MENU
klinika

Arsyet

Mali i Zi, rritje e rasteve me koronavirus

27.12.2021 - 09:58

Autoritetet shëndetësore në Mal të Zi, njoftuan të dielën, për një rritje të theksuar të rasteve me koronavirus.

Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 545 raste të reja pozitive me COVID-19, ndërsa 5 persona kanë humbur jetën. Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi njoftoi se personi më i ri ishte 32 vjeç.

Sipas autoriteteve shëndetësore rritja është e dukshme krahasuar me një ditë më parë kur u regjistruan 420 raste dhe 1 viktimë.

Numri i përgjithshëm i rasteve aktive me koronavirus në Mal të Zi është 2911, ndërsa që nga fillimi i pandemisë, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara është 163.373.

Numri i viktimave nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë është 2394 persona.

Ndërkaq ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq Bojoviq tha se varianti “Omicron” po bëhet dominues në vend, prandaj mund të pritet një rritje e numrit të të infektuarve.

“Kjo shpjegon rritjen e numrit të infeksioneve dhe rritja pritet të vazhdojë”, tha Bojoviq.

Ajo u shpreh se Ministria e Shëndetësisë ka qenë këmbëngulëse, e udhëhequr ekskluzivisht nga profesioni, që të mos lejojë tubime masive dhe koncerte nëpër sheshe për të festuar festat e Vitit të Ri.

Ajo theksoi se varianti “Omicron” është më ngjitës se llojet e tjera, por nuk mund të thuhet me siguri nëse do të ketë rritje të numrit të pacientëve të shtruar në spitale.

Bojoviq vuri në dukje se masat kundër pandemisë duhet të ndërmerren sipas situatës epidemiologjike në vend./VOA