Analisti Artur Zheji dhe gazetarja Klodiana Lala, të ftuar në emisionin “Pikat mbi i” folën për ngjarjet kriminale të ndodhura sëfundmi në vendin tonë.
Zheji u shpreh se tashmë kriminaliteti shqiptar ka arritur në një asgjësim total. Gazeterja Lala theksoi se detyrë e gazetarit është të mos heshtë, por edhe të mos tronditë qytetarët.
“Ka shqetësim. Kriminaliteti në rritje krijon problematika tek qytetarët. Ne duhet t’i trajtojmë ngjarjet qofshin ato pozitive apo jo”, tha Lala.
“Kur sheh këtë mini-dokumentar ke të qartë dinamikën e një krimi. Ne jemi të përgatitur psikologjikisht për këto gjëra. Mendoj që sofistikimi dhe degradimi shpirtëror i kriminalitetit shqiptar ka arritur në asgjësim total. Bindja që herët apo vonë do të shmanget drejtësisë maksimale, riprodhon krime”, Zheji.
E ndalur tek vrasja e biznesmenit, Rruzhdi Hoxha i cili u gjet i vdekur në një humnerë në Qafë Mollës pas malit të Dajtit, gazetarja Lala u shpreh se kjo është një nga të paktat ngjarje kur policia ka pasur një bashkëpunim me gazetarët dhe se çështja është trajtuar me seriozitet.
Ndërsa tregoi se katër ditë pas zhdukjes së biznesmenit, ishte kontaktuar nga vëllai i tij.
“Katër ditë pasi ishte zhdukur jam kontaktuar nga vëllai i tij. Më tha që kishte ndodhur më herët kur largohej dy apo tri ditë për shkak se kishte probleme me personaliteti, por kishte kaluar ajo kohë. Dhe ditën e 6 ishte bërë shqetësuese situata. Në rastin konkret të ngjarjes së Rruzhdi Hoxhës është treguar profesionalizëm. Është një ndër të paktat raste kur policia ka bashkëpunim me gazetarët”, tha Lala.
Për analistin Zheji tha se u tregua një profesionalizëm nga policia dhe sipas tij kjo ngjarje nxori në pah faktin se në rastet kur ndërhyn politika atëherë nuk mund të arrijnë drejt një përfundimi final.
Pjesë nga biseda në studio:
Zheji: Është hakmarrje apo incident? Cilat janë versionet për vrasjen e Rruzhdi Hoxhës?
Lala: Të gjitha opsionet janë të hapura. Në automjet kanë qenë dy persona të tjerë. Sipas policisë ka pasur një plan të paramenduar sepse ka pasur armë me vete dhe ka insistuar ta marrë në makinë. Autori i dyshuar kur është thirrur nga forcat e policisë ka thënë që jam takuar me të dhe kjo ishte se si ra policia në gjurmët e tij.
Autori i dyshuar në orën 6 është rikthyer tek vendi i krimit sepse mendoi dhe të dhënat e hetuesve thonë se për shkak se nuk ka arritur të fshehë gjurmët, ka shkuar mëngjes herët dhe është kthyer natën në qytet.
Alfred (Fredi ) Rrushi është kërkuar nga autoritetet italiane, dyshohet të jetë i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Është duke u hetuar edhe për një nga ngjarjet e ndodhura më parë në Tapizë. Dyshohet se vrasja e Hoxhës është e paramenduar.
Zheji: Kamerat e sigurisë kanë pasur një rol të rëndësishëm në zbardhjen e këtij krimi. Ne jo se kemi një polici të paaftë, por ky rast tregon që njeh protokollin. Kur hyn politika mendjet inteligjente stopohen nga diktatura politike e aktit…Pra nuk sheh dhe nuk ke raportim…Pra në zbardhjen e një çështje nëse politika ndërhyn dhe të heq në mënyrë të qëllimshme urat kryesore, nuk arrin drejt një hetimi final…
Lala: Në rastin konkret policia ka qenë shumë e kujdesshme dhe bashkëpunoi. Shikoi një trajektore ndryshe…në këtë rast , u tregua e kujdesshme duke biseduar edhe me gazetarët. Por dua të them se sa herë që ka hyrë politika në lojë, zyrtarët e policisë kanë bërë sikur nuk kanë parë.