MENU
klinika

Nga “Il Giornale”

“Vijat e kuqe” të Evropës

24.11.2021 - 09:28

“Disa nga partnerët e huaj, nuk i kanë lënë mënjanë përpjekjet e tyre për të prishur barazinë strategjike, nëpërmjet vendosjes së elementeve të mbrojtjes raketore në afërsi të kufijve tanë”- deklaroi i zemëruar presidenti i Rusisë Vladimir Putin në takimin e 1 nëntorit me Ministrin e Mbrojtjes Sergej Shoigu, dhe përfaqësues të industrisë kombëtare të luftës.

“Ne do të reagojmë në përputhje me rrethanat!”-theksoi ai më vonë. Deklarata shumë të forta, që të kujtojnë një fjalim të ngjashëm të mbajtur më 21 prill 2021 para parlamentit: “Shpresoj që askush të mos i hipë në kokë ideja e kalimit të ‘vijës së kuqe’ të Rusisë, duke i marrë për dobësi qëllimet tona të mira. Ata do të përballeshin me një kundërpërgjigje asimetrike, të shpejtë dhe të fortë”.

‘Vijat e kuqe’ ndryshojnë nga ato të miqësisë, në një detaj të rëndësishëm:ato janë të njëanshme. Ato përbëjnë fillimin dhe fundin e përshkallëzimit, pra të intensifikimit progresiv të një përpjekjeje ushtarake, ekonomike apo kulturore.

Kreu i plotfuqishëm i shtetit rus zbuloi me atë qëndrim se zotëron njohuri të thella mbi ‘artin’ që rregullon marrëdhëniet ndërkombëtare. Për një strateg, ‘vija e kuqe’ e përsosur, është vija më e shkurtër dhe më e drejtë midis dy zonave të patjetërsueshme.

Kjo për dy arsye të thjeshta:ajo është më e mbrojtshme, dhe kërkon më pak shpërndarje të burimeve. Në këtë rast, efektiviteti përkon me efikasitetin. Në këtë moment historik, përballja kryesore midis dy fuqive të mëdha bërthamore (SHBA-së dhe Rusisë), është e regjistruar në kuadratin e Evropës Qendrore dhe Lindore, ose në hapësirën e madhe tokësore midis Balltikut dhe Detit të Zi.

Pjesa më e madhe tyre po ndodh në Ukrainë dhe zonat afërt saj. Linja më e shkurtër midis dy deteve gjysmë të mbyllura është istmusi i Evropës, që përputhet përafërsisht me aksin midis territoreve më perëndimore “ruse”:rajoni baltik i Kaliningradit, dhe republika separatiste e Transnistrias (Moldavi).

Sipas Putinit, asnjë fuqi perëndimore nuk duhet që ta kapërcejë fizikisht (ose të kërcënojë ta bëjë) këtë kufi virtual të ‘Russkij Mir’ (botës ruse). Ish-agjenti sovjetik i KGB-së, aludon në një mënyrë jo shumë enigmatike, mbi propozimin e përsëritur të Kievit për të përgatitur infrastruktura të reja ushtarake tokësore për llogari të NATO-s në Ukrainën Qendrore dhe atë Lindore, dhe mbi të gjitha infrastrukturë detare në bregun verior.

Diçka që Rusia nuk mund ta tolerojë në aspektin e sigurisë ushtarake. “Mund të mos ndodhë një anëtarësim zyrtar i Ukrainës në NATO, por zhvillimi ushtarak i territorit është tashmë një fakt. Kjo gjë përbën realisht një kërcënim për Rusinë. Dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë”- deklaroi Putin në forumin vjetor të Klubit Valdai.

Më herët, politikani nga Shën Petërburgu, kishte shprehur shqetësimet e tij, sidomos në fushën e raketave. Koha e udhëtimit të një rakete të lëshuar nga Karkovi apo Dnipropetrovsk deri në Moskë, do të shkurtohej në fakt në vetëm 7-10 minuta. Federata Ruse po vazhdon militarizimin e Bjellorusisë, pikërisht për t’iu kundërvënë përpararimit drejt lindjes të strukturave politiko-ushtarake perëndimore.

