Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, Zv. ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, Kreu i Emergjencave Civile
Haki Çako dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, kanë folur për situatën problematike si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
Intensiteti i reshjeve të shiut shkaktoi daljen nga shtrati i lumit Vjosa duke çarë argjinaturën e përmbytur shtëpitë në fshatin Fitore. Një situatë problematike u paraqit edhe në Fier, nga ku 20 banesa që ndodheshin pranë shtratit të lumit Vjosë në Ferras u përmbytën.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen e lumit nga shtrati, ndërsa në terren po punohet me eskavatorë, për të hapur kanalet kulluese. Banorët thonë se kjo situatë po përsëritet çdo vit.
Prefekti Mamaj u shpreh se tashmë situatë është më e qetë dhe niveli në lumin Vjosa ka nisur të ulet, po ashtu më pak problematike paraqitet situata edhe në urën e Mifolit, Memaliaj dhe Përmet.
“Jemi në një situatë qetësie pas një kalvari të gjatë prej 24 orësh të ngritjes së nivelit të lumit Vjosë, si në urën e Mifolit, po ashtu në Memaliaj dhe Përmet. Jemi në kushtet e përmirësimit të kushteve atmosferike, them me bindje të plotë se kemi kaluar pikën e rrezikut dhe jemi drejt stabilizimit të situatës. Përfitoj të them se për shkak të masave të marra nga mbrojtja civile, kemi arritur të përballojmë të gjtiha pasojat që shkaktoi lumi Vjosa, përballuam me kosto shumë të vogla dhe dëme minimale në këtë segment”, u shpreh ai.
Ndërkaq, zv. ministrja Bici tha se Forcat e Armatosura kanë qenë në terren prej 48 orësh tashmë, për ti ardhur në ndihmë familjeve të prekura, ndërsa shtoi se dëmtimet do të inspektohen dhe do të merren masa të menjëhershme.
“75 FA janë në terren së bashku me mjetet përkatëse për ti ardhur në ndihmë familjeve. Deri tani u është dhënë ndihmë 30 familjeve në bashkinë e Fierit dhe atë të Vlorës. Situata do jetë në kontroll, me atë që po shohim tashmë më duket se natyra po kthehet në krahun tonë. Krahas punës shpresojmë që edhe zoti të jetë në krahun tonë. Të gjitha dëmtimet po inspektohen dhe do merren masa të menjëhershme për rregullimin e tyre. E rëndësishme është të mos kemi humbje jete, që janë më kryesore se objektet e urave”, u shpreh Bici.
Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako u shpreh se tashmë niveli kritik i Vjosës tashmë ka rënë, dhe kështu është favorizuar edhe ulja e nivelit në Memaliaj, Përet, Mifol dhe të gjitha zonat e tjera problematike.
“Vazhdojmë të jemi në fazën më të rëndësishme. Niveli kritik i Vjosës tashmë ka rënë, është drejt shkarkimit Vjosa dhe ulja e nivelit në Memaliaj dhe Përmet. Ka favorizuar edhe shkarkimin në Mifol dhe gjithë zonat që ka pasur shtesë të tij. Të gjitha strukturat vijojnë të jenë në këmbë. Kanë qenë dy ditë intensive, për fatin e mirë natyra na favorizon”, tha Cako.
Kryebashkiaku Leli tha për mediat se është bërë maksimumi për ti ardhur në ndihmë banorëve, shtëpitë e të cilëve kanë qenë të rrezikuara.
“Duke filluar që dje janë njoftuar të gjithë banorët, shtëpitë e të cilëve kanë qenë të rrezikuara. Është bërë maksimumi në mënyrë që banorët të largoheshin. Ka pasur nga ata që kanë zgjedhur të qëndrojnë dhe janë evakuuar ditën e sotme. Niveli i ujit në lumin Vjosa ka një ulje, argjinaturat kanë marrë një ndihmesë të madhe. Duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm, sidomos banorët e kësaj zone, shpresojmë të kemi edhe një përmirësim të situatës“tha Leli.