MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

2021, viti i tërmetit politik në PD

27.12.2021 - 17:21

Ndërsa kalendari po heq fletët e fundit të vitit 2021 është mëse e natyrshme të bëjmë bilancin si ishte ky vit që po lëmë pas për ne shqiptarët? Viti i parë i dekadës së dytë të mijëvjeçarit të tretë, vërtetë e zbuti pandeminë në krahasim me 2020, por na u duk sikur në këto 12 muaj morëm pasojat e asaj që ndodhi një vit më parë. Ndoënse pandemia e Covid 19 u bë shoqëruese e jetës së sonë me infektime dhe me vdekje që mori virusi, ishte politika ajo që dominoi sërish jetën e shoqërisë. Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të fitura nga PS, shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga parlamenti, shpallja non grata të Sali Berishës nga SHBA, beteja në PD për drejtimin e saj pas çështjes Berisha dhe shpërthimi i skandalit të publikimit të rrogave dhe të dhënave personale kanë shkaktuar lëvizje tektonike në Shqipëri saqë e kanë bërë të harrohet edhe vetë pandemia. Me atë që ka ndodhur, ne mund ta quajmë pa frikë që 2021 ishte viti i “tërmetit” politik në PD. Kryengjarja e vitit 2021 e ka tronditur, përçarë dhe hutuar jo vetëm anëtarësinë e kësaj partie. Mbajtja e dy kuvendeve, përjashtimet e Bashës dhe Berishës nga të dy grupimet, incidentet e ndërrimit të bravave, të shqyerjes së dyerve dhe instalimit të lukunisë së kamerave në selinë e partisë kanë shtangur pothuajse të gjithë shoqërinë shqiptare. E keqja tjetër është se kjo çështje jo vetëm që nuk u zgjidh këtë vit por nuk mund të parashikohet nëse mund të zgjidhet edhe përgjatë vitit që po vjen. Janë të paktën 10 ngjarje politike që në një formë apo një tjetër dominuan të gjithë jetën shoqërore në vend.

1-25 PRILL, PS FITON MANDATIN E TRETË QEVERISËS

Partia Socialiste fitoi një mandat të tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të 10-ta parlamentare dhe të 28-ta në historinë e shtetit shqiptar. Kjo parti mori 48.79 për qind të votave ose 74 mandate, kundrejt Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj që mori 39.55 për qind të votave ose 59 mandate, LSI 6.83 për qind ose 4 mandate dhe PSD 2.26 për qind ose 3 mandate. Partia Socialiste u bë kështu e para forcë politike që fiton një mandat të tretë radhazi që pas rrëzimit të sistemit komunist. Zgjedhjet u zhvilluan nën dy tensione, ai i rrezikut të pandemisë Covid 19 që ende funksiononte me masat shtrënguese në fuqi dhe të përplasjeve deklarative por në disa raste edhe fizike si ngjarja në Elbasan që u shoqërua edhe me humbje jete. Fushatat respektive të PS dhe PD u zhvilluan në stil modern të kuruara nga kompani të huaja të specializuara në fushën e Public Relations. Partia Socialiste e mbështeti fushatën në prurjet në listat e kandidatave të disa fytyrave të reja por duke përfshirë edhe disa personazhe me impakt publik ndonëse me moshë të shtyrë si inxhinierja Luljeta Bozo dhe mjekja infeksioniste Najada Çomo. Ndërsa Partia Demokrarike e mbështeti fushatësn në një program ambicioz me përmbajtje më shumë sociale se sa të një partie të djathtë. Fitorja e PS ishte euforike për mbështetësit e saj dhe zhgënjyese për PD dhe menjëherë pas shpalljes së rezultatit lidershipi demokrat filloi kontestimin e zgjedhjeve duke e kthyer në një kauzë me konkluzionin se ato ishin manipuluar nga mazhoranca nëpërmjet abuzimeve me buxhetin e shtetit dhe me para të hedhur nga krimi i organizuar. Për këtë është ngritur edhe një komision hetimor në parlament por fakti që raportet ndërkombëtare dhe diplomacia e huaj i ka certifikaur dhe pranuar këto zgjedhje, këto lloj lëvizjesh nuk ndikojnë as në rezultat e as në faktin që PS po konsumon mandatin e tretë të asaj që zgjat katër vjet. Këto akuza madje nuk ndikojnë as në zhgënjimin e thellë që ka pësuar anëtarësia e Partisë Demokratike

