Drejtuesi i punimeve të grupit të OSSH në Memaliaj, Altin Zhupa, është liruar sot në sallën e gjyqit pas arrestimit dy ditë më parë me akuzën e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.
Arrestimi erdhi disa orë pas humbjes së jetës së Agron Manait, 55-vjeçarit, elektricist i OSHEE, në Tepelenë, teksa ra në kontakt me linjën e tensionit të larte gjatë një inspektimi rutinor. Viktima ka qenë nën shoqërinë e kolegut Adriatik Hasimi dhe ky i fundit ishte i pari që e gjeti të pajetë të shtrirë përdhe. Seanca e masës së arrestit ka përfunduar para pak minutash në Gjykatën e Faktit në Gjirokastër.
Nisur nga provat e mbledhura nga grupi hetimor, si dhe nga ekspertiza në vendngjarje e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial nga Tirana, gjykata hoqi përgjegjësinë direkte të Altin Zhupës, por jo tërësisht pa përgjegjësi për atë që ndodhi.
Kjo u reflektua edhe në kërkesën e prokurorit Julijan Çafka, i cili kërkoi masën e arrestit “Detyrim Paraqitje”, çka u mbështet edhe nga kryesuesja e seancës gjyqësore, Blerta Çibuku. Altin Zhupa është i detyruar të paraqitet një herë në javë në organin e akuzës në Gjirokastër, derisa të çelet në themel çështja gjyqësore.