Nën flamurin e “themeluesit, liderit historik”, apo dhe “babait të kombit” pasi ka “sjellë demokracinë”, Sali Berisha arriti edhe kësaj here, të mblidhte rreth vehtes mbështetësit e mbetur.Duke shpallur “mbledhjen e firmave për të mbajtur Kuvendin”, i ka bërë llogaritë gabim. Gjithmonë kur njeriu harron, se jeta ka stadet e veta, dhe nuk mund të dalësh kundër tyre, ikën me dashje drejt humnerës. Sali Berisha duhet thënë se, nuk ka qenë dhe nuk është edhe sot i mënçur, dhe as largpamës politik, por thjesht skenarist intrigash. Në rast se kapet pas “ardhjes në pushtet me votat e shqiptarëve në 2005”, ai gabon, ashtu siç po gabon edhe sot kur mendon dhe shpreson se “do të shembë qeverinë Rama dhe do të sjellë në pushtet demokratët”. Nën flamurin e “themeluesit” të Partisë Demokratike, ai kujton se “edhe kësaj here e fitova davanë”.
Sali Berisha, duhet ta dijë mirë se, gjethja e “fikut” ka rënë, ashtu siç ka rënë edhe flamuri i “themeluesit dhe liderit historik”. Edhe sikur të ishte kështu, askush nuk është “ballacamosur” në fronin e partisë, edhe pse e ka themeluar, edhe pse e ka udhëhequr dhe ka fituar pushtetin. Mentaliteti i bajraktarit “çdo gjë më përket mua”, nuk e lë Sali Berishën të largohet nga ajo parti. E quan “pabesi, marrëzi, dhe poshtërsi” ta mënjanojë njeri nga “partia e tij”. E quan “pengkryetar” Lulzim Bashën, edhe pse në 8 vitet e shkuara, ai ka qenë kryesori në marrjen e shumë vendimeve në atë parti.
E quan “alarmante të dëbohet babai politik, themeluesi i partisë, njeriu që përmbysi diktaturën komuniste, dhe solli demokracinë”. Të gjitha këto sot pas 30 vitesh, duken si filma me kartona, që edhe foshnjet nuk i besojnë. Sali Berisha nuk ka qenë, dhe nuk do të mbetet themeluesi i Partisë Demokratike, ai nuk ka qenë dhe nuk do të mbetet as “përmbysësi i diktaturës komuniste, dhe aq më pak i sjelljes së demokracisë”. Flamuri i “themeluesit”, të cilin ai e ka tundur dhe po e tund fort deri në 11 Dhjetor, ka rënë me kohë. Duke mohuar se ka qenë komunist, anëtar i PPSH për 25 vjet, duke mohuar se ka denigruar dhe syrgjynosur kolegë dhe familjet e tyre nga Tirana për motive politike, duke grisur dhe zhdukur dosjet e tij, ndoshta “themeluesi” ka menduar se “biografinë nuk ma njohin, tani jam unë babai kombit”. Sali Berisha po luan me “qarin”, duke menduar dhe vepruar sipas një skenari të mirëdetajuar.
Ai do ti mbledhë edhe njëherë të vetët në stadium, do të mbajë për 2 orë fjalimin e tij “programatik”, do të hartojë dhe miratojë statutin e ri krahinor, do të shkarkojë në stadium edhe Lulzim Bashën, por kurrë nuk do të arrijë majën që ëndërron. Kurrë nuk do të afirmohet si kryetari ligjitim i asaj partie, dhe kurrë nuk mund të përmbysë Edi Ramën dhe marrë pushtetin. Kuvendi i Berishës, ngjet me kuvendet e maleve, duke harruar se jeta politike ka kodet dhe rregullat e veta, se partitë nuk janë prona të trashëguara, por janë asete të vlefshme për popullin.
Duke shfrytëzuar sentimentet e një pjese e cila beson akoma se “themeluesit i kanë bërë padrejtësi”, Berisha po mundohet të trazojë sado pak situatën e brëndshme, dhe krijojë mjegullnajë tek faktori jashtëm.Sot më shumë se kurrë, ndërkombëtarët po theksojnë me forcë “stabilitetin e Rajonit, dhe rritjen e fuqisë goditëse ndaj korrupsionit si vlerë e çmuar për rritjen dhe fuqizimin e demokracisë në Ballkan”. Veprimet e pamatura dhe të qëllimshme të “themeluesit”, mendoj se do të kenë një përgjigje të matur dhe mirëmenduar, jo vetëm nga drejtësia e re, por edhe nga faktori ndërkombëtar, që po ndjek me shumë vëmëndje situatën absurde.