpjekje për t’i dhënë zemër vetes, ai është gati të lavdërojë orë e minutë çdo armik të tij, mjafton që të thuhet se ai është realist me armiqtë e vet, duke i zbardhur ata, vetëm që të shkëlqejë nxirja e Lulzim Bashës.