MENU
klinika

Çfarë konstatoi KLSH

Abuzimi/ 6 zyrtarë të Bashkisë Kurbin paditen në SPAK

22.12.2021 - 11:46

Gjashtë zyrtarë të Bashkisë së Kurbinit janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

KLSH-ja ka ushtruar auditim pranë kësaj njësie vendore për periudhën 01 janar 2019 deri në 30 qershor 2020 dhe ka rezultuar se janë bërë një sërë shkeljesh dhe parregullsish që lidhen me procedurën e prokurimit me objekt ndërtimi i rrjetit të jashtëm e të brendshëm të Ujësjellësit të qytetit të Laçit. Nga verifikimet e bëra, KLSH-ja ka dalë në konkluzionin se procedurat e ndjekura bien në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij.

“Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzimin penal për gjashtë funksionarë të Bashkisë Kurbin për veprën penale ‘Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike’, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal”, njofton KLSHja. Personat e kallëzuar penalisht janë pjesë e grupit të punës së procedurës së prokurimit të projektit për Ujësjellësin e ri të Laçit. Pas kallëzimit të bërë nga KLSHja, SPAK-u pritet të vihet menjëherë në lëvizje për të parë nëse ka elementë të veprës penale siç pretendohet.

Tenderi për ujësjellësin e ri të Laçit, u zhvillua në prill të vitit 2020. Fitues të tenderit ishin një bashkim operatorësh ekonomik, përkatësisht “SENKA” SH.P.K. dhe “EGLAND” SH.P.K. dhe “G.P.G”, “COMPANY” SH.P.K., të cilat u shpallën më 5 maj të vitit të shkuar. Ishin këto kompani që morën pjesë në tender dhe po këto e fituan garën, duke mos pasur skualifikime. Fondi limit për tenderin kap shifrën 365,697,488 lekë pa TVSH. Projekti sipas parashikimeve do të realizohej brenda 24 muajve.

PROJEKTI

Në tërësinë e tij, projekti konsistonte në rehabilitimin tërësor të rrjetit të jashtëm, pothuajse 7 kilometra të ujësjellësit të Laçit, ndërtimin e dy depove të reja, rehabilitimin e depos ekzistuese, rehabilitimin e dy puseve ekzistuese, ndërtimin e një pusi të ri si dhe ndërtimin e pothuajse 70 kilometrave rrjet të brendshëm. Ky investim do të garantojë furnizim 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi në zonën urbane të Laçit me 30 mijë banorë dhe do të bëjë të mundur eliminimin e humbjeve dhe ndotjeve të ujit në rrjet, pajisjen e të gjithë abonentëve me matës si dhe do të reduktojë ndjeshëm kostot e energjisë elektrike duke ndikuar drejtpërdrejt në performancën financiare të Ujësjellësit të Kurbinit. Punimet kanë përfunduar pak kohë më parë dhe ujësjellësi i ri i Laçit është vënë në funksion të plotë, duke i dhënë zgjidhje problematikes së furnizimit me ujë të pijshëm për mijëra banorë të kësaj zone. Shifrat investuar nga buxheti i shtetit për këtë projekt kap shifrën e rreth 500 milionë lekëve. Projekti nisi ndërtimin në prill të vitit të shkuar. Ndërkohë të hënën, Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi se ka paditur në SPAK, dy punonjës të Bashkisë së Dibrës, të akuzuar se kanë abuzuar me tenderin për blerjen e ushqimeve për çerdhet e kopshtet.