Ka ardhur reagimi i parë nga qeveria pas arrestimit nga SPAK të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Pas mbledhjes së qeverisë, teksa zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj po ka qenë duke prezantuar vendimet, është pyetur nga gazetarët edhe për arrestimin e Kokës.
I pyetur nga gazetarët se “A mban qeveria përgjegjësi politike, institucionale e morale për faktin se një sërë ministrish, sipas SPAK, kanë lejuar që kolegu juaj të marrë me një dorë të vetme të marrë rreth 400 milionë dollarë ryshfet?”, numri dy i qeverisë është shprehur shkurtër se “Përballja me drejtësinë është individuale, nuk është as kolektive, as politike”.
Ndërsa pyetjes se “Inceneratorit të Elbasanit nesër i përfundon kontrata me qeverinë dhe sipas kontratës duhet t’i dorëzohet Bashkisë së Elbasanit, në kushtet kur ajo është nën sekuestro, ku do të përfundojnë mbetjet e Elbasanit?”, zv.kryeministri Ahmetaj iu përgjigj: Ka një procedurë të përcaktuar ligjore për gjithë ato që përmendët ju, qoftë dhe për asetin publik, pronë e pushtetit të Elbasanit.