MENU
klinika

"Mohoi dhe lidhjet familjare për “Gërdecin”"

Darkë me Bashën?! Balla: Asnjëherë në jetën time, Sali Berisha vetëm ka gënjyer në 30 vite

27.12.2021 - 13:22

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, sqaroi deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha se ai ka konsumuar një darkë me kreun e PD, Lulzim Basha, ku i pranishëm sipas ish-liderit demokrat, ka qenë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Balla mohoi që të jetë takuar me Bashën, duke thënë në një komunikim me gazetarët se kurrë nuk ka konsumuar darkë me të, ndërsa shtoi se i vetmi vend ku do të takohet me kryedemokratin do të jetë gjykata.

Pyetje: A ka vazhduar komunikimi me opozitën për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, pavarësisht zhvillimeve në PD? A ka qenë kjo temë diskutimi me Bashën, në darkën ku ka qenë dhe Veliaj?
Balla: Komunikimi me Bashën është shumë institucional. Secila prej palëve mbron qëndrimin politik të grupit të vet parlamentar. Komunikimi për ngritjen e këtij komisioni ka vazhduar. Është dakordësuar përbërja, anëtarët, objekti në tërësi. Ne vazhdojmë të insistojmë se busulla e këtij raporti duhet të jenë raportet e ODIHR. Besoj se shinat mbi të cilat të ngrihet ky komision janë tashmë dhe sesioni i ardhshëm do jetë një sesion ku ne do të kemi një punë shumë intensive, në çuarjen përpara të reformës zgjedhore, e cila duhet të jetë gati shumë kohë më para zgjedhjeve vendore të 2023.

Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, e para dua të sqaroj që asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në një darkë me Bashën. Ajo që është thënë nga Sali Berisha është vetëm një rishfaqje e 30-vjetëve të Sali Berishës, i cili vetëm me gënjeshtra, shpifje e mashtrime ka lënë gjithë trashëgiminë e vet politike. Është e pakuptimtë për Shqipërinë që për një person të shpallur “non grata” të vazhdojë të marrë vëmendje publike në këtë vend. Mendoj se SHBA shpalljen “nopn grata të Berishës e kanë bërë mbi bazë faktesh, por edhe si nevojë për të çliruar së pari PD, por edhe Shqipërinë, nga gjithë negativiteti i Sali Berishës në këto 30 vite.

Jo vetëm e kam përshëndetur shpalljen “non grata” të Sali Berishës, por kërkoj që institucionet e drejtësisë në vendin tonë të bëjnë detyrën, sa i përket hetimeve ndaj këtij individi, që mendon se vetëm me shpifje, madje më rëndë se kaq me kepërdorimin për nevoja politike edhe të fatkeqësive familjare të shumë familjeve. Rasti në fjalë ka qenë një vizitë në një familje të një miku, që për mua është i vyer, dhe që kemi rastisur me shumë njerëz të tjerë. Nekrofilia e ka shoqëruar Sali Berishën gjithë këto vite. Janë të shumta rastet në këto 30 vite, kur Sali Berisha ka mohuar dhe lidhjen familjare, kur i është dashur, si me rastin e Gërdecit, ndërkohë që ka përdorur mish për top për politikën e tij shumë raste të tjera familjare. Sqaroj se i vetmi takim i imi me Lulzim Bashën do jetë në gjyq për shpifje.