MENU
klinika

"Sa keq që nuk u vaksinova"

Çomo tregon mesazhin prekës të një 30-vjeçari që ndërroi jetë nga Covid-19

23.12.2021 - 12:07

Shefja e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive QSUT Najda Çomo bëri me dije se 90 për qind e shtrimeve në spital janë persona të pavaksinuar. Në mbledhjen e sotme të Komitetit Teknik Çomo përmendi mesazhin e fundit të një të riu 30-vjeçar që humbi jetën pasi nuk ishte vaksinuar.

“Një informacion të shkurtër për shtrimet në spitalet Covid-1 dhe Covid-3, numri është në gjendje të qëndrueshme, 140 pacientë, plus, minus në disa periudhe. 20 për qind të shtrimeve janë forma të rënda. Pjesa e grupmoshës së prekur në spital është nga mosha 19 deri mbi 90 vjeç. Cila kategori e njerëzve janë të shtruar në spital? Pjesën madhore e zënë personat e pavaksinuar, në 90 për qind të rasteve. Rastet e shtrimeve në spitale u takojnë qyteteve si Tirana, Fieri, Berati, Durrësi. Në moshat mbi 65-vjeçare është shumë e rëndësishme doza e tretë se është një armë e rëndësishme për mbrojtjen e njerëzit. Dua ta mbyll me mesazhin e një djali 30-vjeçar që ka ndërruar jetë para pak ditëve, që disa orë para se të ndërronte jetë tha: Sa keq që nuk u vaksinova! Besoj që fjala e Kleivisit vlen për shumë të rinj që të vrapojnë të vaksinohet”, tha ajo.

Ndërkaq, Silva Bino bëri me dije se ka një rritje të vaksinimit, qoftë në dozat e para dhe të dytë, ashtu edhe ato të treta.

“Kemi një rritje në përqindjet e vaksinimit në dozat e para, të dyta dhe të treta, në dy javët e fundit. Mbulimi i përgjithshëm po arrin në 40 për qind në popullatën e përgjithshme. Aktualisht mbizotëron vaksina Pfizer mbi atë Coronavac, dhe natyrisht AstraZeneca. Përqindje të lartë në vaksinimin ka pësuar Tirana që është mbi 57 për qind, dhe kemi bashki mbi 80 për qind si Saranda dhe Himara. Ka edhe disa bashki me nivele të ulëta vaksinimi me të cilat po punohet. Vihet re që kemi besueshmëri tepër të lartë të popullatës te personeli shëndetësor. I cili shikohet si burimi më i besueshëm për vaksiniminin. Vihet re një rritje e dozave të treta, që është tejet e rëndësishme si masë për parandalimin e variantit Omicron në vend. Vaksinimi ndaj gripit po ecën jashtëzakonisht mirë dhe kemi një përdorim të lartë të vaksinës”, tha Bino.