MENU
klinika

Amerika jo…

Çfarë mund ta rrëzojë regjimin e Iranit?

29.12.2021 - 10:00

Nga Roshanak Astaraki “Worldcrunch

Më 26 nëntor, autoritetet iraniane i shtypën më dhunë protestat në qytetin Isfahan dhe rrethinat e tij, të cilat denoncuan për 2 javë me radhë menaxhimin e dobët të ujit nga autoritetet shtetërore. Por ndërsa protesta të tilla janë në thelb politike, dhe pasojë e 4 dekadave paaftësi kriminale nga ana e Republikës Islamike, fermerët dhe banorët vendas

po kërkonin në mënyrë specifike të drejtën e tyre për ujë.

Trazirat e nëntorit në Isfahan, ishin pjesë e një vale të fundit protestash kundër një elite qeverisëse të urryer nga shumica e popullit. Qeveria aktuale, e udhëhequr nga Ebrahim Raisi, ka qenë në pushtet që nga gushti i këtij viti. Por protestat e kanë përfshirë vendin që nga viti 2017.

Irani është një nga rajonet me më shumë probleme në botë sa i përket furnizimin me ujë.

Në këtë rast, fermerët protestuan në mënyrë paqësore dhe civile në shtratin e lumit Zajanderud, që tashmë është tharë për shkak të thatësirës por edhe devijimit të tij.

Por qeveria iraniane nuk mund ta toleronte atë revoltë. Ajo u kundërpërgjigj me shkopinj dhe plumba gome. Rezultati ishte një “e premte e përgjakshme” për Isfahanin me qindra njerëz të arrestuar dhe të plagosur.

Ndërsa nuk ka shifra të sakta për arrestimet, raportet nga njerëzit në terren dhe grupimet e të drejtave, tregojnë se më shumë se 250 persona janë futur ne burg, ndërsa 40 mund të kenë pësuar lëndime të pariparueshme në sy, pasi u qëlluan në fytyrë me plumba gome.

E megjithatë reagimi i opinionit publik ka mbetur i moderuar, duke marrë formën e fushatave online për të denoncuar dhunën e shtetit, dhe për të shprehur mbështetjen për protestuesit dhe të plagosurit. Fushata nisi pasi nëna e Pejman Qolipur dhe Navid Behbudi, dy të rinjve të vrarë në protestat e nëntorit 2019, mbuluan sytë me fasho në shenjë simbolike në mbështetje të popullit të Isfahanit.

Disa regjisorë, aktorë dhe nëna të protestuesve u janë bashkuar me guxim fushatës, pavarësisht raprezaljeve të mundshme. Ky regjim është më i brishtë se kurrë më parë, dhe kjo ndër të tjera edhe për shkak të mungesës së efikasitetit strukturor, mungesës së mbështetjes së gjerë dhe izolimit ndërkombëtar.

Dy dekada më parë, regjimi shpalli një listë “reformash”, që synonte të gjallëronte disi frymën e revolucionit, dhe të zgjaste ditët në pushtet të elitës kleptokrate. Abuzimi i paturpshëm me terma të tillë si “sovraniteti popullor” dhe “dialog midis qytetërimeve”, ky i fundit i prezantuar nga ish-presidenti Mohammad Khatami, e ka shndërruar në një tallje vetë idenë e reformizmit në Iran.

Madje brezat e rinj e përdorin fjalën “reformist” si një fyerje për një njeri mashtrues, ashtu siç janë politikanët, që për më shumë se 20 vjet u bënë shumë premtime iranianëve, vetëm për t’u marrë votat, ndërsa vendi po shkonte drejt rrënimit.

Nëse ky regjim butaforik do të nxirrte një president tjetër “reformist”, ai me siguri mund të presë disa milionë mallkime dhe jo vota. Që nga viti 2017, protestuesit iranianë kanë brohoritur “Game Over” (Loja ka mbaruar!) si ndaj reformistëve, ashtu edhe për kundërshtarëve të tyre konservatorë.

Duke refuzuar të votojnë në zgjedhjet e këtij viti, ata praktikisht i turpëruan të dyja fraksionet sot në pushtet. Abstenimet ishin shumë më të mëdha në numër, sesa votat që u gjendën në kuti për presidentin e zgjedhur, që etiketohet shpesh si “Gjykatësi i Vdekjes”.

