MENU
klinika

Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit

U jepet lamtumira dy nxënësve që humbën jetën

28.11.2021 - 12:34

Të premten mbrëma e gjithë Kosova, por jo vetëm u trondit nga vrasja e trefishtë që ndodhi në Gllogjan të Deçanit, ku nga të shtënat me armë në drejtim të një autobusi mbeti i vrarë shoferi dhe dy nxënës.

Familjarët e dy nxënësve të vrarë kanë njoftuar se varrimi i tyre do të bëhet sot në orën 14:00. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka dalë me raport ku ka treguar se shoferi i autobusit kishte vdekur në vendin e ngjarjes, derisa dy nxënësit kanë vdekur në spital.

“Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58. Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhej në raport.

Policia është duke vazhduar kërkimet për arrestimin e të dyshuarit i cili ende gjendet në arrati.

Për identifikimin dhe gjetjen e autorit, apo autorëve të krimit të trefishtë, janë angazhuar një numër i madh forcave të rendit, Njësiti Special i Policisë së Kosovës dhe po bëhen hetime edhe në koordinim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Deri tash, përveç konfirmimit që hetimet po zhvillohen në tri pista të ndryshme, asgjë më shumë nuk është bërë e ditur në lidhje me rrethanat, apo motivet e vrasjes së trefishtë.