MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Foltorja dhe Prefekti, nuk janë hallet e shqiptarëve

07.12.2021 - 16:28

Në një kohë kur gjithë bota merret me problemet e pandemisë, apo rritjes së mirëqenies, zgjidhjen e krizave dhe shuarjen e vatrave të “nxehta”, në Shqipëri kanë 5 muaj që merren me “Foltoren”,dhe së fundi edhe me komedinë “Prefekti”. Nuk ka ditë dhe natë, që studiot e televizioneve lokale dhe kombëtare, të mos mbushen me “kokat e mëdha” të Foltores dhe opozitës, duke marrë në analizë “ish-liderin historik të Partisë Demokratike, famën e tij, rikthimin e tij, premtimin e tij për të rikthyer në pushtet opozitën”, etj, etj. Por prej disa ditësh, studiot e këtyre televizive, po mbushen edhe me “specialistë arti”. Ka dalë papritur, një tjetër “hall i madh”, po rivihet në skenë komedia “Prefekti”…

Ndaj janë sulur dhe po lëshojnë britma nga frëngjitë e Partisë Demokratike, duke rivalizuar ata të “Foltores”, kush e kush të dënojë më ashpër Besim Leonjën, Spiro Dunin dhe Arben Derhemin. A thua, se ky vend dhe ky popull, nuk ka halle të tjera, a thua se ky vend nuk ka shqetësime dhe gëzime të tjera, se mbaruan të gjitha, dhe tani ka mbetur të merremi me “Foltoren dhe Prefektin”. Dhe mjafton ti shohësh dhe dëgjosh se si edhe foltoristët dhe bashistët, merren edhe me komedinë “Prefekti”, se si flasin gjithë seriozitet “po na rikthehen veprat e realizmit socialist, po na rikthehet koha e Enver Hoxhës”. A thua se, ata kanë ardhur nga Marsi, dhe jo sikur pjesa më e madhe e tyre, janë lindur dhe shkolluar në kohën e tij, janë përfitues të çdo të mire nga “regjimi i tij”, madje disa edhe me prindër dhe kushurinj që kanë gëzuar poste dhe ofiqe asokohe. Madje pinjollët e këtyre të fundit, janë dhe më të zjarrtët që “dënojnë diktaturën, filmat dhe komeditë e atij regjimi”.

Pa e ditur edhe vetë ç’përmban “Prefekti” i Spiro Dunit dhe Arben Derhemit, ata i janë sulur regjisorit dhe aktorit, duke i akuzuar si “ringjallës të realizimeve komuniste”, por që në fakt rivënia e asaj vepre, synon krejt të kundërtën. Të duken hileqarë dhe qesharakë, tek dalin dhe merren me problemin e “rikthimit të Berishës” apo “si do të mblidhet Kuvendi në 11 Dhjetor, po më 18 Dhjetor, si do ti vejë halli ish-liderit historik, kush do ta marrë atë parti ” etj, etj. Këto dy probleme pra, kanë mbetur për zgjidhje nga kjo kategori njerëzish, që harrojnë se halli më i madh i shqiptarëve sot, janë strehimi, pandemia, vaksinimi, punësimi, arsimimi, rrugët dhe pastrimi qyteteve, dhe aspak fati i Sali Berishës, Lulzim Bashës, apo dhe rivënies në skenë të komedisë “Prefekti”. Pothuajse në 90 per qind të televizioneve, kohën më të madhe e marrin “Foltorja”, firmat e delegatëve, “Tojota Yaris”, statuti PD-së, dalja e Doktorit në konferenca shtypi apo statuse fb, duke mos munguar reagimi i shpeshtë i shoqatës “Tirana” dhe stërmbesave të “Prefektit”.

Fare pak minuta për nismat e qeverisë për përballimin e pandemisë, për apelin ndaj qytetarëve, për ndërgjegjësimin e tyre ndaj procesit të vaksinimit, fare pak minuta për dimrin , banesat e reja që po përfundojnë dhe do të bëjnë me shtëpi mijëra familje të dëmtuara nga tërmeti, apo dhe për halle dhe probleme të tjera njerëzore.Me të shkuarën,le të merren historianët,me të tashmen duhet të merremi vetë ne. Si ka mundësi që një armatë e tërë mediatike (e cila paguhet natyrisht nga hallexhiu më i madh) nuk rresht së foluri, sulmuari, komentuari, apeluari, për të rikthyer dhe zgjedhur “mbret të partisë” sërish njeriun e së shkuarës?Por më komike, situata bëhet, kur edhe mbrëmjet mbushen me “analiza të thella” mbi “Prefektin”, një tjetër personazh që i takon së shkuarës, dhe që ndoshta duke parë dhe dëgjuar “Foltoren”, na duket sikur po kthehemi dekada mbrapa në kohë. A ja vlen…. ?