MENU
klinika

Nga Carlo Bollino

Drejtësia e re e SPAK dhe e vetmja gjë që duhet të bëjë Basha…

17.12.2021 - 20:02

Është shpresëdhënëse të shohësh, më në fund, drejtësinë të lëvizë. Hyrja në skenë e SPAK-ut po tregon shenjat e një ndryshimi në krahasim me 30 vitet e fundit, kur perceptimi ishte se jetohej si në një film me kaubojs, pa drejtësi dhe në të cilin fitonte gjithmonë i keqi. Ndryshimi ndodhi, por siç është normale, po bëhet me gradualitet dhe kjo është një gjë e mirë, për të mos rrezikuar të ekzagjerohet në anën e kundërt dhe që gjykatat të shndërrohen në shesh revolucioni ndëshkues, apo më keq akoma, të shndërrohen në një mjet puçi gjykues. Është shpresëdhënëse të shohësh prokurorinë të hedhë dritë mbi ndodhi të mistere të viteve të fundit, duke përfshirë historinë e ndërlikuar të inceneratorëve që pa e paragjykuar meriton një investigim të thelluar. Jemi të bindur se do të shkojë edhe më tutje, duke hedhur dritë dhe mbi skandale të tjera. Opinionistët e opozitës janë të etur “për gjak”, tamam si jakobinët e revolucionit francez, apo inkuizitorët në kohët e luftës së shenjtë dhe në vend që të lavdërojnë veprimet e SPAK për këtë fillim të mbarë për kapjen e “peshqve të mëdhenj”, e akuzojnë përsëri prokurorirë e re se fsheh fajtorët e vërtetë. Sikur fajtorët “e vërtetë” nuk janë ata që dalin nga letrat dhe nga provat, por ata që jakobinët dhe inkuizitorët televizivë konsiderojnë si të tillë.

Pra, Drejtësia e re po fillon. Po si do ja bëjmë me Padrejtesia të vjetrën? Eshtë normale që një shoqëri e tërë të pranojë pa asnjë reagim që një pjesë e politikës me në krye Sali Berishën dhe ish-ministrat e tij të ketë siguruar me dhunë dhe me kërcënime një imunitet total? A është normale të dëgjohen sot leksione moralizuese nga njerëz si Sali Berisha, Jamaber Malltezi, Aldo Bumçi ose Ilir Meta bashke me shumë berishianë të tjerë për të arritur deri te Arben Imami, të gjithë ish-qeveritarë që do të kishin pasur të njëjtin fund si Lefter Koka nëse ndonjë prokuror do të kishte pasur guximin të hetonte mbi ta? Është normale që lidershipi i LSI me në krye presidentin e republikës Ilir Meta, e dinte gjithë prapaskenën korruptive të ministrit të tyre Lefter Koka, por kanë pritur ta denoncojnë 4 vite, dhe ekskluzivisht për hakmarrje politike, aspak për dëshirë për të vërtetën dhe për drejtësi? E si i dinin gjithë ato detaje, emrat dhe lidhjet sekrete nëse nuk ishin edhe ata vetë të përfshirë?

Mes 2013 dhe 2015, ministrat e qeverisë së parë të Edi Ramës përmbytën prokurorinë e përgjithshme me kallëzime mbi skandalet dhe abuzimet e bëra nga ministra të PD-së që sapo kishin dalë të humbur nga zgjedhjet. Ata të LSI-së mbetën të mbrojtur nga fakti se kishin kaluar ndërkohë në qeverinë e Edi Ramës. Mimi Kodheli nga Ministria e Mbrojtjes prezantoi shume dosje penale ndaj Arben Imamit. Ministri i Financave Shpëtim Cami bëri po aq për konçesionet dhe kreditimet e firmosura nga Ridvan Bode me mbështetjen e doktorit. Në mediat e kohës u fol për një total prej 200 dosjesh të dorëzuara në prokurori, me prova dhe dokumente, mbi masakrat e bëra në tetë vite nga qeveria e Sali Berishës, përfshi 4 vrasje (vrasje!!!!) të bëra me 21 janar 2011. Por ai lumë kallëzimesh, në vend që të trasformohej në arrestime dhe proçese, u devijua për t’u zhdukur në kënetën e madhe të Padrejtësisë të gërrmuar nga Sali Berisha me bashkëpunimin e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve që ishin nën komandën e tij dhe atë të Argitës që i kishte emëruar. Edhe një prokurore deri diku e guximshme si Ina Rama, nuk e pati kurrë në të vërtetë kurajon dhe mundësinë, derisa qëndroi në detyrë, të bënte drejtësi të vërtetë. Nuk mund të pritej drejtësi pastaj nga Adriatik Llalla qe u vendos në shërbim të të gjithë të korruptuarve , qeveritarë apo ish-qeveritarë, si instrument perfekt i asaj ushtrie gjykatësish që në sallë, në vend të kodeve dhe ligjeve, mbanin listën e çmimeve të vendimeve: çmimi i pafajësisë ndryshonte vetëm në bazë të llojit të krimit. I vetmi nga gjithë ish-pushtetarët që pagoi, ka qenë ish-ministri i Punës Spiro Ksera (i kallëzuar nga Erjon Veliaj kur u bë Ministër i Punës), ndoshta sepse ishte i vetmi që nuk kishte mbrapa një parti të madhe që ta mbronte.

Kjo kënetë erëkeqe padrejtësie që akoma zien duke çlituar gazra plot helm, nuk e ka skandalizuar asnjëherë opozitën, madje përkundrazi aty është zhytur për t’u mbrojtur, dhe as qindra analistët e gazetarët pseudo-investigues që sot i bëjn moral SPAK-ut sepse nuk ka arrestuar ata që sipas tyre janë fajtorë kryesore. Praktikisht kritikojnë SPAK se pse nuk është bërë një gjykatë popullore. Ndërkohë që të gjithë këta moralistë duartrokitën përgjimet selektive të dosjes së famshme 339, duke e konsideruar një model drejtësie për t’u ndjekur: pra një sërë përgjimesh të vendosura nga një prokuror organik i Partisë Demokratike (dhe mik trafikantësh) si Besim Hajdarmatj, që me porosi të Partisë Demokratike spiunoi ekskluzivisht telefonat e kundërshtarëve të Partisë Demokratike. Dhe që në fund nuk pati as kurajon të çonte provat e veta në gjykatë, duke zgjedhur t’ja dorëzonte Partisë Demokratike zbardhjen e përgjimeve , duke konsideruar se linçimi publik do të ishte më i frytshme për partinë sesa një gjykim i drejtë. Kjo është drejtësia “alla Berisha”, që partia e tij dhe shtypi i tij dashuron dhe se do të ishin gati ta rikrijonin nëse do t’u vinte mundësia.

Sot Lulzim Basha ka vetëm një mënyrë për t’u ndarë nga ky mentalitet dhe nga mëkatet që me siguri i ka bërë në bashkëpunim me ”doktorin”. Nëse dëshiron vërtetë të tregojë se beson në drejtësinë e drejtë dhe jo më në drejtësinë e rehatshme, duhet të paraqitet në SPAK dhe të denoncojë gjithëçka di. Nuk mjaftojnë më aludime kërcënuese mbi fajet e Berishës: të bëhet dëshmitar i akuzës dhe të thotë më në fund çdo gjë. Vetëm në këtë mënyrë mbi Shqipëri do të fillojë të shkëlqejë drejtësia e vërtetë dhe shumë moralistë fallco dhe inkuizitorë te korruptuar do të zhduken nga skena vetvetiu dhe me në fund edhe nga ekranet televizive.

Prokurorët nga ana e tyre, të tregojnë se nuk kanë komplekse e të bindin popullin që ka marrë fund për të gjithë koha e pandëshkueshmërisë. Duke filluar me një kërkesë zyrtare që duhet t’i drejtojnë Departamentit amerikan të Shtetit duke kërkuar dosjen e plotë me prova që kanë mbledhur ata mbi Sali Berishën. Dhe mbi ato prova, dhe të tjera, të shumta, që ekzistojnë edhe në Shqipëri, më në fund të veprojnë. Amerikanët siguruan se janë gati për t’i dorëzuar. Populli shqipar mbetet në pritje.