Industria automotive po ndien efektet e zhvillimeve në tregjet globale, por edhe presionin e zhvillimeve të brendshme të lidhura me kostot e transportit, çmimit të energjisë dhe vështirësisë për të gjetur fuqi punëtore. Emigrimi është kthyer në shqetësim, pasi planet e zgjerimit mund të preken nga kjo tendencë e vazhdueshme. Përfaqësuesit e disa prej kompanive kryesore shprehen se viti 2022 parashikohet të jetë i vështirë dhe stabilizimi ndoshta do të ndihet në fund të tij, kur të kapet ritmi i furnizimit me lëndë të para. Ata kërkojnë nga qeveria që të shohë mundësinë për të frenuar largimin e kapitalit human, si dhe konceptimin e lehtësisë fiskale për tatimfitimin 5%, duke marrë parasysh edhe të ardhurat vjetore, pasi forma aktuale penalizon ata që investojnë në teknologji më të lartë. “Një erë e re në industrinë automotive”, “rritje e fortë dyshifrore e automobilave”, janë titujt që mund të lexosh në parashikimin që kompanitë ndërkombëtare bënin më shumë se një vit më parë. Kjo lidhej me rikuperimin e shpejtë të ekonomisë globalisht, pas kufizimeve drastike të vendosura për muaj të tërë në kulmin e pandemisë në vitin 2020. Nga fillimi i COVID-19 e deri më sot, ecuria e industrisë automotive i ngjan një EKG-je me aritmi, herë me një rritje të fortë e herë me një rënie të menjëhershme. Pavarësisht fillimit të një viti të mirë në 2021-shin, tremujori i fundit po rezulton me një shok të ri në industrinë e prodhuesve të automobilave e për rrjedhojë, në gjithë zinxhirin e lidhur me to. Kjo lidhet me një mori arsyesh. Alarmi ra fillimisht për mungesën e mikroçipave në treg, më pas për një seri lëndësh të para që kishin kërkesë të lartë në treg e disponueshmëri të ulët. Magnezi është i fundit që i është shtuar listës së kuqe me mungesa dhe po interpretohet si një sinjal për rritjen e mëtejshme të kostove të prodhimit. Përpara tij ishin edhe kostot e transportit. Të gjitha këto i kanë shkaktuar industrisë automotive një ngërç, që e bën parashikimin për vitin 2022 disi pesimist. Shqipëria, periferike në industrinë e automobilave, ka në tregun e saj disa fabrika që prodhojnë fasoneri të thjeshtë për kompani të mëdha. Edhe këto po ndiejnë efektet e zhvillimeve në tregjet e huaja, si dhe problematikat e tjera që lidhen me zhvillimet e brendshme. Në Shqipëri janë aktive kompani si Forschner Albania, Delmon Group Albania, PSZ Albania, Yura Corporation dhe SEWS Cabind Albania, të cilat prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si Mercedez Benz, KIA, Hyundai, Peugot, Renault, Fiat Group apo të tjera si Sumitomo Electric Industries.
JuSugjerojmë
Inflacioni arrin në 3.1%, niveli më i lartë në 10 vjet
Tirana ‘kantier’ ndërtimi/ Në 2020 u dha një leje ndërtimi çdo 42 orë
Mungesa e lëndëve të para frenon edhe kompanitë në Shqipëri
Mungesa e lëndëve të para në tregun global, shqetësimi kryesor i shumicës së industrive, ka sjellë reagimin e kompanive ndërkombëtare në forma të ndryshme, duke rishikuar planet e biznesit. Forschner Albania, e cila prej 6 vitesh operon në tregun shqiptar, u detyrua të mos zhvendosej në një fabrikë më të madhe, sikurse ishte plani, për shkak të situatës së pandemisë dhe efekteve të shkaktuara në tregje.
“Edhe pse në Shqipëri, kompania jonë rritet në kapacitet nga viti në vit, problematika botërore e zinxhirit të furnizimit me lëndë të parë ka sjellë frenim të planit të zgjerimeve 2020-2021 që kompania kishte planifikuar” tha Ercan Yagmur, administrator i Forschner Albania.
