MENU
klinika

“Në një krizë të thellë ekzistenciale”

DW: Ringritje apo ndarje e Partisë Demokratike?

11.12.2021 - 10:37

Partia Demokratike ndodhet në një krizë të thellë ekzistenciale. Shenjat e krizës janë të dukshme. PD është sot e përçarë keqazi.

Demokratët janë rreshtuar në dy grupime kundërshtare: njëri me mbështetës të Sali Berishës, ish-liderit historik të PD, të shpallur “Person non grata” nga qeveria amerikane për “vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri” dhe tjetri me mbështetës të liderit aktual, Basha. Si kurrë më parë në historinë 31-vjeçare të PD, pritet të mbahen dy Kuvende Kombëtare: njëri të shtunën, më 11 dhjetor, i drejtuar nga Berisha, tjetri më 18 dhjetor i drejtuar nga Basha, ku delegatë janë mbështetësit respektivë të secilit.

Kuvendi Kombëtar i drejtuar nga Berisha vjen pas një maratone 3 mujore të lëvizjes së inicuar prej tij, të njohur si “Foltore”, një bashkëbisedim me demokratët e bazës. Sipas Berishës qëllimi i lëvizjes është “rithemelimi i PD, rikthimi i votës së lirë dhe me gjasa shkarkimi i kryetarit Basha. Por „Foltorja” dhe gjuha denigruese kundër Bashës nisi vetëm në shtator, menjëherë pas vendimit të tij që përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD si i shpallur “non grata.”

Meeting of Gabriel Escobar with the opposition leader BashaGabriel Escobar dhe kreu i opozitës Lulzim Basha

Kuvendin tjetër kombëtar, Basha, i rizgjedhur para 6 muajsh me 81 përqind të votave të demokratëve, e prezanton si „kuvend të rikthimit të unitetit dhe shpresës tek PD.”

Basha ka deklaruar se nuk e njeh Kuvendin Kombëtar të PD të drejtuar nga Berisha dhe e ka cilësuar atë „një foltore tjetër në Tiranë”.

Çfarë nxjerr në dritë kriza në PD?

Aleksandër Çipa , analist i pavarur, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, e sheh krizën aktuale në PD si „krizë të udhëheqësve politikë të tranzicionit post-komunist”.

„Kjo krizë po ekspozon rishtazi fuqimisht sëmundjet e këtyrë udhëheqësve: mungesën e ideve dhe të programeve të reja në skenën politike dhe të konkurimit politik. Janë të pareformueshëm, të pashqitshëm, as për arsye dialektike, nga drejtimi i partive. Janë të pandëshkueshëm dhe përdorues të financave të dyshimta edhe për veprimtari politike me kosto dhe në sy të publikut. Janë të devotshëm dhe egërshanë kur bëhet fjalë për të mos humbur monopolin drejtues ose zotërues në partitokracinë e vendit. Janë garantët e stanjacionit dhe status quo-së së varfërisë në Shqipëri,” – thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Rrezik për autoritarizëm dhe disbalanca politike

Ai thekson se „kriza aktuale e PD-së shumëfishon risqet e autoritarizmit dhe të disbalancave politike në Shqipëri. Ky protagonizëm i vjetëruar në nivelet e larta politike shumëfishon mundësitë për korrupsion dhe ineficencë kontrolli në administrimin e shtetit dhe funksioneve të pluralizmit politik në Shqipëri” – thotë për DW, Aleksandër Çipa

A mund Berisha ta ringrejë PD?

Në situatën e krijuar në PD dy alternativa shfaqen si zhvillime të pritshme: Rikthimi i unitetit, ringritja e PD ose ndarja, copëtimi i saj në dy parti të ndryshme opozitare.

Genc Pollo, ish-ministër dhe deputet i PD thotë për DW se shpresat për ringritjen e PD i mban tek Kuvendi i saj Kombëtar, të drejtuar nga Berisha.

“Ky kuvend është hapi i parë dhe i madh drejt një projekti të ri, drejt një PD që ngjall shpresë në shoqërinë shqiptare dhe meriton besimin e gjerë të elektoratit. Status quo-të e tetë viteve të fundit janë të papranueshme për PD-në dhe të dëmshme për demokracinë shqiptare. Tollovia në PD është pasojë e rikandidimit të drejtuesve të PD edhe pas tetë vitesh humbjesh radhazi të zgjedhjeve” – thotë për DW, Genc Pollo.

