Në rast se dikujt, i ka shkrepur në kokë, të bëjë lojëra të pista dhe të sillet si “cub” edhe me partinë, atëhere lind nevoja e ndërhyrjes së strukturave ligjore të një shteti ligjor. Askush në botë, (po ashtu edhe tek ne) nuk të toleron të ngrihesh mbi moralin,rregullin dhe statutin edhe të një partie politike.Bota e civilizuar, ka sanksione të ashpëra ndaj politikanëve që sillen si gangsterë me partitë, në vende me rend demokratik. Askush nuk duhet të mendojë, se përmbysja e regjimit komunist, mund ti hapte rrugën lubive që zhvatin dhe vjedhin jo vetëm paratë e taksapaguesve, por edhe poltronet e zyrave, kur ikin nga pushteti me votën e lirë. Ka 30 vjet që Partia Demokratike, keqtrajtohet dhe shfrytëzohet, për të pasuruar një kastë aventurierësh, që sot flasin për “demokraci, fraksione, statut të ri partie, hapje të partisë, dhe votë të lirë”.
Baza e asaj partie, mbetet në kufijt e diskriminimit,aq sa edhe sot pas 3 dekadash,ish-lideri “historik” arrin ti manipulojë, si askund tjetër. Drejtësia duhet me urgjencë të marrë në mbrojtje Partinë Demokratike, dhe t’ua heqë nga dora aventurierëve që kanë vënë pasuri miliona euroshe me pushtetin e saj dhe votën e anëtarësisë. Duke guxuar të mos japin dorëheqjen, apo duke këmbëngulur të rikthehen në postin e drejtuesit, garda e vjetër dhe ajo e sotmja e Partisë Demokratike, janë fajtore për gjithçka ndodh me fatin e saj. Ajo parti, është zhgarravitur për 2 dekada nga Sali Berisha, ndërkohë që pasardhësi i tij mendon se “tani është rradha ime”. Drejtësia e re në Shqipëri, duhet të shpëtojë nga asgjesimi një parti, e cila ka qenë dhe mbetet vlerë e patjetërsueshme e studentëve të Dhjetorit 1990. Ajo është grabitur nga doktorri i bllokut, dhe është bërë qëllimisht “ortake” e veprave penale që rëndojnë mbi emrin e tij sot.
Drejtësia duhet të jetë bashkëvepruese, ndaj çdo nisme antidemokratike që po mundohet të ligjërohet nga dyshja bashkëfajtore Berisha-Basha, duke keqpërdorur statutin e saj.E ndërsa i pari, po legalizon rikthimin përmes manipulimit të turmave dhe votës, i dyti po luan me fatin dhe shansin e fundit të asaj force politike. Beteja mes tyre, është duel mes dy persona të akuzuar dhe denoncuar nga baza e partisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit. Drejtësia duhet të mos rrijë indiferente, tek shikon rikuperimin politik të një figure të përfolur, apo dhe përpjekjet e një pasardhësi, që po mban me dhunë verbale dhe fizike vulën e partisë, edhe pse i zhytur në afera korruptive dhe “pafajësi” të dyshimta. Drejtësia e re (dhe jo ajo e Plepave që vegjeton akoma mes tyre) duhet të thotë fjalën e saj, dhe pa vonesë, që nesër të mos bëhet pishmane për rikthimin e fantazmave në politikë.Me keqardhje konstaton,se Partia Demokratike nuk arriti kurrë të bëhej parti e qendrës së djathtë, si homologet e saj të PPE-ve, dhe kjo për fajin e ish-liderit “historik” dhe apatisë dhe paaftësisë së pasardhësit tij.
Grykësia dhe mania për të patur një “parti të tyren”, e ka katandisur partinë e ideleve të Dhjetorit 1990, si një objekt kulti i rrënuar nga dora njerëzore. Kriza që ka mbërthyer partinë e dhjetoristëve, nuk zgjidhet më as me referendume dhe kuvende inatçore, por vetëm duke zbatuar ligjin, i cili flet qartë edhe mbi situata të tilla absurde.