Kryeministri Edi Rama njofton një lajm të mirë që prek të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe pronarët, rrjedhimisht. Referuar njoftimit të tij, heqet përfundimisht detyrimi për kontrollin fizik të automjetit kur ndërrohet pronësia.
“Me këtë LAJM TË MIRË e të shumëpritur për Drejtuesit e Automjeteve, puna vazhdon flet vetë ndërsa llafet e gojëve të shthurura dhe baltën e mendjeve të mbrapshta vijnë e ikin me erën.
Falë rimarrjes në administrim shtetëror këtë vit të Kontrollit Teknik dhe ndërveprimit të sistemeve informatike, të cilat me vite ishin dhënë me një koncesion alla nongrata, Çertifikata e Kontrollit Teknik të DPSHTRR heq përfundimisht detyrimin e kontrollit fizik të automjetit kur ndërron pronësia”, shkruan Rama.
Sipas tij “Eliminohen 60 mijë kontrolle fizike të automjeteve në vit. U kursehen qytetarëve 90,000,000 lekë dhe 30,000 orë pritje në vit.”