Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm në Sofje, ku humbën jetën 46 persona dhe mbetën të plagosur 7 të tjerë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka shkuar në Sofje, dhe ka rrëfyer se ka folur me një nga të mbijetuarit e aksidentit.
“Kam mundur të flas me njërin prej të mbijetuarve. Ai i ka thënë se është dëgjuar një shpërthim i fortë, pas së cilës ai dhe 7 pasagjerë të tjerë kanë arritur të ikin nga dritaret”, tha Zaev, i cili së bashku me ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe. dhe Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani tashmë janë në Sofje.
Zaev shton se kanë besim te autoritetet bullgare dhe se nuk do të kërkojë hetim paralel.
“Ne u besojmë kolegëve tanë bullgarë. Nëse ata kanë nevojë për ndihmë, ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë në hetim. Tani gjëja më e rëndësishme është të shohim se si t’i ndihmojmë viktimat,” shtoi Zaev.
Pas njohjes me gjendjen e të lënduarve, kryeministri do të takohet me homologun e tij bullgar Stefan Janev. /AlsatM/