Në emisionin “Pikat mbi I”, u diskutua mbi tensionet në Ballkan, të iniciuara kryesisht nga Serbia nën influencën ruse. Për të folur mbi këtë çështje, të ftuar në studio ishin ish-Ambasadori Agim Nesho dhe analisti Artur Zheji.
Sipas Zhejit, Serbia po kërkon që të rikthejë idenë e krijimit të Serbisë së Madhe, e këtë përpiqet shkaktuar destabilitet në Ballkan.
Nga ana tjetër, ish-ambasadori Nesho është i mendimit se roli i Rusisë në Ballkan po rritet, duke shtuar se Putin, Lukashenko dhe Vuçiç po tentojnë të dominojnë Evropën.
Zheji: Tymnaja që ngremë ne në fshatin tonë, nuk shohin ça ndodh në botë. Jemi aq të përfshirë në debatin, Basha-Berisha-Rama, sa nuk shohim çfarë po ndodh gjeopolitikisht. Ne shohim te figura e Vuçiç, që po rikujton për arsye elektorale, një platformë të ringjalljes së Serbisë së Madhe. Këtu u pa shumë e fortë dhe efikase kjo me Bosnje-Hercegovinën. Nga ana tjetër, në politikën e vet të jashtme, Vuçiç e Putin kanë një urë komunikimi të jashtëzakonshme. Avionët më të mirë rusë, i shiten Serbisë dhe ata bashkë bëjnë stërvitje ushtarake të përbashkëta. Përveç kësaj Serbia ka arrogancën që nuk e njeh Kosovën. Do të marrë Malin e Zi, duke shfrytëzuar serbët atje. Në këtë këndvështrim, këtu situata është e tendosur sepse Rusia është kthyer si një potencë e madhe ndikuese, e Serbia që është praroja e saj në Ballkan të bëhet shtet dominant dhe të ketë një dalje të qetë në Adriatik, e jo vetëm për turizëm. Në këtë këndvështrim Shqipëria bën lëvizje politike naive. Nuk kemi asnjë lloj kambane alarmi për këtë zhvillim.
Nesho: Roli i Rusisë për rritjen e influencave të saj në Ballkan po rritet. Pati një fitore në Lindjen e Mesme dhe po kërkon të futet sërish, duke qenë se është një fuqi botërore që merret parasysh. Rusia shikon që përputhen interesat e nacionalizmit të ri serb që po destabilizon Ballkanin, e ndërkohë shtetet e tjera ku shikojnë një rikthim të nacionalizmit serb, kërkojnë forcat e tyre të riekuilibrojnë këtë situatë në Ballkan e kjo ngre tensionet etnike e na çojnë përpara konflikteve. Një nga vendet ku konflikti është i hapur është Bosnja-Hercegovina dhe Kosova. Ndërkohë Shqipëria ka një politikë të jashtme, që ka dashur të luajë rolin e protagonizmit, e kjo është gjë e mirë. Por mënyra se si është afruar është naive dhe në të gjitha rastet ka dështuar. Ai ka dështuar në raportin që ka krijuar në këtë situatë Ballkanike e sidomos me Vuçiçin ai e quan atë aleat, por në fakt Vuçiç është ideatori i kësaj që po ndodh në Ballkan. Ka vetëm një moment që nacionalizmi rus është shumë dominant edhe në Serbi, për arsye se vetë opinioni publik e ka parë Rusinë si instrument mbrojtës. Besimi te Rusia qëndron shumë më tepër se partitë serbe. Në rastet që Rusia është e pa kënaqur nga politikat e Serbisë, mund t’i çmontojë ato.
Zheji: Kjo nuk është një alarm për publikun e gjerë, sepse po shkohet drejt një rruge pa krye. Në një moment kur Vuçiç qëndron në një marrëveshje të fshehtë me Moskën, duke bërë djalin e mirë me perëndimin. Serbët kanë shumë talent në politikën e jashtme. Nga ana tjetër amerikanët kanë një lloj frustracioni të brendshëm për bombardimin e Beogradit. Por kjo ishte e vetmja gjë për të shuar krizën. Nga kush është i kërcënuar Serbia? Ajo ka aplikuar të bëhet një vend i BE, duke u bërë kështu edhe vend i NATO-s. Po kush të kërcënon ty që ti armatosesh me armët e fundit. Ato armë janë presion ndaj Rajonit. Bosnja-Hercegovina ka tre etni të fuqishme, ka atë kroate, serbe dhe ka etninë autoktone që janë sllavë myslimanë. Kjo është e pa pranueshme, sepse ky është pastrimi etnik. Ka këtu hapësirë për ‘Open Balkan’?! Gjatë këtij procesi kanë ndodhur disa incidente dhe nuk ka asnjë hapje të Vuçiç të Kosovës, përkundrazi ka mbyllje të Ramës ndaj Prishtinës. Ndërkohë që kemi bankete, darka, dreka, takime të qeshura mes Vuçiç dhe Ramës. Nuk e di se çfarë duan të tregojnë. E gjithë kjo strategji për të zbutur atmosferën i lëshon një hije denigruese. Kjo është totalisht anti-gjeopolitike, e dyshimtë dhe është një avantazh i padrejtë që merr Vuçiç dhe Moska.
Nesho: Shtypi perëndimor po tregon mundësinë e një konflikti në Ballkan dhe kjo është realisht. Britania si një ish-Perandori e rëndësishme për Ballkanin ka njohuri të shumta dhe shprehet lirshëm. Autori vinte një grup provokatorësh që niste me Putin, Vuçiç e Lukashenkon që janë njerëzit që duan të influencojnë drejt Evropës. Ne jemi jashtë kësaj gjëje, për arsye se përse Vuçiç donte të anashkalonte Kosovën duke thënë që është dikush i ri që do të bashkëpunojë me shqiptarët, e prandaj Vuçiç e Rama na reklamuan boshtin e ri, Francë Gjermani që pritet të jetë boshti i ri në Evropë. Ata donin t’i thonin perëndimin që ne jemi dy aktorët kryesore e nëse doni të vini në Ballkan ose do të merreni me Vuçiç ose me Ramën. Kështu u mendua nga Rama, por Vuçiç e bëri këtë nismë për të bashkuar serbët.