Reshjet intensive të shiut kanë dëmtuar rëndë një nga akset rrugore të Ishmit në bashkinë e Durrësit.
Për shkak të dëmeve në aksin Lalëz-Draç është bllokuar qarkullimi i mjeteve për çështje të sigurisë. Ndërkohë intensiteti i lartë i shirave, në territorin e bashkisë së Durrësit ka rritur nivelin e prurjeve të lumenjve dhe kanaleve kulluese kryesore, dytësore dhe të treta, duke shtuar rrezikun nga përmbytjet e banesave dhe tokave përgjatë tyre.
Sipas mbrojtjes civile, në Sukth është rritur niveli i lumit Erzen duke arritur kuotat maksimale pranë argjinaturave të ngritura pas investimit të bashkisë për parandalimin e përmbytjeve.
Edhe në Katund të Ri raportohet se rrezikohet përmbytja në disa zona të banuara pranë lumit Erzen duke rrezikuar tejkalimin e barrierave mbrojtëse.
Në Ishëm, ka rrëshqitje dherash si dhe dëmtim të rrugëve kryesore, siç është aksi Lalëz-Durrës, ku është bllokuar qarkullimi pasi rruga ka pësuar dëmtime të rënda si rezultat i reshjeve te shirave.
Strukturat vendore raportojnë se janë në gatishmëri për ndërhyrjen në çdo situatë të mundshme, ndërsa parashikojnë se në rast se reshjet do të vazhdojnë me intensitet të lartë do të ketë përmbytje të zonave të banuara, banesave dhe pasurive të ndryshme.