Presidenti i Francës Emmanuel Macron veçoi sot Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet e Presidencës së ardhshme franceze të Këshillit të BE-së në gjysmën e parë 2022.
Në një konferencë për shtyp në Paris, Macron tha se një perspektivë e qartë evropiane e Ballkanit Perëndimor, investimi në unitetin e rajonit dhe ambiciet e përbashkëta të BE-së dhe rajonit janë ato që duhet punuar në periudhën e ardhshme.
“Ballkani Perëndimor është më shumë se një lagje. Ballkani është zemra e Evropës”, tha Macron.
Duke paraqitur prioritetet e Presidencës franceze të BE-së, Macron deklaroi se Ballkani Perëndimor sot është sërish i mbushur me tensione dhe vuri në dukje se BE-ja ka një përgjegjësi të veçantë kur bëhet fjalë për këtë rajon.
“Duhet të ndjekim një politikë ri-angazhimi dhe investimi për integrimin ekonomik të këtij rajoni. Ne duhet të luftojmë kundër manipulimeve të disa fuqive rajonale që duan të destabilizojnë Evropën përmes Ballkanit. Puna politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor është punë për sovranitetin e Evropës”, tha Macron.
Presidenti francez paralajmëroi gjithashtu se në 50 vjet nuk do të jetë e mundur të flitet për një “Evropë të paqes” nëse Ballkani Perëndimor “lihet në situatën në të cilën është tani”.