Bashkimi Europian është një prioritet për Malin e Zi dhe faqja e fundit në rrugën e reformave, tha Dritan Abazoviç.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili mori pjesë në konferencën Studime për Evropën Juglindore në Oxford, me temën “Ballkani i Hapur ose Bashkimi Evropian”, duke folur për qëndrimin e shtetit malazez ndaj nismave rajonale, tha se “vendi ynë mbështet fuqishëm çdo lloj bashkëpunimi”, raporton rtcg.
“Për ne BE-ja është prioriteti kryesor dhe ndalesa përfundimtare në rrugën e reformës. Nëse e shikojmë Ballkanin e Hapur si alternativë ndaj BE-së, atëherë nuk jemi për këtë, por nuk jam i sigurt se kjo nismë është në kundërshtim me integrimin evropian. Përkundrazi, çdo lloj bashkëpunimi më i thellë do të dërgonte në reforma më të shpejta. Qëllimi është të punohet për pajtim, por edhe për përmirësimin e standardit të jetesës. Dy shtyllat më të rëndësishme të transformimit të rajonit janë shteti i së drejtës dhe ekonomia”, tha Abazoviç.
I pyetur se si perceptohet ideja e Ballkanit të Hapur në Mal të Zi, Abazoviç u përgjigj se ideja nuk ishte shpjeguar mirë.
“Nëse u thoni njerëzve se kjo është ideja pas projekteve të ‘shtetit të madh’, ata janë logjikisht kundër saj. Por kur u shpjegoni se kjo nuk është realisht e vërtetë dhe se çështja është se ata nuk do të presin më në kufij, se ne do të aplikojmë bashkë për projekte infrastrukturore dhe do të luftojmë më fort krimin e organizuar, atëherë perceptimi ndryshon. Rajoni ka nevojë për besim dhe kjo është e pamundur të ndërtohet nëse shohim armiqësi në çdo gjë”, tha Abazoviç.
Ai përsëriti tezën se është pro promovimit të “frymës europiane”, që do të thotë se kufijtë nuk duhet të ndryshohen, por të bëhen të padukshëm.
Ndryshe, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja-Hercegovina janë shtetet që po kundërshtojnë “Ballkanin e Hapur” ndërkohë pjesë e saj janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.