Krijimi i një qendre të përbashkët e të përhershëm stërvitore ruso-bjellorusi në provincën Brest, si dhe transferimi i teknologjisë së nevojshme mbrojtëse në Rusinë e Bardhë, është një shenjë vendosmërie. Avionët luftëtarakë ‘Sukhoi Su-30” të dislokuar që me rastin e stërvitjeve të mëdha ushtarake “Zapad-21” (në shtator) në bazën ajrore bjelloruse Baranavici nuk do të rikthehen në Federatën Ruse, dhe po ashtu edhe bateritë efikase “S-400 Triumph”, me synim mbrojtjen e hapësirës ajrore në kufi me Poloninë.

“Beteja e emigrantëve” në kufirin polako-bjellorus, e kombinuar me nënshkrimin e 28 marrëveshjeve të integrimit (dhe një doktrinë të përbashkët ushtarake) nga Këshilli i Lartë i Unionit Shtetëror mes Rusisë dhe Bjellorusisë më 4 nëntor, i jep mundësi Kremlinit që të përshpejtojë depërtimin politiko-ushtarak në ish-republikën sovjetike.

Stërvitjet masive të parashutistëve rusë pranë Grodnos, vetëm 30 kilometra larg kufirit me Poloninë, si dhe fluturimet e shpeshta të bombarduesve strategjikë me aftësi bërthamore mbi territorin bjellorus, janë vetëm disa nga shembujt e një pranie gjithnjë e më të përhapur ruse pranë istmusit të Evropës.

Manovrat e trupave ajrore, shërbejnë për t’u kujtuar homologëve euroatlantikë cenueshmërinë e aleatëve të saj në lindje. Në fast se Polonia ose Lituania vendosin që të shkëpusin linjat logjistike midis Bjellorusisë dhe enklavës ruse të Kaliningradit, Rusia do ta konsideronte të justifikuar një ndërhyrje ushtarake për të rivendosur rendin e trafikut kufitar lokal.

Me qëndrimin e saj, Moska po i dërgon këtë mesazh të vazhdueshëm Uashingtonit, që konsiderohet si një aktor gjeopolitik racional:personeli ushtarak amerikan (dhe ai i inteligjencës), duhet të largohet sa më shpejt nga baza Orzisz në verilindje të Polonisë, e shndërruar tshmë në një bazë të përhershme midis 2 bazave të mëdha ruse (Kaliningrad dhe Grodno).

Forcat amerikane, do të inkurajoheshin të tërhiqeshin në perëndim të lumit Vistula, duke përdorur topat me mikrovalë – të drejtuara jo tek makineritë, por tek njerëzit – duke mos lënë asnjë gjurmë si ato që lenë armët tradicionale. Integrimi i forcave të armatosura të Moskës dhe Minskut, e pengon praninë e qëndrueshme të trupave euroatlantike në Ukrainën Qendrore dhe atë lindore.

Asnjë gjeneral i arsyeshëm nuk do të ishte i lumtur të udhëhiqte apo të vendoste njerëzit e tij në atë që duket si një xhep gjigant, pa elementët e duhur mbrojtës. E rrethuar pjesërisht në veri (Bjellorusia), në lindje (Donbas dhe Voronezh) dhe në jug (Krime dhe Detin e Zi), ish-republika sovjetike përbën një rrezik të panevojshëm ushtarak për Shtetet e Bashkuara. Sidomos duke pasur parasysh pamundësinë e praktikimit të politikave detare mbështetëse, Deti i Zi është një pellg i vogël gjysmë i mbyllur, i mbyllur artificialisht për shkak të aksidenteve të shkaktuara enkas. Çdo anije e bllokuar, do t’i nënshtrohej sulmeve me raketa që janë edhe më të rrezikshme nga qendra e gadishullit super të fortifikuar të Krimesë (tanimë e aneksuar nga Rusia).