Prej muajsh iranianët e thjeshtë janë tallur me reformistët, duke i cilësuar ata si “fraksioni i 3 përqindëshit”. Dhe ky është një reagim i butë nëse kihen parasysh termat që reformistët dhe konservatorët kanë përdorur për iranianët e zakonshëm, si rebelë, parazitë apo “agjentë të të huajve”.

Atyre u pëlqen ta quajnë si “pastrim të rrugëve” shtypjen e dhunshme të protestave. Në rast se njerëzit vazhdojnë t’u rikthehen protestave, kjo ndodh sepse ata e dinë se reformat në Iran nuk kanë më asnjë kuptim.

Ndërsa terrori ka qenë një mjet i përdorur nga Republika Islamike që nga themelimi i saj në vitin 1979, ai mund të mos jetë më aq efektiv sa dikur. Prej disa kohësh, qytetarët janë treguar shumë kurajozë, dhe ky mund të jetë “mjeti” për ta dërguar regjimin drejt greminës.

Në protestat e viteve të fundit, ata janë dëgjuar duke bërtitur “S’kemi asgjë për të humbur!”. Një video që po qarkullon në internet kohët e fundit, tregoi një punonjës të bashkisë në Khorramshahr, një qytet-port në lindje të vendit, që thoshte se nuk kishte mundësi t’i blinte vajzës së tij as tortën më të thjeshtë për ditëlindjen e saj.

Autoritetet komunale e mohuan që punonjësit e tyre të hasnin kaq shumë vështirësi në jetën e përditshme, duke pretenduar se njeriu i quajtur Fuad Saadipur, nuk punonte për ta. Por Saadipur postoi në Instagram foto të vendit të tij të punës në administratën shtetërore, duke thënë se nuk i interesonte nëse do të pushohej nga puna, pavarësisht se kishte disa muaj që nuk merrte rrogën.

Një konsensus që po merr formë në mesin e iranianëve, është se ata mund të mbrojnë të drejtat e tyre vetëm me protesta dhe solidaritet mbarëkombëtar. Ky solidaritet ishte më se i dukshëm kur punëtorët e fabrike protestuan duke bërë thirrje për lirimin e mësuesve të ndaluar nga policia, apo kur mësuesit që protestonin në provincën veriore të Golestanit më 2 dhjetor, fashuan sytë në shenjë solidariteti me protestuesit e plagosur në Isfahan.

Regjimi i klerikëve i druhet shumë përmasave të mundshme të këtij solidariteti. Frika e tij është shumë e dukshme në reagimet që ka pasur. Në Isfahan, autoritetet vendosën një shtetrrethim në shtratin e lumit Zajanderud, për të penguar publikun të mbante lutjet fetare atje, diçka kjo e kërkuar nga protestuesit.

Gjyqtarët në Isfahan i paralajmëruan njerëzit të mos mblidheshin atje, dhe u bënë thirrje atyre të denonconin në polici cilindo të “dyshuar”. Vetëm 6 ditë pas shtypjes së këtyre protestave, mijëra mësues demonstruan në 60 qarqe, përfshirë në Isfahan, pavarësisht kërcënimeve nga zyrtarët.

Që të vazhdojë të sundojë siç ka bërë për 40 vjet, regjimit i duhet t’i përçajë iranianët. Në fakt, a nuk është shpërndarja e pabarabartë e investimeve në rajone, përpjekja e tij e fshehtë për të vënë kundër njëri-tjetrit grupimet rajonale dhe etnike? Regjimit teokratik i pëlqen që të luajë me nevojat dhe problemet personale

Por ndërsa njerëzit përballen me problemet personale dhe financiare, përvoja ka treguar se ata e dinë tanimë se rrënja e kaq shumë problemeve, pavarësisht nga elementët socio-ekonomikë, gjeografikë apo kulturorë, është vetë Republika Islamike. Dhe hapi i parë dhe i vetëm drejt zgjidhjes është rezistenca ndaj tij bazuar në solidaritetin mbarëkombëtar. /