MENU
klinika

Departamenti Amerikan i Thesarit paralajmëron masa për personat e përfshirë në korrupsion

Dy ditë para Kuvendit të Berishës, Gabriel Escobar takon Bashën!

06.12.2021 - 12:33

Dy ditë përpara mbledhjes së Kuvendit të PD, të thirrur nga Sali Berisha, i shpallur non grata në maj të këtij vitit, në Tiranë do të mbërrijë i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar do të vijë në Shqipëri në 9 dhjetor, ndërsa Berisha do të mbledhë Kuvendin në 11 dhjetor. Nuk dihet nëse vizita më datë 9 dhjetor është rastësore apo SHBA-të kanë dashur të përçojnë mesazhe edhe përmes vizitave, pasi data 9 dhjetor është Dita Botërore kundër Korrupsionit. Kujtojmë që në vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Berisha akuzohej për përfshirje në korrupsion.

Ndërkohë, në axhendën e zyrtarit të lartë amerikan është parashikuar takim me kreun e qeverisë Rama, por edhe me kryedemokratin Lulzim Basha, i cili gjithashtu ka thirrur Kuvendin e tij më 18 dhjetor. Escobar, në një reagim pak javë më parë, i mëshoi faktit se korrupsioni në vendet e Ballkanit Perëndimor do të vijojë të ketë sanksione nga SHBA. Që prej marrjes së këtij posti, Escobar, si një njohës i mirë i realitetit në Ballkan, zhvilloi vizitat e tij të para në Bosnjë Hercegovinë dhe në Mal të Zi.

PARALAJMËRIMI

Sakaq, Departamenti Amerikan i Thesarit ka paralajmëruar se do të vendosë një sërë sanksionesh këtë javë për personat, të cilët janë përfshirë në korrupsion dhe cenojnë demokracinë dhe institucionet demokratike në të gjithë botën. Sipas “Reuters”, do të synohen personat e përfshirë në korrupsion, abuzime serioze të të drejtave të njeriut dhe që minojnë demokracinë. Ndërkohë, nuk jepen ende detaje për personat që do të përballen me sanksione.

“Thesari do të ndërmarrë një sërë veprimesh për të përcaktuar individët që janë të përfshirë në aktivitete keqdashëse që minojnë demokracinë dhe institucionet demokratike në mbarë botën duke përfshirë korrupsionin, represionin, krimin e organizuar dhe abuzimin serioz të të drejtave të njeriut”, tha zëdhënësi i Departamentit të Thesarit sipas “Reuters”. Këto zhvillime ecin paralel me deklaratat e Presidentit Joe Biden, ku gjatë fjalimit të tij të parë si President i SHBA-ve, tha se do të godasë forcat globale autoritare të mbështetura kryesisht nga Kina dhe Rusia.

Grupet e të drejtave të njeriut vënë në dyshim nëse konferenca e Bidenit mund t’i shtyjë liderët botërorë që janë të ftuar, disa të akuzuar për prirje autoritare, të ndërmarrin veprime kuptimplota. Janë 110 pjesëmarrës në listën e ftesave të Departamentit të Shtetit për ngjarjen virtuale më 9 dhe 10 dhjetor, e cila synon të ndihmojë në ndalimin e paralizës demokratike dhe rrënimit të të drejtave dhe lirive në mbarë botën.

Po ashtu, në mbledhjen që do të mbahet në fund të kësaj jave, Departamenti i Shtetit do të propozojë nisma për të hequr boshllëqet ligjore që u japin mundësi personave të inkriminuar që të pastrojnë paratë përmes pasurive të paluajtshme.

“Thesari do të shpallë gjithashtu propozime të dizajnuara për të mbyllur zbrazëtirat që lejojnë zyrtarët e korruptuar të shfrytëzojnë tregun e pasurive të paluajtshme dhe të adresojnë boshllëqet në rrjetin e transparencës së korporatave që lejojnë lulëzimin e korrupsionit dhe rrjedhjen e të ardhurave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësi.

“NON GRATA”, AKUZAT E DASH PËR SALI BERISHËN

Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli më 9 maj ishKryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij “non grata”. Sekretari i Shtetit, Antony Bliken, përmes një njoftimi në “Twitter”, dha lajmin se Berisha ishte përfshirë në listën e njerëzve të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, për shkak të “përfshirjes së tij në akte korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri”.

“Unë jam duke shpallur emërimin publik të Sali Berishës, një ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm. Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.

Përveç Berishës, unë po deklaroj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berishën, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajza, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në dëm të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundra korrupsionit dhe përgjegjësisë për të dhënë llogari”, thuhej në njoftimin e DASH-it.

Duke treguar se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë, DASH-i thekson nevojën për llogaridhënie dhe transparencë të zyrtarëve publikë. Megjithatë, ishKryeministri Berisha nuk i ka pranuar akuzat e DASH-it dhe ka kërkuar që DASH-i të publikojë provat që ka kundër tij, ndërsa e ka paditur Sekretarin Antony Blinken për shpifje në një gjykatë të Francës. Sipas tij, ky vendim ka ardhur për shkak të ndikimit të multimiliarderit, Xhorxh Soros.