MENU
klinika

Pse po përhapet kaq shpejt varianti i ri

Dozat përforcuese, kyçe për të luftuar Omicron

22.12.2021 - 11:43

Variantit të ri të koronavirusit, Omicron iu deshën vetëm disa javë që të përmbushë parashikimet lidhur me atë se sa ngjitës është, por shkencëtarët ende nuk e dinë nëse ky variant shkakton sëmundje më të rëndë, teksa bota po përballet me një valë të re të infektimeve pak para Krishtlindjeve.

“Gjithçka është më e rrezikshme tani sepse Omicroni është më ngjitës”, tha Wesly Long, që drejton laboratorin e testimeve në një spital në Hjuston.

Omicroni tani është variant dominues në Shtetet e Bashkuara, thanë më 20 dhjetor zyrtarët shëndetësorë amerikanë, pasi tri e katërta e infektimeve të reja javën e kaluar ishin me këtë variant.

Shpejtësia me të cilën po përhapet Omicroni, duke ia kaluar edhe variantit shumë ngjitës Delta, po habit zyrtarët shëndetësorë. Për tri javë, 80 për qind e rasteve të reja simptomatike që janë detektuar nga Spitali i Hjustonit janë me variantin Omicron.

Sipas Long, variantit Delta iu deshën tri javë që të arrinte këtë nivel të infektimeve.

Aftësia e Omicronit për t’u përhapur më shpejt dhe për t’iu shmangur imunitetit të fituar erdhi në një kohë të keqe, pikërisht në kohën kur udhëtimet u rritën dhe shumë njerëz humbën vigjilencën e tyre karshi pandemisë. Por, çfarë do të thotë për botën kjo valë e Omicronit është ende e paqartë, pasi ka shumë pyetje që ende mbeten pa përgjigje.

Më poshtë mund të lexoni se çfarë dihet deri më tani për këtë variant dhe cilat janë të panjohurat.

Sa mbrojtje ofrojnë vaksinat?
Vaksinat kundër koronavirusit që përdoren në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, nuk ofrojnë aq shumë mbrojtje ndaj Omicronit, siç ofrojnë ndaj varianteve paraprake të koronavirusit. Vaksinat, megjithatë ndihmojnë shumë. Rezultatet laboratorike tregojnë se të paktën dy doza të vaksinës mund të mos jenë të mjaftueshme për të parandaluar infektimin, por një dozë përforcuese e kompanisë Pfizer apo Moderna, prodhon antitrupa që e luftojnë virusin, mjaftueshëm sa për t’iu kundërvënë Omicronit.

Nivelet e antitrupave bien pas një kohe dhe marrja e një doze përforcuese bën që nivelet të ngrihen sërish. Nëse një person merr dozë përforcuese Pfizer, atëherë niveli i antitrupave rritet për 25 herë, ndërkaq nëse doza është e Modernas, niveli i antitrupave rritet për 37 herë.

Megjithatë, askush ende nuk e di saktë se cili nivel i antitrupave është i mjaftueshëm apo sa kohë duhet që niveli i antitrupave të bie sërish.

Pas marrjes së dozës përforcuese, niveli i mbrojtjes kundër një infeksioni me variantin Omicron është rreth 20 për qind më pak sesa mbrojtja që krijohet ndaj variantit Delta të koronavirusit, tha Egon Ozer nga Universiteti Northwestern.

Por, nëse virusi kalon vijën e parë të mbrojtjes, personat e vaksinuar kanë edhe shtresa të tjera të mbrojtjes.

“Vaksinat ju mbrojnë nga sëmundja e rëndë, hospitalizimi dhe vdekja. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, tha Wesly Long.

Në mesin e shtresave të tjera të mbrojtjes përfshihen edhe qelizat T që mobilizojnë luftimin e virusit, por edhe qelizat e kujtesës, të cilat kur riaktivizohen, krijojnë më shumë antitrupa të cilat janë edhe më të forta.

Po imuniteti natyral?
Infektimi paraprak nuk duket se ofron aq shumë mbrojtje ndaj Omicronit, edhe pse sikurse vaksinimi, mund të ulë shanset për zhvillimin e sëmundjes së rëndë.

Në Afrikën e Jugut, ku Omicroni u detektua për herë të parë dhe tashmë është përhapur gjerësisht, shkencëtarët kanë raportuar për rritje të riinfektimeve që nuk i kishin regjistruar me variantet paraprake, përfshirë edhe variantin Delta.

Në Britani, një raport i publikuar më 17 dhjetor nga Kolegji Mbretëror i Londrës gjeti se rreziku i riinfektimit nga Omicroni ishte pesë herë i lartë krahasuar me variantin Delta.

Ekspertët shëndetësorë thonë se kushdo që e ka kaluar virusin duhet të vaksinohet sepse kombinimi i imunitetit të fituar nga infeksioni paraprak dhe ai i prodhuar nga vaksinat, në përgjithësi ofron mbrojtje më të fortë.

Pse po përhapet kaq shpejt varianti Omicron?
Shkencëtarët janë duke u munduar që të deshifrojnë dhjetëra mutacione që ka Omicroni, për të kuptuar se çfarë tjetër po ndodh me këtë variant. Hulumtuesit në Hong Kong së fundmi kanë raportuar se Omicroni mund të shumohet më shpejt në rrugët e frymëmarrjes sesa varianti Delta, megjithëse ky variant nuk është aq efikas thellë në mushkëri.

Por, shkencëtarët nuk mund të masin sjelljen e njerëzve: Shumë vende ishin duke i relaksuar kufizimet, tubimet në hapësira të mbyllura u bënë më të shpeshta për shkak të ftohjes së motit dhe udhëtimet u rritën në kohën kur Omicroni nisi të përhapej.

A po shkakton Omicroni sëmundje më të lehtë?
Është ende herët të dihet nëse Omicroni shkakton sëmundje më të lehtë, pasi nëse personat e vaksinuar mund të riinfektohen, simptomat duhet të jenë më të lehta sesa nëse personat e pavaksinuar infektohen me Omicron.

Disa raportime nga Afrika e Jugut sugjerojnë për sëmundje më të lehtë, por mjekët nuk janë të sigurt nëse kjo po ndodh sepse popullata në këtë shtet është e re ose nëse personat e infektuar kanë njëfarë mbrojtjeje nga infektimet paraprake me variantin Delta.

Ndërkaq, një studim britanik nuk ka gjetur asnjë të dhënë që sugjeron se Omicroni ka shkaktuar sëmundje më të lehtë sesa Delta në Britani, edhe në mesin e të rinjve, të cilët mendohet se mund të përjetojnë sëmundje më të lehtë, dhe të cilët janë kategoria me rrezikun më të lartë të infektimit nga Omicroni.

“Ka një paralajmërim, dhe mendoj se shumë nga ne kemi shpresë, që Omicroni do të shkaktojë sëmundje më të lehtë. Por, nuk mendoj se mund të jemi të sigurt për këtë. Ne po flasim për SARS CoV-2, një virus që ka vrarë miliona persona”, tha Jacob Lemieux, që monitoron variantet për një hulumtim që udhëhiqet nga Shkolla e Mjekësisë së Harvardit.

Kush është më i rrezikuar?
Bazuar në sjelljen e varianteve të tjera, “nëse je i moshuar ose ke sëmundje kronike, nëse je me mbipeshë, ke më shumë gjasa të sëmuresh më rëndë. Nuk mendoj se ky variant do të jetë i ndryshëm” nga variantet e tjera në këtë aspekt, tha Carlos del Rio nga Universiteti Emory.

Ekspertët pajtohen se qytetarët e vaksinuar plotësisht dhe me doza përforcuese është mirë që t’iu kthehen masave të para të mbrojtjes: të mbajnë maskë kur janë në hapësira të mbyllura, të shmangin turmat dhe të mbajnë distancën./REL