Nga Alon Ben-Meir “Emerging Europe”
Samiti për Demokracinë që do ta drejtojë këtë muaj presidenti i SHBA-së Joe Biden, dhe në të cilin do të marrin pjesë një numër i madh vendesh të botës, po mbahet në kohën e duhur dhe është më se i nevojshëm.
Unë personalisht nuk pres që në samit të miratohen disa masa revolucionare dhe të menjëhershme për t’i shpëtuar demokracitë nga erozioni i tyre i shpejtë në kaq shumë vende. Gjithsesi, fakti që një samit i tillë po zhvillohet në këtë moment të caktuar është shumë i rëndësishëm.
Demokracitë në mbarë botën po përballen me sfida të mëdha dhe janë në tërheqje. Udhëheqësit autoritarë po e shfrytëzojnë me dinakëri zhgënjimin dhe polarizimin e thellë të popullatës së tyre ku ka dështuar demokracia.
Edhe demokracia 240-vjeçare në SHBA, u ndodh nën një sulm ogurzi më 6 janar të këtij viti, gjë që tregon se sa e brishtë mund të jetë demokracia, dhe sa e vështirë është për ta mbajtur atë funksionale, duke pasur parasysh etjen e pashuar për pushtet nga liderët me mendësi autoritare. Pavarësisht se sa ide të mira mund dalin atje,samiti duhet të trajtojë më prioritet 3 probleme të tjera.
Së pari, organizata të tilla si Bashkimi Evropian dhe NATO, të cilat bazohen në parimet e demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, nuk duhet të lejojnë shtetet anëtare si Polonia, Hungaria, por dhe një kandidate si Turqia që të shkelin statutet e tyre pa u ndëshkuar.
Së dyti, SHBA-ja duhet që t’i japë fund praktikës së provomimit të sforcuar të demokracisë në çdo vend të botës.
Së treti, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të udhëheqin përmes shembullit të tyre,si dhe të inkurajojnë vendet e tjera që t’i imitojnë ato, duke u ofruar stimuj për të adoptuar parimet demokratike.
Polonia dhe Hungaria
Brukseli ka kohë që gjendet në një përplasje të fortë me Poloninë dhe Hungarinë, udhëheqësit e të cilëve janë bërë abuzues të famshëm të të drejtave të njeriut, duke e sfiduar hapur dhe minuar strukturën ligjore të BE-së, e cila bazohet tek të drejtat e njeriut dhe në sundimin e ligjit.
Në Poloni, Gjykata Kushtetuese vendosi që ligjet polake kanë përparësi në disa fusha mbi ato të unionit, gjë që përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për BE-në, pasi të gjithë anëtarët e saj duhet t’i trajtojnë si supreme ligjet e saj. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi në Parlamentit Evropian:“Ky vendim vë në pikëpyetje themelet e Bashkimit Evropian. Ai është një sfidë direkte ndaj unitetit të rendit ligjor evropian…dhe ka pasoja të rënda për popullin polak…Pa gjykata të pavarura, njerëzit kanë më pak mbrojtje, dhe rrjedhimisht janë në rrezik të drejtat e tyre”.
Në fakt, Polonia po vazhdon që të shkelë rëndë të drejtat e njeriut, duke e kufizuar pavarësinë e medias dhe duke shkelur në mënyrë të jashtëzakonshme të drejtat e grave, komunitetit LGBTQ+ dhe emigrantëve. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që po ndjek kursin e tij të ri drejt demokracisë kristiane joliberale, doli në mbështetje të refuzimit të Polonisë ndaj supremacisë së ligjeve të BE-së.
Ai deklaroi se BE-ja duhet të “respektojë sovranitetin e shteteve anëtare”, a thua se abuzimet e brendshme me të drejtat e njeriut, nuk kanë fare lidhje me kartën e BE-së, e cila i sheh të drejtat universale të njeriut si themelin e unionit.
Ashtu si Polonia, Hungaria nuk mbete prapa në abuzimin me të drejtave të njeriut, presionin ndaj organizatave liberale, refuzimin e emigrantëve, dhe diskriminimin e drejtpërdrejtë të pakicave, në një kohë që po e centralizon pushtetin dhe kontrollin në duart e partisë konservatore në pushtet.
Në një kohë kur lufta midis autoritarizmit dhe demokracisë është kaq intensive, në mos fatale për të ardhmen e demokracive, NATO dhe BE duhet që t’i paralajmërojnë këto vende se janë në prag të dëbimit, në rast se nuk ndryshojnë shpejt praktikën e tyre qeverisëse.
Atyre duhet t’u kërkohet që të rivendosin parimet e demokracisë, duke mbrojtur të drejtat universale të njeriut dhe respektuar sundimin e ligjit. Në të kundërt do ta humbasin anëtarësimin e tyre, dhe do të vuajnë nga pasojat e shkeljeve të tyre.
Turqia
Turqia si një vend anëtar i NATO-s,ka kaluar nën presidentin Recep Tayyip Erdogan çdo vijë të kuqe sa i përket trajtimit të qytetarëve të saj, dhe në marrëdhëniet me aleancën. Shkeljet e të drejtave të njeriut nga Erdogan, shkojnë përtej zbehjes së falimentimit moral.
Që prej grushtit të dështuar të shtetit në korrikun e 2016-ës, Erdogan ka nisur një goditje të fortë kundër popullit të tij, duke burgosur dhjetëra e mijëra njerëz të pafajshëm, përfshirë shumë gra me fëmijët e tyre, duke mbyllur median e lirë, dhe duke ndjekur penalisht kritikët e tij, duke ndërmarrë një luftë të ashpër kundër komunitetit kurd, dhe duke e shndërruar parlamentin në një institucion formal që vetëm noterizon veprimet e tij. Në fakt nga demokracia turke nuk ka mbetur sot asgjë.
Ai e mendon veten si i dërguari i Zotit për të rikthyer “lavdinë” e Perandorisë Osmane. Sa i përket politikës së jashtme, mjafton të citojmë ish-Ministrin e Jashtëm turk, Yaşar Yakış, i cili thotë:“Erdogan e ka humbur prej kohësh besimin e evropianëve. Nuk mungojnë çështjet që shkaktojnë tensione mes BE-së dhe Turqisë, siç është çështja e refugjatëve, e ardhmja e Qipros…shfrytëzimi i hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, ku Turqia është në konkurrencë me Greqinë, Sirinë dhe Izraelin”.
Për më tepër, afrimi i madh i Erdoganit me kundërshtarin kryesor të Perëndimit, presidentin rus Putin, dhe blerja e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400, që e komprometon mbrojtjen e NATO-s, ka ngjallur shqetësime të mëdha midis vendeve anëtare të NATO-s.
Dërgimi i një mesazhi të qartë
Samiti për Demokracinë duhet t’i rikujtojë vetë SHBA-së se ka ardhur koha e heqjes dorë nga çdo përpjekje për të eksportuar formën e demokracisë amerikane në vendet e huaja nëpërmjet përdorimit të forcës. Vietnami, Iraku, Afganistani dhe Libia ofrojnë shembuj të përsosur të dështimeve të Amerikës.
Amerika duhet të tregojë me fjalë dhe me vepra, se përse demokracia është forma më e mirë e qeverisjes për njerëzit, pasi ajo mbron me force të drejtat e njeriut, dhe i ofron pa dallim mundësinë çdo individi që të rritet dhe të përparojë duke punuar shumë dhe duke iu përmbajtur rregullave të ligjit.
Gjatë diskutimeve në samit, Biden duhet të pranojë gabimet e së kaluarës së SHBA-së, dhe t’i dërgojë një mesazh të qartë të gjithë botës se SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë çdo vend, populli i të cilit është i etur për liri dhe demokraci, dhe të ofrojë ndihmë ekonomike dhe teknike, për sa kohë udhëheqësit e tyre i përmbahen plotësisht të drejtave universale të njeriut, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes me pëlqimin e njerëzve.
Kjo vlen edhe për aleatët e SHBA-së. Amerika s’duhet ta injorojë faktin se shumë prej tyre, sidomos në Gjirin Persik, janë regjime autokratike. Në këto raste, SHBA duhet të përdorë fuqinë e saj të butë për t’i joshur që të hapin shoqëritë e tyre.
Është e vështirë të ekzagjerohet rëndësia e të udhëhequrit përmes shembullit. Kryengritja e 6 janarit 2021 në Uashington tregoi sesi mund të minohet demokracia,kur udhëheqësit e zgjedhur të vendit janë autoritarë nga vetë natyra e tyre. Një lider narcisist, si Donald Trump, uria e të cilit për pushtet duket se nuk njeh asnjë kufi, ka sakrifikuar me kënaqësi të mirën e vendit në “altarin”e egos së tij.
Demokracia e Amerikës nuk mund të riparohet nëse ai dhe ata që e ndihmuan nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk përballen me peshën e ligjit. Që të ketë sukses Samiti për Demokracinë, SHBA duhet të bashkëpunojë ngushtë me NATO-n dhe BE-në për të marrë masa konkrete për të ndalur erozionin e demokracive të tyre nga brenda. Në të kundërt, do të jetë e vështirë, në mos e pamundur, që SHBA dhe BE të ndihmojnë në riparimin e demokracive të “sëmura” jashtë orbitave të tyre.