Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitoi ditën e sotme Shqipërinë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, kryedemokratin Lulzim Basha dhe Ministren e Jashtme Olta Xhaçka.
Sapo mbërriti në Shqipëri, Escobar i shoqëruar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim shkoi menjëherë në selinë blu për t’u takuar me Lulzim Bashën. Burime për mediat bënë me dije se Escobar ishte shprehur para Bashës se do të ketë të tjerë zyrtarë të lartë që do të shpallen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndërkohë që në fjalën e tij për mediat, zyrtari amerikan shprehu mbështetjen për Bashën.
Vizita e Escobar në Tiranë u zgjodh të bëhej në 9 Dhjetor, në “Ditën Kundër Korrupsionit”, dhe duke e ndërthurur me deklaratat e Escobar, duket që kjo vizitë është një mesazh i qartë për zyrtarët e lartë të korruptuar në vendin tonë, por edhe për ish-kryeministrin Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA.
Pas Bashës, Gabriel Esconbar u takua me Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, për ta përfunduar vizitën e tij në kryeministri, ku pati një bisedë prej rreth 1 orë me kryemninistrin Rama. Por ajo që bie në sy është vendimi i Escobar për të mos u takuar me Presidentin Ilir Meta, ndryshe nga vizita në Maqedoninë e Veriut, ku zyrtari amerikan takoi edhe Presidentin Stevo Pendarovski.
Nuk dihet përse Escobar ka vendosur të mos shkojë edhe në Presidencë për një takim me kreun e Shtetit, teksa kujtojmë se Meta ka patur më herët përplasje me ambasadoren Yuri Kim.