2-19 MAJ, BLINKEN SHPALL BERISHËN NON GRATA

Padyshim që kjo është kryengajrja dhe kryelajmi i vitit 2021. Më 19 maj sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi se ka shpallur ish-kryeministrin dhe ish-presidentin Sali Berisha non grata për SHBA. Ky vendim kishte fuqinë e një bombe atomike në politikën shqiptare. Arsyeja kryesore në këtë vendim ishte se kjo ka ardhur shkak të përfshirjes së tij të konsiderueshme në korrupsion. Në deklatatë dhe vendim nënviziohej: Në kapacitetin e tij zyrtar si kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha u përfshi në akte korruptive, si keqpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja me proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime vetjake dhe pasurimin e aleatëve të tij politik dhe të anëtarëve të familjes në shpërdorim të besimit të publikut shqiptar ndaj institucioneve qeveritare dhe zyrtarëve publikë. Ndërkohë Sali Berisha reagoi duke e hedhur poshtë akzuat dhe depozitoi padi në Gjykatën e Parisit për shpifje. Në shumë raste ai e ka lidhur këtë vendim me ndikimin e multimilionerin George Soros si një njeri që ka dëmtuar jo vetëm imazhine tij personal por ka bërë gjithçka që të godiste Berishën për shkak se denoncoi projektin për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Vendimi i Blinken u shoqërua si në efektin domino me një sërë ngjarjesh të tjera politike duke bërë që që nga 19 maji e deri më sot agjenda politike në Shqipëri të kishte si pikë graviteti vendimin e sekretarit të Shtetit. Për të djathtët ishte goditur idhulli i tyre historik, për të majtët u shkaktoi antkh se të njëjtë vendim mund të ndërmerret edhe për disa prej tyre.

3-9 QERSHOR, PARLAMENTI SHKARKON PRESIDENTIN META

Më 19 qershor parlamenti mori një nga vendimet që kurrë më parë nuk kishte ndodhur në historinë e shtetit dhe parlamentarizmit shqiptar. Pas një votimi, organi legjislativ shkarkoi presidentin Ilir Meta me 104 deputetë që votuan pro, 7 deputetë kundër dhe 3 abstenim. Kujtojmë se deputetët që nuk ishin të pranishëm në sallë për të votuar ishin: Ambra Borova, Rudina Hajdari, Enada Koçiraj, Korab Lita, Jetmira Rraboshta, Olta Xhaçka dhe Fidel Ylli. Një komision hetimor parlamnetar kishte konstatuar 16 shkelje kushtetute presidentit Ilir Meta që u shoqërua me propozimin ndaj parlamentit për shkarkim. Nga ky hetim komisioni hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fushatë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale. Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura. Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në facebook dhe shkresave dërguar institucioneve. Në janar pritet të thotë fjalën përfundimtare Gjykata Kushtetuese dhe gjasat janë që presidentit Meta të lërë presidencën disa muaj më parë nga afati që i mbaron mandati. Sigurisht që Meta e ka cilësuar këtë akt politik të mazhorancës si kapje totale të shtetit dhe një shkelje e hapur e kushtetutës.

4-13 QERSHOR, MBAHEN ZGEJDHJET NË PD, BASHA FITON NJË MANDAT TË TRETË

Pa u shuar ende atmosfera e humbjes së tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare, më 13 qershor PD mbajti zgjedhjet për kryetar të kësaj partie. Pas votimit Lulzim Basha u zgjodh kryetar i partisë për një mandat të tretë përmes një procesi që kaloi me shumë debate dhe pretendime të kundërshtarëve të tij. Lulzim Basha mori 32882 vota kundrejt Agron Shehajt që mori 6038 vota, Edith Harxhi 983 vota dhe Fatbardh Kadillit 781 vota. Procesi jo vetëm që ishte i nxituar kur Partia Demokratike sapo kishte marrë një goditje nga humbja e tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, por u shoqëruar edhe me pakënaqësi, akuza për maniupulim e deri në dhunë fizike në disa raste. Kulmi i debateve dhe akuzave ishte ajo e tre kandidatëve të tjerë sipas të cilës administrata e lartë e partisë nuk i vuri në dispozicion as listat e anëtarësisë duke e bërë procesin jo transparent. Si Shehaj, Harxhi dhe Kadilli akuzuan Lulzim Bashën për uzurpim të garës, manipulim të zgjedhjeve në parti dhe mungesën e demokracisë në radhët e opozitës. Duhet theksuar sërish ish-kryetari Berisha mbështeti hapur Lulzim Bashën në këto zgjedhje jo vetëm me deklarata të tij por edhe me prezencën ditën e votimit në zyrën e Lulzim Bashës. Megjithatë vëzhguesit e vëmendshëm të zhvillimev në Partinë Demokratike vërejtën se gabimi më i madh i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve ishte mungesa e analizës së humbjes në zgjedhje dhe nxitimi që Basha të merrte një mandat të tretë në krye të PD edhe pse kishte humbur çdo garë elektorale në tetë vjet kryetar dhe se heqja dorë nga mandatet e deputetëve në shkurt 2018 dhe mosmarrja pjesë në zgjedhjet locale në 2019 kishin rezultuar të dështuara.

5-22 QERSHOR, BE REFUZON SHQIPËRINË

Më 22 qershor Bashkimi Evropian vendosi që të mos hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriu dhe për këtë shkak u bë vetoja bullgare. Zv.Presidentja e BE, Paola Zacarias, konfirmoi atë ditë se nuk ka çelje negociatash për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut pa bërë përgjegjëse dy shtetet që prisnin vendim pozitiv. Ministrja e jashtme portugeze si përfaqësuese e presidencës portugeze tha se u vendos që të shtyhet data për Konferencës e Parë Ndërqeveritare por edhe kjo datë nuk dha garanci. Shkak është bërë veto-ja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, nga e cila e pësoi dhe Shqipëria. E njëjta përgjigje negative për Shqipërinë ndodhi edhe gjatë presidencës sllovene. Të gjitha vendet ishin pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, madje dhe Holanda që ishte më skeptikja dha ok për mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare, por tashmë edhe në muajt në vijim fati i integrimit europian të vendit tonë do i mbetet dialogut Bullgari-Maqedoni e Veriut. Kryeministri Edi Rama nu ka lënë rast pa përmendur këtë si një dështim të Bashkimit Evropian në politikën e hapjes dhe që nuk ka asnjë lidhje me atë që ka arritur Shqipëria.

6-9 SHTATOR, BASHA PËRJASHTON BERISHËN NGA GRUPI PARLAMENTAR

Vendimi për shpalljen non grata të SHBA ndaj Berishës ndikoi jashtë mase në politikën shqiptare. Më 9 shtator kryetari i PD Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Në një dalje publike ai deklaroi se “për të shmangur çdo keqkuptim deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të çështjes në rrugë gjyqësore, Berisha nuk do të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD”. Kjo solli reagimin ekstrem të Sali Berishës duke e cilësuar vendimin një pabesi të Bashës dhe ndaj tij ndërmori aksionin “Foltore” me qëllimin largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD dhe sipas tij kthimin e demokracisë në parti. Për rreth 3 muaj Berisha organizoi 27 “Foltore” në të gjithë vendin me anëtarësinë e Partisë Demokratike duke kërkuar disa herë ndjesë që kishte mbështetur Luzlim Bashën në këto 8 vjet por që tashmë e cilësonte atë si e keqja madhe e PD. Berisha grumbulloi rreth vetës shumë mbështetje në bazë ndërkohë që në strukturat e larta të PD si grupi parlamentar dhe kryesisa e partisë Lulzim Basha rezulton të ketë mbështetje më të madhe. Kjo solli një ndarje të partisë në dy pjesë: Në atë pjesë që krijonin perceptimi që Sali Berisha kishte mbështetje në bazë dhe në atë pjesë që Lulzim Basha kishte mbështetje në kupolën e partisë. Çështja “Berisha” u kthye jo vetëm në qendër të debatit politik në Shqipëri por edhe në të gjitha raportet e Shqipërisë me SHBA. Më 9 dhjetor zëvendësndihmës sekretari i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin, Gabriel Escobar, vizitoi Tiranën dhe takoi kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe kryetarin e PD Lulzim Basha. Në një intervistë për gazetarin Sokol Balla Gabriel Escobar tha se nëse në krye të PD do jetë Sali Berisha SHBA do ndërpresë marrëdhëniet me PD. Kjo ishte goditja e tretë e rëndë që Sali Berisha mori pas vendimit non grata dhe përjashtimit që Lulzim Basha i bëri nga grupi parlamentar.

7-16 SHTATOR, RAMA NIS MANDATIN E TRETË SI KRYEMINISTËR

Më 16 shtator, me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim pas një votimi në Kuvend, Edi Rama mori një mandat të tretë qeveriës. Me këtë fitore shkon drejt vendit të dytë në historinë e shtetit shqiptar si kryeministri më jetëgjatë në 109 vjet të shtetit shqiptar. I pari për nga kohëzgjata në detyrë si kryeministër është Mehmet Shehu me 27 vjet, 4 muaj e 25 ditë. I dyti është Edi Rama drejt 12 viteve, më pas Enver Hoxha me 9 vjet, 9 muaj e 25 ditë, Adil Çarçani 9 vjet, 1 muaj e 6 ditë, Sali Berisha 8 vjet dhe kështu me radhë. Në këtë mënyrë, Edi Rama bëhet politikani i tranzicionit me bilancin më pozitiv në planin personal të tij. Në 23 vjet karrierë politike Rama ka qenë 8 vjet kryeministër dhe pret që kjo të shkojë në 12 vjet, ka qenë 11 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës me 3 mandate të fituar na zgjedhjet lokale, si dhe 2 vjet ministër i Kulturës. Ndërkohë mandati i tretë qeveriës sigurisht që ka nisur me vështirësi të mëdha edhe për shkak të pasojave që kanë lënë dy ngjarje të rënda dhe të paparashikuara që kaloi Shqipëria, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe situata e pandemisë që ende vazhdon. Megjithatë dhurata politike që i është bërë Edi Ramës dhe mazhorancës në këtë mandat është përçarja dhe zhvillimet në Partinë Demokratike.

8-4 NËNTOR, NË BEOGRAD MBAHET OPEN BALKAN

Më 4 nëntor në Beograd u mbajt takimi i “Open Balkan” me pjesmarrjen e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov. Edhe ky takim i radhës e gjeti iniciativën e Ballkanit të Hapur pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se sipërmarrësit kryesorë të tre shteteve që janë tashmë pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur dhe janë mbështetësit kryesor të një nisme të tillë. Sipas tij, po synohet që qytetarët shqiptarë, maqedonas apo serbë për një vit e gjysmë të lëvizin pa asnjë lloj kufiri në të tre vendet. Megjithatë kjo nismë ka marrë kritika të mëdha në Shqipëri nga opozita dhe aktorë të ndryshëm në media por edhe në Kosovë, megjithatë zyrtarë të lartë të BE-së e kanë mbështetur këtë nismë ashtu si procesin e Berlinit. Mes tyre ishte edhe kancelarja gjermane Angela Merkel e cila gjatë vizitës në Tiranë më 14 shtator mbështeti këtë proces duke thënë se kjo ndihmon Procesin e Berlinit. Ndërkaq, të hënën e 20 dhjetorit në Tiranë u mbajt takimi tjetër i “Open Balkan” në të cilin ishin prezentë presidenti Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev që ishin të ftuarit e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Kundërshtarët e këtij procesi në Shqipëri u bënë më aktivë atë ditë dhe për këtë u zhvillua një protestë e thirrur nga mbështetësit e Sali Berishës.

9-11 DHE 18 DHJETOR, MBAHEN DY KUVENDET E PD

Pas lëvizjes së Berishës me aksionin e tij “Foltore” PD praktikisht u nda në dy pjesë: Në mbështetësit e Berishës dhe mbështetësit e Bashës. Më 11 dhjetor u mbajt në stadiumin “Air Albania” në Tiranë kuvendi i PD i thirrur nga mbështetësit e Sali Berishës ose 1 e katërta e delegatëve dhe më 18 dhjetor u mbajt në Pallatin e Kongreseve kuvendi i thirrur nga kryetari zyrtar Lulzim Basha. Kuvendi i mbledhur më 11 dhjetor me 4934 delegatë prezentë, me 4491 pjesmarrës në votim, solli si përfundim që 4446 delegatë vendosën shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar të PD, kundrejt 36 votave kundër dhe 9 abstenim. Një javë më pas Lulzim Basha mbajti kuvendin e thirrur nga kryesia zyrtare dhe hodhi poshtë vendimet e kuvendit të mbajtur nga Sali Berisha duke miratuar një rezulutë me tre pika mes të cilave ajo më e rëndësishme ishte që çdo person non grata nga SHBA i ndalohej të ishte pjesë e strukturave të larta drejtuse të PD duke nënkuptuar Sali Berishën. Ndërkohë që po në datën 18 dhjetor mbështetësit e Berishës mbajtën një referendum në të cilin konfirmuan shkarkimin e Lulzim Bashës me 43.385 vota. Ndërkohë në Gjykatën e Tiranës janë depozituar dy padi, një e mbështetsve të Berishës me logon e re dhe vulën e re të ndryshuar të PD bashkë me statutiun e ri të ndryshuar në kuvendin e 11 dhjetorit dhe padia e mbështetësve të Lulzim Bashës me statutin e miratuar në muajin korrik. Ndërkohë në selinë e PD gjatë përplasjeve për drejtimin e partisë kanë ndodhur disa incidente, kulmi i të cilave ishte ai i shqyerjes së derës nga një person për të zhvilluar një mbledhje më pas Komisioni Nismëtar i Rithemelimit të PD. Ndërkohë ky komision i ka vendosur një ultimatum Lulzim Bashës që deri më datën 5 janar të lirojë zyrën mbi bazën e vendimit të marrë nga kuvendi më 11 dhjetor. Një ultimatum që u pasua nga një deklaratë e fortë e ish-presidentit Bujar Nishani në emisionin “Dekalog” në RTSH 24 sipas të cilës nuk parashikonte se çmund të ndodhte më 6 janar nëse Basha nuk do dorëzonte zyrën.

10. 22 DHJETOR, PUBLIKOHEN TË DHENAT DHE RROGAT PËR 600 MIJË QYTETARË

Një skandal i përmasave të mëdha ka ndodhur më 22 dhjetor teksa një dokument në formatin excel qarkulloi në numrat ëhats app të disa gazetërëve dhe më pas u publikua në portale dhe gazeta, janë bërë publike të dhëna për 637 mijë qytetarë. Në fillim u publikuan rrogat e tyre dhe disa ditë më pas edhe targat e makinave dhe të dhëna të tjera personale. Kjo lidhet me rrjedhjen e një database të të dhënave personale të personave punojnë në sektorin publik dhe privat dhe që tregoi pasigurinë e të dhënave që dispnonojnë institucionet e shtetit shqiptar. Lista e pagave solli një debat të fortë publik duke përbërë një shkelje flagrante të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë. Lista e parë i përket muajit janar 2021, ku nga të dhënat rreth 40 mijë persona kanë të ardhura nga 100 mijë lekë deri në 2 milionë lekë në muaj, 59 të tjerë kanë rrogë nga 2 milionë deri në 4 milionë lekë, ndërsa 23 persona kanë pagë nga 4 milionë deri në 50 milionë në muaj. Më pas u publikua edhe lista e pagesave të muajit prill 2021. Nisur nga përmasa e këtij skandali, Prokuroria e Tiranës nisi menjëherë hetimet ndaj Drejtorisë së Tatimeve nga dyshohet se mund të ketë rrjedhur informacioni. Për skandalin me publikimin e pagave reagoi edhe presidenti Ilir Meta dhe Partia Demokratike. Meta e cilësoi publikimin e këtyre të dhënave personale akt kriminal që rrezikon paqen sociale, ndërsa PD ia faturoi qeverisë duke thënë se është pjesë e skemës së patronazhimit.