Ai theksoi se, për shkak të fleksibilitetit në prodhim, kompania ka arritur të sigurojë porosi nga klientë të rëndësishëm edhe për vitin e ardhshëm, por situata në tërësi për industrinë e automobilave mbetet e vështirë nga kostot në rritje. Zgjerimin me një fabrikë më të madhe Forschner do ta ketë vitin e ardhshëm.
“Optimizmi ynë se viti 2022 do të jetë gjithashtu i suksesshëm vjen nga konfirmimi i kërkesave në rritje sa u përket produkteve që ne prodhojmë. Kjo ka nxitur vendimin e kompanisë mëmë me seli në Gjermani të investojë në Shqipëri, me qëllim zgjerimin e sipërfaqes së fabrikës ku është vendosur prodhimi” – pohon z. Yagmur.
Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri, shprehet se në përgjithësi, viti 2021 stabilizoi kërkesën për automobila por oferta nuk arriti të garantohej, sepse kompanitë e mëdha të prodhimit të automjeteve nuk gjenin në treg mjaftueshëm mikroçipa për të garantuar prodhimin sipas planit.
“Rrjedhimisht, kompanitë e prodhimit të makinave ulën kërkesën edhe për qindra pjesët e tjera që i duhen një automobili të përfunduar. Kjo ndodhi me të gjitha kompanitë e zinxhirit furnizues, përfshirë edhe Delmon Group ku Q4 (tremujori i 4) është ai më i vështiri me rënie 50% të prodhimit” – pohon z. Çabiri.
Rriten kostot e transportit, logjistikës dhe së fundmi, edhe energjia
Përfaqësuesit e kompanive të industrisë automotive në vendin tonë nënvizojnë njëzëri rritjen që kanë shënuar kostot e transportit në kanalet ndërkombëtare, por edhe brenda vendit, e lidhur kjo me çmimin e karburantit. Sipas përfaqësuesit të Forschner, kosto e importit të lëndës së parë nga zona e Azisë është rritur me më shumë se 50%, për shkak të reduktimit të fluturimeve, apo reduktimit të transporteve ujore.
“Së fundmi, specifikisht në Shqipëri, kostot e transportit janë rritur për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve, deklaratat e publikuara në media nga qeveria shqiptare se sektori i energjisë dhe hidrokarbureve do pësojë krizë, ka sjellë dhe do të sjellë automatikisht rritje të çmimeve edhe në vitin 2022. Kjo situatë e paqëndrueshme dhe jo optimiste na ka bërë që të rishikojmë disa herë buxhetin e vitit 2022 sa u përket kostove të transportit apo logjistikës në përgjithësi” – shprehet z. Yagmur.
Kompanitë, të cilat në një pjesë të mirë e sigurojnë të vetme transportin e punonjësve, shohin si të nevojshme që këto kosto t’iu njihen si të zbritshme nga qeveria.
“Nisma për tatimfitimin 5% ishte një çlirim i madh për industrinë automotive, sidomos për një fabrikë që ishte në fazën fillestare si SCA. Ajo që mund të konsiderohet si një çështje për përmirësim është marrja në konsideratë e shpenzimeve për transportin e personelit, si kosto biznesi në terma të zbritshmërisë (shpenzime të zbritshme). Industria automotive mund të zhvillohet nga ndërtimi i fabrikave të mëdha në zona jashtë qyteteve dhe numri i të punësuarve është shumë i lartë, duke mbuluar disa zona larg fabrikës dhe puna me tre turne është më shumë se e nevojshme” – nënvizon Mario Scarfalloto nga SEWS Cabind Albania.
Në horizont për bizneset është shfaqur edhe një tjetër shqetësim. – çmimi i energjisë ka arritur në nivele rekord për shkak të krizës dhe dalja në treg të lirë e tyre nga data 1 janar 2022. Bëhet fjalë për të gjithë ato biznese të lidhur në tension 20, 10 dhe 6 kilovot, të cilat llogariten në 7 mijë të cilat do të detyrohen të blejnë energji në treg të lirë, duke u ekspozuar ndaj kostove të larta të shkaktuara nga kriza e përgjithshme, efektet e së cilës pritet të zgjasin të paktën dy vite.
