MENU
klinika

Abuzimet me tokat në Dhërmi

Tjetër bashkëpunëtor i Klodian Trocit në pranga

10.11.2021 - 12:32

Pas arrestimit të ish-kreut të Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci dhe dy zyrtarëve të tjerë të Prefekturës në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e fshatit Dhërmi, një tjetër zyrtar ka përfunduar në pranga.

Një nga topografët e Bashkisë së Himarës u arrestua nga Policia lokale pasi Gjykata e Vlorës kishte lëshuar ndaj tij një urdhër-arresti me burg katër ditë më parë. Elton Marko u arrestua nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e një prone në fshatin Dhërmi.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të datës 06.11.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal ‘Arrest në burg’ për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’, për shtetasin E. M., 41 vjeç, banues në Himarë, me detyrë topograf pranë Bashkisë Himarë, pasi dyshohet se ka falsifikuar formularin e aktit të marrjes së tokës në pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur te persona të tjerë”, sqaroi Policia.

AKUZAT Topografi i Bashkisë Himarë dyshohet se është në të njëjtin grup me ish-kreun e Kadastrës, Klodian Troci dhe ish-drejtorin e administrimit të pronave në Qarkun e Vlorës, Bardhyl Gjika, të cilët aktualisht ndodhen në burg.

Mësohet se 41-vjeçari Marko ka falsifikuar dokumentin e aktit të marrjes së tokës në pronësi duke e regjistruar në emrin e vet dhe më pas e ka shitur te persona të tjerë. Dyshohet që vlera e shitjes është rreth 5 mijë euro, ndërsa bëhet fjalë për rreth 3 mijë metra katrorë tokë në fshatin Dhërmi.

SKEMA E MANIPULIMIT

Një shifër para ose një zero pas nga ana e zyrtarëve dhe prona tjetërsohej në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit, teksa katër persona kanë përfituar nëpërmjet kësaj skeme manipulimi. Në dosjen e Prokurorisë së Vlorës thuhet se ish-drejtori i Kadastrës në qytetin bregdetar, Klodian Troci, i arrestuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim, si dhe vartësit e tij shtonin në dokumente mijëra metra ka trorë tokë.

Por ajo që ka dalë në pah nga skandali është se pas grabitjes së zyrës së Këshillit të Qarkut në Vlorë më 11 tetor 2021 duket se qëndronte përpjekja për të fshehur gjurmët e një skeme kriminale të orkestruar nga ishkreu i Kadastrës, Troci dhe disa zyrtarë shtetërorë për tjetërsimin e tokave në bregdet me një vlerë prej miliona eurosh.

Konkretisht Troci dhe zyrtarë të tjerë të Kadastrës akuzohen se kanë tjetërsuar pronësinë e 63 mijë metrave tokë në fshatin Dhërmi. Ajo që bie në sy fillimisht në dosje është fakti se me një të rënë të lapsit shtetasit Spiro Duni i janë shtuar në mënyrë të paligjshme 1510 m2 tokë. Por kjo ishte vetëm maja e ajsbergut të falsifikimeve në zyrat e qarkut.

Përveç rastit të Spiro Dunit ekzistojnë dyshime edhe për 3 persona të tjerë, që dyshohet se kanë përfituar nëpërmjet falsifikimit 59 mijë m2 tokë. Në njërin rast, dokumenti i marrjes në përdorim të tokës me sipërfaqe 670 m2 është tjetërsuar, duke i vënë një dysh përpara dhe duke e zmadhuar sipërfaqen në 2.670 m2 .

Në rastin e dytë, një sipërfaqe prej 9.910 m2 e regjistruar në vitin 1994 është njehsuar në vitin 2020 me një sipërfaqe totale prej 52.510 m², duke i shtuar pronës plot 42.600 m2 përmes korrigjimeve. Për shkak të konflikteve, akuzave për korrupsion dhe tjetërsimeve të paligjshme të pronës, gjatë dy viteve të fundit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Vlorë ndërroi 10 drejtues, një prej të cilëve ishte dhe Klodian Trocin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tjetërsimi i pronave në Dhërmi

Arrestohet topografi i Bashkisë Himarë


Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë