MENU
klinika

Rrugëtimi i Lefter Kokës në politikë

Historia e njeriut që erdhi nga biznesi privat dhe ngjiti majat

15.12.2021 - 10:35

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, numëron 18 vite karrierë politike, që nga viti 2003.

Pas një periudhe disavjeçare në drejtimin e bizneseve të tij private, ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i besoi atij në 2003 kandidimin për kreun e Bashkisë së Durrësit. Fitorja e tij ishte impresionuese dhe për shkak të njohjes së tij në qytetin e Durrësit dhe lidhjeve të shumta shoqërore dhe familjare.

Gjatë mandatit të tij, 2003-2007, Bashkia e Durrësit pati ndryshime të mëdha, duke iu shkëputur një të kaluare ku paraardhësi i tij ishte nën akuzë dhënie për leje ndërtimi në ambientet arkeologjike të këtij qyteti. Në zgjedhjet parlamentare të 2009, Lefter Koka kandidoi si deputet nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kur ai drejtonte edhe degën e kësaj partie në qytetin bregdetar.

LSI-ja dhe Partia Demokratike bashkëqeverisën për katër vite, 2009-2013, por Koka qëndroi në distancë nga pushteti, për shkak se ai kishte qenë në qendër të akuzave penale nga ish-Kryeministri Berisha kur kishte drejtuar Bashkinë e Durrësit. “Klani i Zemunit” ishte kryeakuza e Berishës ndaj Lefter Kokës dhe Agron Dukës gjatë viteve të opozitës së Partisë Demokratike, 1997-2005. Pas vitit 2009, Lefter Koka do të drejtonte LSI-në e Durrësit, por do të ishte dhe anëtar i kryesisë së kësaj partie.

MINISTËR

Ndërkohë, drejtimin e Partisë Socialiste e kishte marrë Edi Rama, me të cilin Lefter Koka kishte pasur bashkëpunim të mirë si kryebashkiakë socialistë gjatë mandatit të tij. Ishte Leonard (Nar) Koka, vëllai i Lefterit, një person i zhdërvjellët dhe me shumë kontakte, biznesmen, i cili për shkak të njohjeve të mira si me Edi Ramën ashtu dhe me Ilir Metën, arriti t’i ulë ata dhe pse kundërshtarë të betuar pas ngjarjeve të 21 janarit 2011 dhe vrasjes së 4 demonstruesve. Ajo që tashmë njihet si “darka e ngjalave” në Gjirin e Lalzit, çoi në marrëveshjen parazgjedhore të 2013 mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste. “Po realisht kam qenë aty 7 orë dhe s’kam lëvizur në asnjë moment. Dhe Edi Rama, dhe Ilir Meta donin të isha unë në atë takim, por këto që më përmendën emrin i kuptoj pse e bënë”, është shprehur Leonard Koka për këtë takim.

Fitorja në ato zgjedhje i hapi edhe rrugën Lefter Kokës për të marrë postin e ministrit të Mjedisit nga LSI-ja, e cila bashkëqeveriste me Partinë Socialiste. Marrëdhëniet mes tij dhe Kryeministrit Rama kanë qenë shumë të mira, madje larg përplasjeve mes aleatëve, Rama-Meta. Por, Lefter Koka do të zgjidhet sërish deputet me Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 2017, por ndërkohë marrëdhëniet PS-LSI kishin hyrë në një periudhë aspak miqësore.

ME RAMËN

Në shkurt 2019, kur LSI-ja dhe PD-ja dorëzuan mandatet e deputetëve në Kuvend, Lefter Koka nuk iu bashkua këtij grupi, por qëndroi në sallë, duke bashkuar votën e tij me atë të maxhorancës, duke kujtuar kohën e vjetra të bashkëqeverisjes. Ky qëndrim i tij e afroi më shumë me Kryeministrin Rama, i cili ishte prezent edhe në përurimin e kantinës së re të verës së familjes Koka. Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, Koka dhe Rama ndërtuan strategjinë e marrjes së votave nga mbështetësit e LSI-së në disa bastione të tyre. Ishte Koka dhe Rama që publikisht i kërkuan Nasip Naços bashkimin me PS-në dhe kandidimin e tij me siglën e socialistëve në Berat. “Po ku je mo Nasip, ku je mo burrë, kaq partiak je, sa nuk vjen as të pish një gotë verë? Se ti je dhe qytetar… pi njeriu një gotë verë… apo ke hall se të shpallin armik”, ishte videoja kur Rama në shoqërinë e Lefter Kokës i dërgonte video Nasip Naços. Naço dhe Koka u bënë deputetë të PS-së në zgjedhjet e 25 prillit. Por, 9 ditë para betimit në Kuvend, Lefter Koka e dorëzoi mandatin e deputetit nën justifikimin se “e përmbylli ciklin e tij politik”, ndërsa ftoi të rinjtë që vazhdojnë e rrugën e tij. Katër muaj pas dorëzimit të mandatit të deputetit, Lefter Koka merret si i pandehur nga SPAK-u për korrupsion.