Nga Vladimir Frolov “The Moscow Times”
Gjatë muajit të fundit, Rusia ka ndërmarrë një sulm strategjik për të ndaluar njëherë e përgjithmonë zgjerimin e NATO-s në Lindje. Moska po përpiqet të përfundojë atë që e nisi në vitin 2014 në Krime:të ndryshojë në favorin e saj, kushtet në të cilat përfundoi dikur Lufta e Ftohtë.
Kjo fushatë shantazhi filloi më 18 nëntor, kur presidenti rus Vladimir Putin, kërkoi nga Perëndimi gjatë një takimi me zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme “garanci serioze afatgjata, që garantojnë sigurinë e Rusisë”.
Më 1 dhjetor, në një ceremoni për ambasadorët e huaj të sapoardhur në Moskë, Putin ishte edhe më specifik në kërkesat e tij.“Ndërsa do të angazhohemi në një dialog me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, ne do të këmbëngulim në arritjen e marrëveshjeve konkrete,
të cilat do të përjashtonin çdo zgjerim të mëtejshëm drejt lindjes së NATO-s, dhe vendosjen e sistemeve të armëve, në afërsi të territorit të Rusisë, dhe që përbëjnë një kërcënim për ne. Ne sugjerojmë që t’i nisim bisedimet kryesore pikërisht mbi këtë çështje. Dëshiroj të theksoj në mënyrë të veçantë që ne kemi nevojë për garanci ligjore dhe juridike, pasi kolegët tanë perëndimorë kanë dështuar deri më sot të përmbushin angazhimet verbale që kanë marrë”- tha Putin.
Moska nisi që të rishikonte qasjen e saj të “durimit strategjik” në marrëdhëniet me Perëndimin dhe Ukrainën, qëkur NATO vendosi t’i japë Ukrainës në qershor 2020 statusin e partneres. Në Kiev u fol se ky status i ri do të hiqte praktikisht të gjitha kufizimet në bashkëpunimin ushtarak të ukrainasve me amerikanët.
Ky zhvillim, i kombinuar me sanksionet perëndimore kundër Rusisë, mungesën e progresit në zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut, të cilat synojnë t’i japin fund konfliktit në Ukrainën Lindore, dhe paaftësinë e mekanizmave rusë për të ndikuar sot në politikën e Ukrainës, u pa në Moskë si një shenjë alarmante e lëvizjes së Ukrainës drejt orbitës perëndimore në aspektin e sigurisë.
Edhe nëse Marrëveshjet e Minskut do të zbatoheshin në mënyrën që do të dëshironte Moska, kjo gjë nuk do t’i jepte gjithsesi mundësi Rusisë të arrijë synimin e saj strategjik, atë të mbajtjes së Ukrainës në orbitën e saj të ndikimit.
Ri-integrimi i rajonit pro-rus separatist të Donbasit në sistemin politik të Ukrainës, nuk do t’i japë Rusisë të drejtën e vetos mbi politikën e jashtme apo të mbrojtjes së Ukrainës. Kievi do të jetë ende në gjendje që t’i margjinalizojë republikat e vetëshpallura Donetsk dhe Luhansk, ashtu siç arriti të bëjë presidenti Volodymyr Zelenskiy me oligarkun pro-rus Viktor Medvedchuk, partinë e tij politike dhe kanalet televizive që ka në pronësi.
Zbatimi i Marrëveshjeve të Minskut mund ta destabilizonte Ukrainën në një periudhë afatshkurtër. Por Kievi do t’i përshtatej me shpejtësi situatës, dhe më pas rruga e Ukrainës drejt NATO-s do të jetë e hapur. Fiksimi i Moskës me Marrëveshjet e Minskut, e ka penguar atë të zgjidhë problemet e tjera në marrëdhëniet e saj me Ukrainën, dhe ka lënë peng tek manovrat e Kievit marrëdhëniet Rusi-Perëndim.
Tani Moska po kërkon një rrugëdalje nga ngërçi, duke u përpjekur të arrijë një marrëveshje të drejtpërdrejtë me Perëndimin, ku sipas saj NATO duhet të ndërpresë përfundimisht zgjerimin e saj në Lindje, gjë që do ta detyronte Ukrainën t’i rregullojë marrëdhëniet e saj me Rusinë sipas kushteve të kësaj të fundit.
Por për ta arritur këtë gjë, Moskës i duhet të krijojë një mekanizëm ndikimi mbi liderët perëndimorë që do t’i pengonte ata të hidhnin poshtë shqetësimet ruse. Dhe ai mekanizëm u sigurua nga prania e shtuar ushtarake e Rusisë rreth Ukrainës këtë vit.
Perëndimi beson se udhëheqja ruse është tashmë e aftë të kryejë një fushatë të kufizuar ushtarake kundër Ukrainës, e cila do ta detyronte Kievin të pranonte një herë e përgjithmonë kushtet për t’i dhënë fund konfliktit që po “zien” prej 8 vitesh në lindje të vendit.
Moska e përdori këtë demonstrim të forcës ushtarake për të hyrë në diskutime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara. Bashkë me premtimet se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, Rusia kërkon garanci që asnjë infrastrukturë apo objekte ushtarake të NATO-s të mos vendoset në territorin ukrainas, edhe nëse ajo nuk i bashkohet zyrtarisht aleancës perëndimore.
Moska i ka bërë publike kërkesat e saj, dhe po këmbëngul që bisedimet të nisin sa më shpejt që të jetë e mundur. Apeli i Putinit për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, sipas së cilës NATO nuk do të zgjerohet më tej në lindje, e ka zvogëluar hapësirën e Rusisë për të manovruar.
Është e vështirë të imagjinohet se partnerët e aleancës mund të bien dakord mbi ndonjë nga këto kërkesa, sidomos në një formë ligjërisht të detyrueshme, e cila në Shtetet e Bashkuara, do të duhej të ratifikohej nga Senati.
Në çdo rast, kërkesat jorealiste të Moskës – dhe shpallja e tyre publikisht, kur çështje të tilla të ndjeshme diskutohen më mirë privatisht – kanë nxitur dyshimet e shumëkujt në Perëndim, se ato janë thjesht një operacion mbulimi, dhe se ultimatumi i vendosur nga Moska për fillimin e bisedimeve tregon një vendim të afërt të Kremlinit për një operacion ushtarak.
Nga ana tjetër Moska as nuk ka propozuar ndonjë lëshim të sajin në këmbim të kufizimeve ushtarake dhe politike që do të donte t’u impononte vendeve të NATO-s dhe Ukrainës,përveç përsëritjes së një nisme të vjetër mbi një moratorium për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme në Evropë.
Megjithatë, ne mund të supozojmë se kërcënimi ushtarak në kufijtë e Ukrainës do të nxisë diskutimin brenda NATO-s mbi ndërprerjen e zgjerimit të aleancës, sidomos nëse presidenti i SHBA-së Joe Biden (dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron), e ngrenë personalisht këtë çështje.
Në Shtetet e Bashkuara, ky skenar është diskutuar tashmë në nivel ekspertësh. Çështja është se si të formulohet një vendim i tillë, në mënyrë të tillë që t’i përshtatej të dyja palëve, dhe që do të kërkonte ndryshimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Por a ka një format realist për një sipërmarrje politike për të mos e zgjeruar NATO-n në kufijtë e Rusisë? Ekzistojnë 2 opsione të mundshme. I pari është që në deklaratën e samitit të NATO-s të vitit 2022 në Madrid,të përfshihet një pikë e veçantë, ku të thuhet se aleanca nuk do të zgjerohet më në lindje, dhe se kjo deklaratë politike i zhbën të gjitha deklaratat e mëparshme.
Kjo gjë do ta lejonte NATO-n të mohonte deklaratën e nënshkruar në samitin e Bukureshtit në vitin 2008, që premtonte se Ukraina dhe Gjeorgjia “do të bëhen anëtarë të NATO-s”, duke ruajtur politikën e dyerve të hapura, që mishërohet edhe në traktatin e saj themelues. Vetë Rusia ka sugjeruar tashmë diçka në këtë drejtim.
Opsioni i dytë është vendosja e një pike të ngjashme në konceptin e ri strategjik të NATO-s, që është planifikuar të miratohet në samitin e Madridit, ose një kombinim i këtyre dy formateve. Kjo nuk do të ofronte garanci ligjërisht të detyrueshme, pasi koncepti strategjik i NATO-s dhe deklaratat e samitit të saj janë dokumente politike, të cilat mund të rishikohen.
Por një deklaratë e tillë në nivelin më të lartë, do t’i jepte mundësi Rusisë të kishte një besim të arsyeshëm se do të ndalej zgjerimi i bllokut. Diplomacia është arti i së mundshmes, dhe në dallim nga të tjerët,ky skenar është i mundshëm të realizohet.
Një marrëveshje për të ndaluar zgjerimin e NATO-s deri në kufirin e Rusisë, pavarësisht nga formati i saj, do të ishte thelbësore. Kjo do të hapte perspektivën e një lloji tjetër marrëdhëniesh për Rusinë me Perëndimin dhe me Ukrainën (si dhe Gjeorgjinë), ndërsa vendeve të NATO-s nuk do t’u kushtonte gjë tjetër veçse një ndryshim në retorikë.
Por për momentin është ende i mundur përshkallëzimi i situatës, për shkak të kërkesave jorealiste që bëhen në afate artificialisht të shkurtra, si dhe për shkak të mungesës së theksit të mjaftueshëm tek diplomacia dhe fokusimit më shumë tek aspekti ushtarak.