Në një hapësirë ​​të ngushtë si Deti i Zi, as cilësia dhe as sasia e anijeve nuk janë të dobishme. E njëjta gjë vlen edhe për flotën më të fuqishme në botë. Rusia po përpiqet tashmë ri-afrojë pak e nga pak Ukrainën në sferën e saj të ndikimit, dhe shpreson ta bëjë këtë me sa më pak dhimbje.

Kohët e fundit presidenti Vladimir Putin, vendosi të heqë çdo pengesë doganore midis Rusisë dhe republikave separatiste të Luganskut dhe Donjeckut, duke e bërë de fakto zemrën e Donbasit një pjesë integrale të federatës ruse.

Në rast se do të bëhej e nevojshme një ndërhyrje e armatosur në Ukrainë, pjesa më e madhe e ofensivës ka shumë të ngjarë të vinte nga shtabi i Voronezhit, një qytet në Rusinë Jugperëndimore. Kievi është tashmë i zellshëm në zbatimin e këshillave të Uashingtonit. Anëtarësimi i tij në një organizatë politiko-ushtarake me vendimmarrje kolegjiale si NATO-ja, nuk do t’i sillte asnjë avantazh, as aleancës dhe as udhëheqëses së saj të padiskutueshme, SHBA-së.

Tek e fundit, Shtëpia e Bardhë nuk do të donte kurrë që ta zotëronte Ukrainën si një koloni, por vetëm ta largonte atë nga rivali i saj rus. Interesi logjik i strategëve të Moskës është të vendosin në Transnistria një përzierje të sistemeve raketore tokë-ajër (S-350 Vityaz, S-400 Triumph, S-500 Prometey) dhe tokë-tokë (Iskander-M).

E para do të mbronte në mënyrë efikase hapësirën ajrore të segmentit jugor të ‘vijës së kuqe’, dhe e dyta do të kundërshtontë në një mënyrë simetrike elementët e përdorimit të dyfishtë – mbrojtës dhe sulmues – të bazës raketore të NATO-s, Aegis Ashore në Deveselu (Rumani).

Këtë do ta bënin raketat e kryqëzorit me aftësi bërthamore “9M729 Novator”, distanca e të cilave dihet se i tejkalon 500 kilometrat. Zgjidhja e parashikuar për Transnistrian, do të ndiqte në mënyrë të përsosur atë të miratuar tashmë për enklavën e Kaliningradit.

Vetëm margjinalizimi logjistik i rajonit separatist, e pengon Kremlinin që të përcaktojë pikën jugore të vijës hegjemoniste të demarkacionit. Në rajonin separatist të Republikës së Moldavisë, ekziston tashmë një kontigjent i vogël trupash ruse. Ato kanë si qëllim kryesor mbrojtjen e arsenalit të Kobasna nën juridiksionin rus, më i madhi në Evropën Qendrore-Lindore me mbi 20.000 tonë municione.

Preteksti për një rritje numerike të numrit të trupave ruse përgjatë bregut të majtë të lumit Nistru/Dnestr, do të jepej pikërisht duke siguruar vendin e magazinimit gjatë fazave delikate të asgjësimit në vend të municioneve të rrezikshme./ Nga Mirko Mussetti “Il Giornale

Cilët janë 9 gjeneralët e vrarë që nga fillimi i luftës

Vrasja e Kirillov hap edhe një herë “Kutinë e Pandorës”

Analistët “varrosën” planin e Putinit

Rusët “në delir”, do të shpallin fitoren në 2025

Arrestimet, sabotimet dhe shtypja e disidencës

Njësia speciale që “e bën” Rusinë të funksionojë

A mund t’i ulë Putinin dhe Zelensky-n në të njëjtën tryezë

Një muaj para inaugurimit, Trump nis me premtimet