MENU
klinika

Shteti i tretë që merr të njëjtin vendim

Çekia do të vendosë 150 ushtarë në kufi mes Polonisë e Bjellorusisë

09.12.2021 - 09:59

Qeveria çeke ka miratuar më 8 dhjetor shpërndarjen e së paku 150 ushtarëve të saj në kufirin me Bjellorusinë, për të ndihmuar Poloninë në frenimin e valës së emigrantëve nga Bjellorusia.

Sipas këtij plani të qeverisë, që pritet të miratohet, Çekia do të bëhet shteti i tretë që dërgon ushtarë në kufirin mes Polonisë e Bjellorusisë, shkruan Reuters.

Më herët këtë e bënë, Estonia dhe Britania e Madhe.
“Qeveria miratoi dërgimin e trupave për mbrojtjen e kufirit mes Polonisë e Bjellorusisë” shkroi ministri çek i Mbrojtjes në Twitter.

Ditëve të fundit megjithatë ka rënë numri i emigrantëve nga Lindja e Mesme të cilët tentojnë të kalojnë nga Bjellorusia në Poloni, ndërkaq roja kufitare polake më 7 dhjetor njoftoi se ka evidentuar 51 tentime.

Polonia ka akuzuar shërbimet inteligjente bjelloruse për ndihmë emigrantëve për të kaluar kufirin dhe për të provokuar trupat polake, derisa Minsku e mohoi këtë.

Bjellorusia po ashtu mohon akuzat e Bashkimit Evropian që ka shkaktuar krizën me emigrantë si hakmarrje ndaj sanksioneve të Perëndimit, të cilat u vendosën ndaj Bjellorusisë për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut pas zgjedhjeve presidenciale në vend.