MENU
klinika

Familjarët nuk bashkëpunuan me policinë

Vrasja e ish-policit në Laç/ Merret ADN-ja e 20 personave

15.11.2021 - 11:18

Rreth 20 personave të dyshuar për vrasjen e ishefektivit të Policisë, Xhelal Reçi, mëngjesin e 1 nëntorit në qytetin e Laçit, iu është marrë ADN-ja, e cila do të krahasohet me ato pak gjurmë të gjetura në vendin e ngjarjes dhe automjetin e djegur.

Sipas burimeve nga organi i hetimit, këta persona kanë pasur konflikte me djalin e viktimës Besnik Reçi, ndaj të cilit u organizua një atentat me armë zjarri në gusht të vitit 2020, teksa po lëvizte me makinë bashkë me familjen në rrugën e Shëngjinit, por fatmirësisht nga të shtënat ai dhe familjaret e tij nuk morën lëndime.

Gjithashtu, bëhet me dije se hetuesit po analizojnë qelizat telefonike të një numri të madh personash të dyshuar për të parë vendndodhjen e tyre në momentin kur ka ndodhur ngjarja, çka mund të ndihmojë grupin hetimor për të rënë në gjurmët e autorëve. Kamera e sigurisë e një banke të nivelit të dytë në qendër të qytetit të Laçit, ka filmuar ekzekutimin e 61- vjeçarit Xhelal Reçi, por duke qenë se autorët kanë qenë me maska mjekësore, nuk është arritur të bëhet identifikimi i tyre.

Trupi dhe lëvizjet e tyre janë krahasuar me personat e dyshuar për ekzekutimin e 61- vjeçarit Xhelal Reçi, por nuk kanë rezultuar të njëjta me asnjërin prej të dyshuar. Nga ana tjetër burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se familjaret e ishpolicit të vrarë nuk kanë bashkëpunuar me Policinë për zbardhjen e ngjarjes, duke mos iu dhënë asnjë orientim mbi personat e dyshuar. Djali i viktimës Besnik Reçi rezulton të ketë pasur 8 konflikte, një pjesë e të cilave të pambyllura, çka mund të kenë sjellë dhe ngjarjen e rëndë.

Dyshimet janë se ekzekutimi i ish-policit 61- vjeçar është kryer nga vrasës me pagese që mund të kenë ardhur nga Fieri. Reçi u godit me dy plumba pistolete, njëri prej të cilëve ishte fatal për të teksa po hapte qepenin e biznesit së tij. Të paktën tre persona kanë marrë pjesë në atentat ndaj 61- vjeçarit, dy prej të cilëve të armatosur me armë zjarri të llojit pistoletë, ndërsa i treti luante rolin e shoferit të mjetit me të cilin ata u larguan nga vendi i ngjarjes. Pas atentatit, ata u larguan nga vendi i ngjarjes, duke djegur automjetin e vjedhur në afërsi të lumit të Milotit.

Aty dyshohet se i ka pritur një tjetër automjet dhe më pas dyshohet të janë larguar në drejtim të Shkodrës. Xhelal Reçi u ekzekutua me armë zjarri rreth orës 07:20 minuta të mëngjesit të 1 nëntorit, sapo zbriti nga automjeti i tij tip “Benz”, për të hapur biznesin në pronësi të tij në qendër të qytetit të Laçit.