Nga Janine di Giovanni “The National”
Thuajse 3 dekada më parë, komuniteti ndërkombëtar lejoi përgjakjen e Bosnjës. Nën sytë e fuqive perëndimore, të cilat mund të kishin ndërhyrë më herët duke shmangur një katastrofë humanitare dhe një gjenocid, vendi përjetoi gati 4 vite luftë. Të gjitha luftërat janë mizore, por ajo Bosnjës ishte simboli i tmerreve të mëdha.
Kryeqyteti Sarajevë, dikur vendi ku u mbajtën Lojërat Olimpike dimërore të 1984-ës, dhe një simbol i komuniteteve multikulturore, multifetare, iu nënshtrua një rrethimi barbar si në Mesjetë.
Banorët e saj – intelektualë, evropianë kozmopolitë që kënaqeshin me muzikën klasike dhe poezinë – vuajtën masivisht nga uria, u bombarduan, u vranë me snajper, dhe u privuan nga çdo kontakt me botën e jashtme. Qindra mijëra njerëz vdiqën, shumë prej tyre fëmijë.
Lufta e përfunduar pas një gjenocidi në qytetin e Srebrenicës, i cili mund të ishte parandaluar në rast se nuk do të mbizotëronte diplomacia e papërgjegjshme dhe inercia. Në korrikun e vitit 1995, rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë u ndanë nga gratë nën sytë e paqeruajtësve të OKB-së, të cilët ishin aty pranë, dhe megjithatë nuk arritën t’i mbronin.
Ata u ngarkuan nëpër kamionë, pa e ditur se po dërgoheshin drejt vdekjes, dhe më pas u qëlluan për vdekje nëpër pyje apo u vranë në masë në fabrika të braktisura. Disa prej trupave të tyre nuk u gjetën kurrë. Pas asaj masakre të madhe, presidenti i atëhershëm i SHBA-së Bill Clinton urdhëroi nisjen e sulmeve ajrore ndaj trupave serbe.
Ndërkohë diplomatët amerikanë ndërmjetësuan bisedimet midis ish-palëve ndërluftuese për të arritur në fund një marrëveshje paqeje të brishtë, Marrëveshjen e Dejtonit. Ajo ishte një lëvizje cinike nga ana e zotit Clinton. Kjo pasi ai priti deri në momentin e fundit të mundshëm për të ndërhyrë, dhe e bëri këtë kur mendoi se duhej shmangur vëmendja nga trazirat e tij politike në SHBA.
Marrëveshja e Dejtonit, nuk ishte menduar kurrë që të zgjaste për dekada. Pasi ajo ishte e pamjaftueshme, dhe në shumë aspekte shpërbleu shkaktarët e asaj lufte, ku përfshiheshin serbët e Bosnjës dhe padronët e tyre në Beograd:presidentin e atëhershëm serb Slobodan Miloshevic dhe miqtë e tij.
Pati shumë pak dispozita për drejtësinë tranzicionale konstruktive. Dhe kjo nënkuptonte se shumica e viktimave – të kampeve të përqendrimit, kampeve të përdhunimit apo fshatrave të spastruar etnikisht – nuk panë kurrë drejtësi.
Edhe pse pati kampe përqendrimi në zemër të Evropës, dhe gratë dërgoheshin në ish-gjimnaze dhe hotele duke u përdhunuar disa herë në ditë, u tha se Bosnja ishte ende e destinuar që të rimëkëmbej.
Vitet e pasluftës u shpenzuan me përpjekjet për ta rindërtuar vendin, por edhe për të siguruar rikthimin e atyre që ishin dëbuar nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre, dhe që të jetonin të sigurt në shtetin e ri të Bosnje Hercegovinës. Ky shtet tani përbëhet nga dy entitete, Republika Srpska dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Kjo e fundit përbëhet nga 10 “kantone” të veçanta, secila me parlamentet dhe qeveritë lokale. Që në fillim, ata nga ne që vëzhgonin me kujdes zhvillimet në rajon, e dinin se do të kishte probleme, dhe se Marrëveshja e Dejtonit që synonte të nxiste paqen, do të nxiste në fakt një pakënaqësi edhe më të madhe si dhe ndarje etnike.
Dispozitat që ndanë entitetet, sollën gjithashtu edhe ndarje të thella etnike dhe fetare. Në qytete si Mostari – ku pati luftime të ashpra në verën e vitit 1993 – vijat e mëparshme të frontit, vazhdojnë të shënojnë një kufi ndarës midis myslimanëve dhe kroatëve.
Në Bosnjën e ndarë, lindën shkolla të ndara, pra në thelb dy shkolla nën një çati. Në Travnik – një qytet mesjetar në qendër të vendit, që përjetoi luftime të rënda në fillim të luftës, dhe ku më pas vërshuan mijëra refugjatë për siguri – fëmijët shkojnë në të njëjtën ndërtesë, por studiojnë dy tekste të ndryshme, dy “gjuhë” të ndryshme.
