MENU
klinika

22 kuqezi vlejnë mbi 1 mln euro

Gjimshiti i merr fronin Kumbullës, kushton më shumë

31.12.2021 - 21:13

Viti 2021 është mbyllur me Shqipërinë në vendin e 66-të në klasifikimin e FIFA-s, me një pozicionim në vendin e tretë në grupin e kualifikuesve të Botërorit dhe duke u bërë gati për të marrë pjesë për herë të parë në Ligën B në Ligën e Kombeve.

Por sidomos, Shqipëria e sheh mbylljen e vitit 2021 me lojtarë të cilët kanë parë t’u rritet vlera e tyre në treg në mënyrë të ndjeshme dhe tashmë rezulton që janë 22 prej tyre të cilët vlejnë të paktën nga 1 milion euro.

Kështu, sipas portalit të njohur të transferimeve, “Transfermarkt”, pjesa më e madhe e lojtarëve që në kohët e fundit kanë qenë në radhët e përfaqësueses kuqezi, kanë një vlerë prej të paktën 1 milion eurosh.

Në listën që mbyll vitin, bie në sy se ai që ka vlerën më të lartë është mbrojtësi Berat Gjimshiti, i cili falë paraqitjeve sidomos me Atalantën, ka bërë që vlera e tij në treg të shkojë në 22 milionë euro.

Ai mbyll vitin i vetëm në vendin e parë pasi Marash Kumbulla, me të cilin ndante këtë pozicion deri pak kohë më parë, ka parë një rënie të vlerës së kartonit të tij në 18 milionë euro dhe mban vendin e dytë në këtë renditje.

Vendi i tretë ndahet nga Nedim Bajrami dhe Elseid Hysaj, me nga 10 milionë euro në vlerat e kartonit. Spikat sidomos rënia e vazhdueshme e vlerës së mbrojtësit, i cili deri pak vite më parë vlerësohej nga “transfermarkt” me 25 milionë euro.

Menjëherë pas kësaj dysheje, në vendin e tretë, është Armando Broja, i cili tashmë vlerësohet me 9 milionë euro nga portali i njohur. Në listën e 22 emrave që kushtojnë të paktën 1 milion euro, ka emra të zakonshëm të formacionit kuqezi, por edhe lojtarë të cilat janë harruar nga trajneri Reja së fundmi si Vrioni, Ndoj apo Selahi.

Gjithashtu ka edhe lojtarë që nuk kanë marrë ftesa pavarësisht paraqitjeve të mira që po bëjnë si Kristian Asllani, Elhan Kastrati apo edhe Enriko Papa.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN