Rritja e nivelit të lumit Vjosë, ka shkaktuar përmbytje në zonën e Fierit dhe të Vlorës, në jug të vendit. Përmes një prononcimi të dhënë për media nga terreni, kreu i Emergjencava Civile, Haki Çako bën me dije se aktualisht janë evakuuar 32 familje në total, 17 prej të cilave në zonën e Novoselës dhe 15 në fshatin Ferras të Fierit.
Çako bëri theksoi gjithashtu se situata është kritike në Urën e Mifolit dhe u bëri thirrje familjeve që janë në zonën e rrezikut të evakuohen dhe të mos këmbëngulin të rrinë në banesat e tyre.
“Niveli është kritik në Urën e Mifolit. Po monitorohet nga të gjitha strukturat vendore dhe qëndrore. Kemi vendosur në dispozicion njësitë e Forcave të Armatosura, gjatë gjithë natës kanë qenë prezent forcat e policisë dhe të gjitha strukturat e mbrojtjes civile. Falë investimit që është bërë deri tani, së paku vërehet që ka patur ndikim të konsiderueshëm për të mos pasur përmbytje. Shpresojmë në rënien e nivelit të lumit Vjosa, nisur dhe nga informacionet.
Janë rreth 17 familje të evakuuara në pjesën e Bashkisë së Vlorës dhe 15 familje në pjesën e Fierit, në Ferras. Janë njoftuar pothuajse të gjithë banorët në rast të shtimit të prurjeve dhe vërshimit të tyre drejt banesave me prezencë uji, gjithsesi i bëj dhe njëherë thirrje banorëve të mos këmbëngulin në rastin e nevojës për tu evakuuar por të bëhen pjesë e zgjidhjes pasi ky është një fenomen natyror i cili ka vazhduar prej dy tre ditësh dhe është i njohur edhe prej kohësh. Jemi në dispozicion me të gjitha kapacitetet për t’i ardhur në ndihmë banorëve që do të kenë nevojë.”
Në Përmet dhe Tepelenë ka rënie të konsiderueshme të nivelit, çka do të thotë që kemi një pritshmëri pozitive, por shqetësues është niveli në Urën e Mifolit, ku niveli mbetet kritik”, tha Çako.