Fëmijët katolikë kroatë mësojnë kroatisht; ata boshnjakët myslimanë mësojnë gjuhën boshnjake. Para luftës, ekzistonte vetëm një gjuhë e njohur:serbo-kroatishtja. Në tetor, në Banja Luka – kryeqyteti i Republika Srpska – udhëheqësi ulra-nacionalist serb i Bosnjës, Milorad Dodik, njoftoi planet e tij për të tërhequr republikën nga institucionet kryesore federative.
Ai dëshiron të krijojë zyra tatimore, ushtri dhe aparate sigurie të veçanta. Dhe kjo është në fakt një shkëputje. Meqë ishte shkëputja, ajo që nisi luftërat e ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990 – në fillim Sllovenia, pastaj Kroacia, më në fund Bosnja – ky lajm dërgon një mesazh të tmerrshëm për vendin.
Po kështu, shihen si provokative raportet se policia pro-serbe po stërvitet në malin Jahorina – një resort skish jashtë Sarajevës, i cili u përdor dikur si një bazë për të bombarduar me artileri qytetin. Përfaqësuesi kryesor ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, thotë në një raport për OKB-në, se Bosnja po përballet me “kërcënimin e saj më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”.
Pra, a po shkojmë drejt një luftë të re? “Shihemi pas 20 vjetësh!”- më thanë miqtë e mi boshnjakë në vitin 1995 pas përfundimit të luftës, gjë që do të thotë se ata besonin se gjithçka do të rifillonte nga e para. Atëherë dukej absolutisht e pamundur, por sot Evropa ndodhet në një terren të rrëshqitshëm.
Sot ka shqetësime të mëdha mbi një përplasje ushtarake midis Rusisë dhe Ukrainës. Bjellorusia dhe Polonia janë të përfshira në një krizë emigrantësh, dhe tani Republika Srpska mund të përpiqet që të shkëputet. Prandaj, ata që shqetësohen vërtet për fatin e Bosnjës, duhet të veprojnë me shpejtësi, për të shmangur një tjetër gjakderdhje të mundshme.
Presidenti amerikan Joe Biden, ka sinjalizuar se po e zhvendos fokusin e SHBA-së nga të ashtuquajturat zona me probleme (përveç Tajvanit). Rënia e Afganistanit, ka shkaktuar në një valë të re refugjatësh, disa prej të cilëve kanë ngrirë për vdekje në pyjet në kufirin Poloni-Bjellorusi.
Por SHBA-ja ka jo pak probleme të vetat, që nga pandemia, tensionet racore dhe një Parti Republikane e ringjallur përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të vjeshtës së vitit 2022. Në këto kushte, Bosnja do të jetë gjëja e fundit që sillet në mendjen e Biden. E megjithatë, Bosnja nuk duhet të braktiset më nga Perëndimi.
Tridhjetë vjet më parë, vendi vdiq dalëngadalë, pasi Evropa dhe Amerika nuk mundën të bien dot dakord se kush duhet ta shpëtonte atë. Ky nuk ishte rasti i Kosovës në vitin 1999, kur sulmet e shpejta ajrore të udhëhequra nga NATO, i dhanë fund agresionit. Kosova ishte një lloj shlyerje e fajit:bota veproi shpejt për shkak të gjenocidit të Srebrenicës.
Që nga Dejtoni, “kujdesi” dhe stabiliteti afatgjatë i Bosnjës, u vendosën kryesisht në duart e BE-së. Por blloku e ka pasur të vështirë të jetë në lartësinë e detyrës, dhe Bosnja është shumë larg anëtarësimit në të. Nën një boshllëk të tillë, nacionalizmi, retorika e urrejtjes dhe ndarjet etno-politike, janë më të forta se kurrë më parë.
Në vitin 1992, i dërguari britanik David Ouen i tha me dhimbje popullit boshnjak:”Mos shihni ëndrra. Perëndimi nuk do të ndërhyjë për t’ju shpëtuar!”. Fjalët e tij janë një pararojë e asaj që mund të bëhet Bosnja:një shtet i dështuar në qendër të Evropës, i cenueshëm, gati të shndërrohet në një portë për grupet terroriste dhe trafikantët, dhe një rrugë për refugjatët në udhëtimin e tyre drejt “Fortesës Evropë”.
Por kjo nënkupton gjithashtu lejimin që Moska ta zgjerojë sferën e saj të ndikimit, por edhe hapjen e dyerve për Iranin, Turqinë dhe ndoshta Kinën. Vitet që kalova në Bosnje, ishin ndër më të dhimbshmet e jetës sime.
Të shohësh një vend të shpërbëhet para syve, kur mund të ishte shpëtuar herët, ishte ndoshta leksioni më i madh që mësuam sesi duhen parandaluar luftërat e ardhshme. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka aspak luksin që ta injorojë këtë skenar.
Shënim: Janine di Giovanni, jep mësim mbi të drejtat e njeriut në Institutin Xhekson për Çështjet Globale në Universitetin e Jeilit në SHBA.