MENU
klinika

Hetuesit: Autori, i maskuar, aktivizoi tritolin...

Atentati në Vlorë/ Çfarë fiksuan kamerat e sigurisë

21.12.2021 - 12:21

Kamerat e sigurisë në pallatin ku banonte 34-vjeçari, Indriti Sabedini, duket se nuk i kanë dhënë shumë hetuesve për të identifikuar personin që i vuri tritolin në derën e garazhit.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Vlorës, duke lënë të plagosur rëndë Sabedinin, kamerat e sigurisë së bizneseve aty pranë, të cilat janë sekuestruar nga Policia, kanë zbërthyer dinamikën e atentatit, që synonte të eliminonte 34-vjeçarin.

AUTORI, I MASKUAR

Pas këqyrjes së pamjeve të memorizuara nga kamerat e sigurisë në lagjen “10 Korriku” pranë Lungomares, hetuesit kanë arritur të pikasin një person, i cili ka vendosur sasinë e tritolit pranë portës hyrëse të garazhit.

Sipas hetuesve, rreth 15 minuta përpara se të ndodhte shpërthimi, një person me kapuç në kokë ka kaluar aty pranë dhe ka hedhur një pako, duke e mbuluar me një karton që të mos binte në sy.

Pasi ka vendosur tritolin pranë vendit të paracaktuar, autori është larguar qetësisht nga vendi i ngjarjes, me sa duket duke pritur në distancë që të dilte nga banesa Sabedini dhe të shkonte pranë garazhit për të marrë automjetin e tij. Kjo ngre dyshime tek hetuesit, se autori mund të ketë pasur dijeni se 34-vjeçari do të dilte nga banesa, një nga apartamentit në pallatin ku ndodhi shpërthimi.

Pasi Sabedini ka shkuar pranë garazhit, sasia prej rreth 400 gramë tritol ka shpërthyer, duke i shkaktuar dëme të shumta veçanërisht në pjesën e këmbëve.

Pasi u transportua me urgjencë për në Spitalin e Vlorës ku mori ndihmën e parë mjekësore, Sabedini u transportua me urgjencë drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë. Burime bëjnë me dije se është parë një person që ka lëvizur në zonë disa herë me motor dhe i maskuar me kapuç.

Personi që ka lëvizur me motor është parë, duke ecur në këmbë 15 minuta para se të ndodhte shpërthimi, duke hedhur në tokë një send të dyshimtë të mbuluar me karton. Burimet bëjnë me dije se autori dyshohet se ka shpërthyer në distance dhe ka pasur pamje vizive. Policia po mbikëqyr edhe ambiente të tjera dhe kamera përreth zonës për të parë lëvizjet e mundshme te autorit.

HETIMET

Policia e Vlorës ka shoqëruar 6 persona pas atentatit, por edhe gjatë ditës së djeshme për t’u marrë në pyetje në lidhje me atentatin.

Ata janë shoqëruar si persona që mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjen. Burimet bëjnë me dije se asnjëri prej tyre nuk ka dhënë ndonjë fakt domethënës që mund të hedhë dritë në zbardhjen e autorit që vendosi tritolin.

Ata janë pyetur gjithashtu për lëvizjet e personave në zonë para dhe pas shpërthimit. Edhe gjatë ditës së djeshme, ekspertët e kriminalistikës pranë Policisë së Vlorës kanë shkuar në vendin e ngjarjes, duke këqyrur nga afër perimetrin e zonës përreth.

Atentati ndaj 34-vjeçarit, i cili nuk është i pari i këtij lloji, dyshohet të jetë bërë me tritol në mënyrë të telekomanduar. Nga mënyra e organizimit, atentatori dyshohet se ka qenë pranë vendit të ngjarjes, duke këqyrur shënjestrën dhe më pas ka shtypur butonin që ka sjellë edhe shpërthimin e fuqishëm.

Dyshohet se në atentat u përdor një sasi prej rreth gjysmë kilogramë lëndë plasëse, duke shkaktuar shpërthimin e fortë, si dhe duke shkatërruar betonin në portën hyrëse të parkingut dhe murin mbrojtës.

I druhej një atentati, 34-vjeçari lëvizte me automjet të blinduar

Indrit Sabedini, i cili ishte shënjestër e një atentati me tritol pranë banesës së tij në Vlorë, i druhej një ekzekutimi të mundshëm. Për këtë arsye, ai udhëtonte me një automjet të blinduar tip “Audi”, me të cilën kishte vite që qarkullonte.

Madje, pak muaj më parë, policia e Vlorës i ka bllokuar automjetin për verifikime dhe ende nuk është tërhequr nga ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Pavarësisht kësaj, Sabedini lëvizte me një tjetër automjet të blinduar. Ndërkohë, ai ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë prej mbrëmjes së të dielës, pasi mbeti i plagosur rëndë. Sabedini ka pësuar hematoma të shumta veçanërisht në pjesën e gjymtyrëve të poshtme, por fatmirësisht ka arritur të mbijetojë.

Ai nuk është marrë ende në pyetje nga hetuesit në lidhje me atentatin. Nuk dihet nëse 34- vjeçari do t’i qëndrojë dëshmive të dhëna 4 vite më parë kur zbuloi një tjetër lëndë eksplozive pranë makinës së tij, gati për shpërthim por që fatmirësisht u pikas në kohë.

Në atë kohë, Sabedini tha se nuk kishte dijeni se kush mund ta kishte vendosur tritolin dhe se nuk kishte konflikte me askënd.

Indrit Sabedini, babai i një fëmije, nuk ka precedentë penalë

Indrit Sabedini është i martuar dhe është babai i një fëmije të vogël. Përveç një procedimi penal për “Moskallëzim” për një vrasje të ndodhur në lokalin e tij 4 vite më parë, 34-vjeçari nuk rezulton të jetë person me precedentë penalë.

Ndaj, hetuesit janë përqendruar te pista e hetimeve për konflikte jashtë vendit, ku ka jetuar për pak vite.

Një tjetër pistë, është ajo e konflikteve të mundshme me persona të tjerë, ndërsa hetuesit nuk përjashtojnë edhe pistën e prishjes së pazareve të drogës. Periudha prej katër vitesh kur edhe u organizua një tjetër atentat ndaj tij, nuk i ka ndihmuar hetuesit për të zbardhur ngjarjet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë