MENU
klinika

Çfarë kërkon Koreja e Veriut?

Luftës më të gjatë në historinë moderne po i vjen fundi

15.12.2021 - 10:29

Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund zyrtarisht armiqësive në Gadishullin Korean, të cilat filluan në vitin 1950. Lufta Koreane, e cila filloi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, zgjati tre vite (deri në 1953) dhe rezultoi në ndarjen e gadishullit.

Megjithatë, kurrë nuk mori fund zyrtarisht, pasi vendet e përfshira refuzuan të deklaronin fundin e luftës. Me fjalë të tjera, kjo është lufta më e gjatë në historinë moderne. Sipas BBC , presidenti i Koresë së Jugut ishte ai që mori përsipër personalisht çështjen, duke besuar se ndërprerja zyrtare e armiqësive do të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve me Korenë e Veriut.

Megjithatë, pavarësisht progresit të konsiderueshëm dhe marrëveshjes në parim, ende nevojitet shumë punë, kryesisht për shkak të kërkesave të Phenianit.

Çfarë kërkon Koreja e Veriut

Sipas të njëjtit raport, në shtator, motra e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un, e cila ka një ndikim të madh në përcaktimin e politikës së Kim Jong-un, bëri thirrje për t’i dhënë fund armiqësive me kusht që SHBA të hiqte dorë nga”qëndrimi armiqësor” kundër Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut ka kundërshtuar vazhdimisht praninë e forcave amerikane në Korenë e Jugut, stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut çdo vit dhe sanksionet e SHBA-së mbi programin e armëve të Koresë së Veriut.

“Për shkak të këtyre, ne nuk mund të ulemi ende në tryezë ose të negociojmë një deklaratë për përfundimin e luftës”, tha presidenti i Koresë së Jugut të hënën.

Rikujtojmë se lufta e vitit 1950 filloi kur 75.000 ushtarë komunistë nga Veriu kaluan paralelen e 38-të (ajo u përcaktua si kufiri i dy rajoneve) dhe hynë në territorin e Koresë së Jugut. Trupat amerikane i erdhën në ndihmë të koreano-jugorëve, ndërsa koreano-veriorët kishin mbështetjen e Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, raporton abcnews.al

Lufta jozyrtare mori fund në korrik 1953, pas një marrëveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Gjithsej 5 milionë njerëz humbën jetën gjatë konfliktit.