Eksportet kanë shënuar një ecuri pozitive për 11 muajt e këtij viti, duke reflektuar rritjen e fortë të dy grupeve “materiale ndërtimi e metale” dhe “minerale, lëndë djegëse e energji”, të favorizuara nga konjuktuara ndërkombëtare e rritjes së kërkesës dhe çmimeve.
Të gjitha grupet e kanë tejkaluar nivelin e parakrizës, me përjashtim të tekstileve dhe këpucëve që vijojnë të vuajnë pasojat e pandemisë.
INSTAT raportoi se për 11 mujorin 2021, eksportet arritën në gati 337 miliardë lekë, me një rritje prej 35.4 % në raport me janar-nëntor 2020. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, rritja është rreth 21%.
Ecuria ishte pozitive dhe në nëntor. Sipas INSTAT, Në Nëntor 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 37 mld lekë, duke u rritur me 36,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9,8 %, në krahasim me Tetor 2021.
Tekstilet e këpucët nuk e kapin nivelin e parakrizës
Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me rreth 30% të totalit), po vazhdojnë të vuajnë më shumë se gjithë grupet e tjera pasojat e karantinave të Europës dhe ndryshimin e sjelljes konsumatore. Ndonëse me rritje prej 8.7% për 11 mujorin në raport me janar-nëntor 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 7% më të ulëta në raport me 11 mujorin normal të 2019-s.
Eksportuesit pohojnë se sektori po vuan nga mungesa e porosive të reja, si rrjedhojë e krijimit të stoqeve gjatë karantinës së zgjatur. Problematikat e tyre janë shtuar dhe nga rritja e kostove, që e kanë të pamundura t’i transferojnë në çmime, që janë të fiksuara në kontratat me partnerët e huaj, kryesisht italinë si dhe nga mungesa e fuqisë punëtore. Negativisht ndikon dhe rënia e euros në tregun vendas, që i bën ata të arkëtojnë më pak lekë nga e njëjta sasi e shitur në euro.
Rritje e fortë e materialeve të ndërtimit e metaleve
Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 22% të totalit) vijuan ecurinë pozitive edhe në nëntor. Për 11 mujorin, eksportet e këtij grupi u dyfishuan në raport me 2020-n, ndërsa janë 75% më të larta edhe se janar-nëntor 2019. Prodhuesi i çelikut, Kurum, që është eksportuesi më i madh në vend po mundohet t’i përgjigjet një kërkese që është në nivele rekord, si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm, dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje. Tregu i rajonit është zgjeruar ndjeshëm këtë vij, pasi Kurum ka hyrë në Serbi.
Rritje e fortë edhe për lëndët djegëse
E njëjta tendencë pozitive ka vijuar edhe për mineralet, të ndihmuara nga çmimet e larta dhe rritja e kërkesës në tregjet ndërkombëtare. Grupi “Lëndët djegëse e energji”, është rritur me 73% për 11 mujorin në raport me 2020-n, dhe 39% në krahasim me të njëjtën periudhë 2019.
Makineritë e pajisjet në rritje, por janë pesimiste për të ardhmen
Shitjet e grupit “makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit” u rritën me 28% për 11 mujorin, por ritmet e zgjerimit janë ngadalësuar në krahasim me muajt e mëparshëm (për 10 mujorin rritja ishte 34%). Ky sektor ka tërhequr vitet e fundit investime në fabrikat që montojnë kryesisht sisteme elektrike për automjete. Megjithatë, eksportuesit mbeten pesimistë lidhur me të ardhmen për shkak të rritjes së kostove dhe problemeve, që kanë shkaktuar në tregjet globale ndërprerjet e zinxhirit të prodhimit.
Ushqime, pije e duhan, i rikthehet rritjes
Grupi i ushqime pije dhe duhan ka ngadalësuar ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 12.5% për 11 mujorin, në raport me 2020-n. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza pandemike dhe vijoi rritjen edhe në 2020-n. Pasi në tetor ky grup ka shënuar rënie për herë të parë, i është rikthyer rritjes së lehtë në nëntor. Megjithatë sektori ka probleme për shkak të rritjes së kostove, inefikasitetit të plehrave kimike dhe së fundmi përmbytjeve në disa zona.
Sipas INSTAT, gjatë muajit Nëntor 2021, në rritjen e eksporteve prej 36,3 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +17,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +6,7 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +5,5 pikë përqindje.
Eksportet, gjatë këtij njëmbëdhjetë mujori janë rritur me 35,4 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,7 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +3,3 pikë përqindje.
Rritet deficiti tregtar
Sipas INSTAT, Në këtë njëmbëdhjetë mujor eksportet e mallrave arritën vlerën 337 mld lekë, duke u rritur me 35,4 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 713 mld lekë, duke u rritur me 31,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 376 mld lekë, duke u rritur me 27,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.
Kryesojnë Spanja, Kosova, Italia
Në muajin Nëntor 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Nëntor 2020 janë: Itali (34,9 %), Kosova (51,4 %) dhe Spanja (35,6 %).
Gjatë këtij njëmbëdhjetë mujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (24,3 %), Kosova (48,5 %) dhe Spanja (44,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (18,9 %) dhe Rusia (9,6 %).
Në muajin Nëntor 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Nëntor 2020 janë: Italia (28,4 %), Turqia (72,8 %) dhe Greqia (31,1 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (2,2 %) dhe SHBA (12,9 %) .
Gjatë këtij njëmbëdhjetë mujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (28,4 %), Turqia (48,1 %) dhe Kina (20,7 %). Ndërsa vendi me të cilin importet kanë pasur uljen më të madhe është: Ukraina (10,1 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58,0 %, të gjithë tregtisë. Në Nëntor 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70,8 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,1 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,1 %), Turqi (8,0 %), Greqia (7,2 %), dhe Kina (5,6 %).
Shkëmbimet tregtare, për njëmbëdhjetë mujorin 2021, me vendet e BE-së zënë 60,2 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Nëntor 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,6 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,1 %), Turqia (7,8 %), Greqia (7,2 %) dhe Gjermania (6,5 %)./Monitor