MENU
klinika

"Nuk duhet të ndodhë në botën e sotme..."

Biden qetëson Ukrainën mes frikës së një pushtimi rus

12.12.2021 - 09:03

Presidenti Joe Biden po kërkon të sigurojë Ukrainën se strategjia e tij për të parandaluar një pushtim ushtarak rus do të funksionojë, mes tensioneve të vazhdueshme mbi një grumbullim masiv të trupave ruse përgjatë kufirit të tyre të përbashkët. ​

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po merr pjesë në Angli në takimin e G-7 që po mbahet në Liverpul, mes shqetësimeve për një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia.

Ndërkohë presidenti Joe Biden foli të enjten me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy për ta informuar në lidhje me bisedën telefonike në fillim të javës me presidentin rus Vladimir Putin.

SHBA dhe aleatët evropianë po shtojnë përpjekjet diplomatike për të bindur presidentin Putinin të tërhiqet nga planet e mundshme për të pushtuar Ukrainën, ndërsa rreth 100 mijë trupa ruse janë të grumbulluara pranë kufirit.

Zoti Putin thotë se ushtria ruse nuk ka plan të sulmojë askënd, por sipas tij afrimi i tepërt i Ukrainës me NATO-n përbën një kërcënim dhe Rusia rezervon të drejtën për të mbrojtur sigurinë e saj. Presidenti ukrainas në një postim në rrjetin social Twitter tha se gjatë bisedës me zotin Biden u diskutua për mënyrat për të zgjidhur konfliktin me separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin e Donbasit të Ukrainës, ku janë vrarë më shumë se 14 mijë njerëz.

Në një konferencë shtypi të enjten në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se presidenti rus Vladimir Putin po kërkon të përmbysë rregullat e rendit ndërkombëtar.

“Nuk mund të ripërcaktohen kufijtë me forcën e armëve. Nuk duhet të ndodhë në botën e sotme”, theksoi ai.

Ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, Bill Taylor i tha Zërit të Amerikës tani është radha e zotit Putin për të bërë një tërheqje dhe të zhvillojë bisedime për sigurinë në Evropë.

“Nëse ai dëshiron të flasë për sigurinë në Evropë kjo është një shenjë e mirë. Ne do të flasim për këtë për sa kohë që ukrainasit janë atje, për sa kohë që evropianët janë atje, sepse ata janë pjesë e këtij diskutimi. Por këto biseda nuk mund të fillojnë derisa Presidenti Putin të ulë armën. Nuk mund të negociosh me dikë me armë në kokë”, tha ish-ambasadori amerikan në Ukrainë.

Zoti Taylor tha se ukrainasit janë ende shumë të shqetësuar nga prania e ushtrisë ruse në kufijtë e tyre dhe nga deklaratat e presidentit rus që thotë se Ukraina nuk është një komb i pavarur.