Albanien | Parlamentswahlen 2021 | Tableau 26.04.21PD humbi edhe në zgjedhjet këtij vitit në Shqipëri

Sipas tij PD e rithemeluar në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit “do të ketë si detyra prioritare krijimin e profilit të kësaj partie si një opozitë e besueshme dhe demokratike. Më tej duhet të ndodhë evoluimi i saj si bartëse e besimit të shumicës së elektoratit. PD e pas 11 dhjetorit do të ketë kohën e vet për t’u zhvilluar dhe përshtatur,”

Kurse analisti, Aleksandër Çipa, mendon se Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, sintezë e lëvizjes “Foltorja” nuk mund ta ringrejë PD. “Berisha po e trajton dhe përdor këtë lëvizje të re për t’u rikthyer në krye të PD për arsye parësore personale. Prandaj ndarja mes përfaqësuesve të shumtë të drejtuesve aktualë të kësaj partie është e thellë dhe sipas shenjave nuk ka lëvizje dhe investime për kompromis,” thotë ai për DW.

Gjasat për rikthimin e Berishës në krye të PD, Çipa, i sheh si “një lëvizje retrograde që nuk e forcon forcën më të madhe opozitare në Shqipëri.”

“Rikthimi i tij e thellon krizën në PD në disa drejtime: krizën e lidershipit, krizën e partneritetit me SHBA, krizën e rikthimit të besimit për rotacion politik. Berisha është politikani më i moshuar dhe më i konsumuar i skenës politike në Shqipëri. Rikthimi i tij në krye të PD do të krijonte një vonesë reformuese të krejt opozitës në Shqipëri dhe ndarja e PD do të jetë e pandalshme,” thekson ai për DW.

Ndërkohë shpallja “Person non grata” nga qeveria amerikane e ish-kryeministrit Berisha dhe e familjes së tij ka të bëjë edhe me një proces juridik që pritet të realizohet nga institucionet e drejtësisë kombëtare, vëren Çipa.

A mundet që Basha ta ringrejë PD?

Kriza në PD e gjen kryetarin e saj Basha me një bilanc humbjesh që ai ia ka faturuar kryesisht partisë kundërshtare në pushtet, PS, që e ka stigmatizuar si “vjedhëse votash dhe autore të masakrës zgjedhore në zgjedhjet e 25 prillit.”

“Status quo të tipit “m’u deshën 8 vjet në opozitë për t’u emancipuar nga Berisha dhe më duhen edhe 8 të tjera, po në opozitë, që të emancipohem nga Rama janë të papranueshme për PD dhe të dëmshme për demokracinë shqiptare” thotë për DW Genc Pollo.

Albanien und die Nato Premierminister Sali BerishaSali Berisha

A mund ta ringrihet PD nën drejtimin e Bashës? Në kushtet e krizës aktuale që po kalon PD dhe zhvillimit të Kuvendit të saj Kombëtar më 18 dhjetor, kjo është një pyetje që e ngre gjithë pjesa progressive e shoqërisë në Shqipëri, që e kupton domosdoshmërinë e një opozite të fuqishme.

“Refuzimi i rikthimit të Berishës në krye të PD-së nuk është pranim i vijimit të drejtimit të saj nga Basha. Humbjet në disa procese zgjedhore janë argument i fuqishëm dhe provë e mjaftueshme për reagimin moral të dorëheqjes nga detyra e kryetarit,” thotë analisti Aleksandër Çipa.

Zgjidhja: Kapacitetet e reja të PD.

Berisha ftoi të premten, (10.12) në prag të Kuvendit Kombëtar, kryetarin Basha që të marrë pjesë në atë që ai e quan ”rithemelim të PD”. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi deklaroi të premten që “asnjë organ i PD nuk do të marrë pjesë në tubimin e 11 dhjetorit”. Në këto kushte zgjidhja e krizës duket se ndodhet përtej Berishës dhe Bashës.

“Në kushtet e reflektimit moral dhe politik, të pranimit të nevojës urgjente për një reformim energjizues dhe lidershipi të opozitës në Shqipëri, lipset konsensusi mes dy grupimeve kundërshtare dhe jo dy protagonistëve, Berishës dhe Bashës. PD ka kapacitete intelektuale, politike dhe ekspertizë politike që mund të arrijnë një zgjidhje,” thotë për DW Çipa.

Në horizont shfaqet ndarja më shumë se konsensusi mes dy grupimeve të PD nisur nga lufta e egër ndaj Bashës dhe grupimit të tij, në javët e fundit.

“Nëse më 11 dhjetor, mund të ketë akte force apo uzurpim të mjediseve të selisë së PD, kriza mund të hyjë në një fazë të re, më të rrezikshme dhe me më tepër pasoja shumëplanëshe,” parashikon analisti Aleksandër Çipa./DW