“Deri tani, rritja e kostove të lëndëve të para është përballuar në nivele grupi, mbetet shqetësuese për degën tonë në Shqipëri pasiguria me çmimin e energjisë elektrike në vitin e ardhshëm. Nuk është ende e qartë për ne si do të ndodhë liberalizimi i tregut në terma praktikë dhe çfarë na pret në lidhje me çmimet” – shprehet z. Çabiri.
Kompanitë po përballen me mungesë të forcës së punës, shkak emigrimi
Nga tre kompanitë e intervistuara nga “Monitor”, vetëm njëra prej tyre nuk raportoi si problematikë punësimin. “Që nga fillimi, ne si SCA nuk kemi pasur vështirësi në gjetjen e forcës së punës dhe ky është një trend që nuk ka ndryshuar as gjatë situatës së pandemisë dhe as tani. Sigurisht që na duhej të vijonim strategjinë scounting (kur përmes kompanive të rekrutimit nxiten kandidatët të aplikojnë në vende pune. Përfaqësuesit e kompanisë japin informacione të detajuara sipas kërkesave të aplikantëve të interesuar) në mënyrë që të vijonim të tërhiqnim njerëzit drejt nesh” – tha z. Scarfalloto nga kompania SEWS Cabind Albania, Kompania është në vitin e saj të dytë të operimit dhe ka një objektiv afatgjatë për 2500 të punësuar. Panorama nuk është e njëjta për Forschner, një ndër kompanitë e para të këtij profili që erdhi në Shqipëri.
“Ky shqetësim qëndron dhe është i vlefshëm edhe për industrinë ku ne operojmë, e cila kërkon fuqi punëtore gjithnjë e më të madhe. Përmenda më lart që kompania planifikon zgjerimin e kapacitetit prodhues në Shqipëri, një ndër aspektet më shqetësuese është trendi në ulje i kandidatëve apo kërkesës për punë. Nëse bëjmë krahasimet nga viti 2015, kur kompania nisi aktivitetin në Shqipëri, vërejmë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e fuqisë punëtore” – nënvizon z. Yagmur nga Froschner Albania. Sipas tij, nga intervistat që kompania kryen me personat të cilët largohen, shkak kryesor mbetet emigrimi.
Në të njëjtën linjë është edhe Ertjan Çabiri nga Delmon Group në Shqipëri. Sipas tij, është vënë re një tendencë e punonjësve për t’u larguar jashtë, ndërkohë që po bëhet gjithmonë e më e vështirë gjetja e disa profesionistëve specifikë.
“Edhe për kompaninë tonë, ky vit ka qenë më i vështirë për gjetjen e burimeve njerëzore. Kemi pasur largime të punonjësve drejt Gjermanisë kryesisht dhe ka qenë disi më e vështirë të zëvendësohen me punonjës të përshtatshëm, të cilët nevojitet të trajnohen nga ana jonë. Ndërkohë, mbetet një problem i madh gjetja e teknikëve të përgatitur si elektricistë, mekanikë apo saldatorë” – shprehet ai.
Përtej vështirësive të pandemisë, eksportet shënuan rritje
Industria automotive rriti eksportet në mënyrë të dukshme gjatë këtij viti, kjo edhe pasi një vit më parë, pandemia frenoi thuajse gjithçka. Instituti i Statistikave raportoi se grupi i eksporteve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, ku bëjnë pjesë edhe produktet që finalizohen nga industria automotive ishte 23.6 miliardë për 10 muajt e këtij viti, apo rreth 192 milionë euro. Rritja ishte me të paktën 31.8% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në raport me vitin 2019, rritja ishte me 23.3%. Pavarësisht situatës së pandemisë, rritja lidhet me hyrjen në prodhim të një kompanie të re siç ishte SEWS Cabind Albania, si dhe me rritjen e kapacitetit nga YURA Corporation. Thuajse të gjitha kompanitë janë në fazë rritje dhe zbatimi të planeve të tyre të biznesit, gjë që amortizon shokun i cili vjen nga pandemia. Këtë e vërtetojnë më së miri statistikat vjetore, ku viti 2020 u mbyll me rritje në raport me vitin 2019. Konkretisht, në 2020, eksportet e grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” ishin në vlerën 22.3 miliardë lekë, me rritje 7.1% në raport me vitin paraardhës. (MONITOR)