MENU
klinika

Çfarë do të ndodhë më 18 dhjetor?

Artan Fuga analizon situatën: Ditën e shtunë mund të ketë konflikt

16.12.2021 - 16:46

Akademiku Artan Fuga, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të News 24, analizoi situatën e brendshme në Partinë Demokratike, në prag të Kuvendit Kombëtar të thirrur prej kryedemokratit Lulzim Basha.

Vajtjen e Komisionit të Rithemelimit, me në krye liderin historik Sali Berisha për të zhvilluar mbledhjen e tyre në selinë blu, Fuga e cilësoi si dhënien e një mesazhi për bazën se “autoritetin dhe vendimet i kemi ne”.

Nga ana tjetër, mbrojtjen e bërë ndaj godinës nga kreu i partisë Lulzim Basha, Fuga e cilësoi si dhënien e mesazhit për mbështetësit se degët e PD-së në bazë duhet të qëndrojnë të mbyllura për të refuzuar referendumin e 18 dhjetorit.

Në këto kushte Fuga u shpreh se situata është shumë delikate dhe mund të ketë përplasje mes dy grupeve. Ndaj ai apeloi për qetësi dhe që zgjidhja të gjendet te forca e numrave.

“Jemi ne në një gjendje kontradiktore dhe kriza është se askush mund të dalë përtej që ta zgjidhë. Këto quhen situata të këqija pasi në gjendjen e sotme nuk kanë dot një zgjidhje. Zoti Berisha loz me kartën e demokratizimit përmes votës së militantëve, ndërsa Basha loz letrën e mbështetjes amerikane. Së pari duhet pritur e shtuna, pasi zoti Basha edhe pse thotë se është një vendim i marrë ai ka mbledhur Kuvendin. Dhe në këtë moment do të thotë që dhe ai ka pranuar logjikën e vendimarrjes nëpërmjet bazës. Të dy palët kanë pranuar këtë gjë dhe nuk ka më vend që ne nga jashtë të themi kush ka të drejtë, kur aty do të jetë një balllafaqim forcash. Nëse çështja do të shkojë në gjykatë vendimi do të duket pas të dielës. Së pari gjykata do të vendosë në bazë të numrit të delegatëve në të dy Kuvendet dhe autenticitetin e fakteve që ai delegat ka qenë në atë Kuvend. Ne nuk mund t’i dimë sot, por mund të kemi një përgjigje të dielën. Nëse Kuvendi i 11 dhjetorit shpallet i paligjshëm, atëherë s’ka vlerë asgjë, nëse ai shpallet i ligjshëm, referendum i 18 Dhjetorit është i qartë çfarë pasojash do të ketë.

Ajo që ndodhi në selinë blu janë shkumëra që nuk kanë asnjë vlerë. Ato nuk kanë asnjë vlerë në aspektin juridik. Komisioni i Rithemelimit duke shkuar në seli dhe duke kërkuar të zhvillojë mbledhjen e tij, do të tregojë që është e drejta e vetë dhe unë do të thosha që nuk mund t’ia mohosh militantëve të partisë dhe anëtarëve që kanë një mendim ndryshe të bëjnë një mbledhje për sa kohë ata nuk janë përjashtuar nga partia. Ata shkuan se duan të tregojnë se nuk njohin asnjë prioritet të zotit Basha në raport me ta.

Është një sinjal nga të dyja palët për ti dhënë partisë në bazë më datë 18, nga njëra anë Komisioni i Rithemelimit do t’i jap mbështetësve mesazhin që nuk ka tjetër autoritet, por janë ata që mund të vendosin, nga ana tjetër Basha me mbrojtjen e selisë së PD-së do të japë mesazhin që pushtetin legjitim e ka ai dhe tu thotë degëve në bazë që duhet të qëndroni të mbyllura në referendumin e datës 18. Gjë që mund të sjellë ditën e shtunë konflikte që duhet të evitoheshin me çdo kusht”, tha Fuga.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN