MENU
klinika

Gjobat për fiskalizimin

Dhoma Amerikane: Të shtyhen deri në fund të vitit 2022

21.12.2021 - 12:16

Ekspertët e Komitetit të Taksave dhe Doganave në Dhomën Amerikane janë takuar me kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Ceno Klosi, për të diskutuar mbi çështje teknike të zbatimit të procesit të fiskalizimit, duke kërkuar me forcë shtyrjen e afatit të zbatimit të penaliteteve që fillojnë nga 1 janari për bizneset që nuk kanë bërë procesin e fiskalizimit.

Afati i ri i propozuar është deri në fund të vitit 2022, ndërkohë që një tjetër kërkesë është shtyrja e periudhës tranzitore që lejon deklarimin manual në “e-filing” të librit të shitjeve dhe blerjeve.

SHIFRAT

Sipas të dhënave nga tatimet, deri më 14 dhjetor janë fiskalizuar 60,000 subjekte dhe janë lëshuar 130 milionë fatura të fiskalizuara. Në total kanë aplikuar dhe janë pajisur me certifikatë elektronike në të gjithë vendin 89,000 subjekte. Të fiskalizuar dhe që lëshojnë fatura të fiskalizuara rezultojnë 42% e bizneseve të vogla në vend, ndërsa të pajisur me certifikatë elektronike janë 71% e biznesit të vogla. Brenda 2021-shit fiskalizimi mbyllet i plotë për biznesin e madh.

Sipas tatimeve nga totali i 25,392 bizneseve të mëdha aktive, janë fiskalizuar 86% e tyre. Kanë mbetur të pafiskalizuar 3,300 subjekte. Pak ditë më parë, në takimin me temë “Fiskalizimi, mundësitë, sfidat dhe vështirësitë” të organizuar nga Departamenti i Kontabilitetit në Fakultetin e Ekonomisë, drejtori i përgjithshëm i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, deklaroi se është duke u shqyrtuar mundësia e shtyrjes edhe për disa muaj të periudhës pa penalitete vetëm për biznesin e vogël dhe bizneset utilitare të shërbimit. Lera tha se për pjesën tjetër të bizneseve nuk pritet që aplikimi i gjobave të nisë që nga janari 2022, pasi qasja e administratës tatimore është e bazuar tek ofrimi i ndihmës ndaj sipërmarrjes, me qëllim realizimin e kësaj reforme.

Kreu i politikave fiskale në MFE theksoi vështirësitë që po hasen gjatë zbatimit të procesit, por ai garantoi se brenda 2022- shit problematikat e shfaqura do të zgjidhen nëse palët bashkëpunojnë mes tyre. Gjatë takimit u trajtuan edhe çështje të tjera, si aksesi në platformën qendrore të faturave; fiskalizimi i importeve; dublikimi i faturave të shitjes; lëshimi i faturave korrigjuese për faturat e lëshuara më parë; rishikimi dhe rregullimi i librave të TVSH-së në platformën qendrore të faturave; nevoja për një manual mbi llojet e proceseve, faturave, pagesave, gabimeve etj; si dhe nevoja për ndryshime ligjore në aktet nënligjore mbi fiskalizimin me qëllim sqarimin e problematikave.