MENU
klinika

Analiza

Migrimi nuk është “ilaçi çudibërës”

03.12.2021 - 13:21

Nga Jennifer Wistrand “National Interest

Marrëdhënia midis emigrimit dhe sfidave demografike, si plakja dhe punësimi, ka tërhequr vëmendjen për disa vitesh, pasi popullsia në moshë pune në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ka vazhduar të rritet, ndërsa popullsia në moshë pune në vendet me të ardhura të larta, ka vazhduar që të bjerë.

Duke pasur parasysh këtë çekuilibër, emigrimi duket se ofron një zgjidhje për këto sfida. Por a është vërtet kështu? Një nga faktorët që nxit migrimin tek njerëzit në moshë pune nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë remitancat.

Ato janë paratë që u dërgojnë individët, e emigruar për punë në një pjesë tjetër të vendit të tyre, apo në një vend huaj, anëtarëve të familjes së tyre për qëllime të ndryshme, si për shembull, për të plotësuar nevojat bazë të familjes, për të diversifikuar të ardhurat e familjes, apo për të investuar në të ardhmen e familjes, gjë që mund të përfshijë ndër të tjera ndërtimin e një shtëpie të re, apo grumbullimin e parave për arsimimin e fëmijëve.

Sipas Bankës Botërore, “nëse përjashtohet Kina, remitancat janë burimi më i madh i të ardhurave nga valutë, në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”. Po ashtu remitancat e kanë tejkaluar vitet e fundit Ndihmën Zyrtare për Zhvillim (ODA) ose ndihmën e vendeve të pasura ndaj atyre të varfra.

Ky fakt ka nxitur disa ekspertë të arrijnë në përfundimin se remitancat, mund të jenë një formë më e parashikueshme, e besueshme dhe më e gjithanshme e ndihmës zhvillimore. Sipas Bankës Botërore, që nga viti 2020, 5 vendet e para përfituese të remitancave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin:Tonga (ku remitancat përbënin 37.2 për qind të PBB-së së saj), Somalia (35.3 për qind), Kirgistani (31.3 për qind), Taxhikistani (26.7 për qind) dhe Lesoto (25.5 për qind).

Për Kirgistanin dhe Taxhikistanin, ish-republika sovjetike të vendosura në Azinë Qendrore, dërgesat e emigrantëve janë shumë të rëndësishme. Migrimi sezonal i fuqisë punëtore për qëllime fitimi, dhe dërgimit i remitancave në shtëpi, ka qenë shtylla kryesore e shumë ekonomive post-sovjetike, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Siç u përmend më lart, migrimi dhe remitancat, janë në disa kontekste, një mjet shumë efektiv që një familje të investojë për të ardhmen e saj. Por ky nuk është rasti për shembull për pjesën më të madhe të emigrantëve nga Taxhikistani, të cilët emigrojnë sezonalisht në Rusi për punë me kualifikim të ulët, zakonisht në ndërtim apo tregti.

Sipas një raporti të OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) të këtij viti:”Më shumë se 80 për qind e familjeve në Taxhikistan që marrin remitanca, raportuan se i shpenzojnë ato kryesisht për ushqim dhe nevoja të tjera bazë”.

Kur Rusia mbylli kufirin e saj në pranverën e vitit 2020 për shkak të pandemisë Covid-19, kjo bëri që disa emigrantë nga Taxhikistani të bllokoheshin në Rusi, ndërsa të tjerët që në atë periudhë migronin zakonisht në Rusi, nuk mundën që ta bënin këtë.

Sipas të njëjtit raport të FAO-s, ky kontroll i përkohshëm, edhe pse drastik, i migracionitu përkthye në një reduktim të remitancave, dhe në një rritje të pasigurisë ushqimore në Taxhikistan, me mbi 1/3 e popullsisë që përjetoi kequshqyerje gjatë vitit të kaluar.

Ndërsa migrimi dhe remitancat u rikuperuan në krahasim me 6 muajt e parë të pandemisë, shumë më shpejt sesa pritej në fillim, pandemia u kujtoi emigrantëve dhe specialistëve të zhvillimit, se migrimi nuk ofron domosdoshmërisht një zgjidhje për sfidat demografike që ka sot bota.

Përkundrazi, migrimi mund të përbëjë një sfidë më vete. Për shembull, përtej pandemive, ka pasur gjithmonë zhbalancime të fuqisë midis vendeve “dërguese” të migrantëve, si Taxhikistani, dhe vendeve “pritëse” të emigrantëve, si Rusia.

Sovraniteti shtetëror e lejon këtë të fundit të përcaktojë kushtet e hyrjes, daljes dhe qëndrimit të një emigranti. Organizatat ndërkombëtare, si Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), përpiqen që të vendosin standarde për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, përfshirë punëtorët emigrantë.

Ndërsa organizatat e tjera si Human Rights Watch, dokumentojnë dhe ekspozojnë abuzimet që shpesh përjetojnë emigrantët në vendet e tyre “pritëse” – abuzime të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm tek kushtet e pasigurta të jetesës dhe punës, mbajtjen peng të dokumenteve, mosdhënien e pagesave, diskriminimi dhe abuzimi emocional dhe fizik.

Migrimi paraqet sfida edhe për familjarët e emigrantëve që mbeten pas në vendlindje. Për shembull, studimi im mbi migrimin sezonal për motive punësimi në Azerbajxhan, një ish-republikë sovjetike e vendosur në Kaukaz, ka treguar se migrimi sezonal për motive punësimi, mund të rrisë ndjeshëm tensionet brenda familjes midis anëtarëve të mbetur të familjes, në lidhje me atë se kush është përgjegjës për kryerjen e disa detyrave shtëpiake – nga të cilat varet jetesa e familjes – dhe kush ka autoritetin të marrë vendimet kryesore të familjes, përfshirë ato për menaxhimin e parave, të cilat mund të ndikojnë nëse fëmijët e familjes janë në gjendje të vazhdojnë apo jo arsimimin e tyre.

Migrimi mund të kontribuojë në zgjidhjen e disa prej sfidave demografike që ka bota. Por ai është në rastin më të mirë një zgjidhje e pjesshme, sepse është në mëshirën e pandemive dhe politikave të pushtetit  – siç shihet në rastin e Bjellorusisë dhe Bashkimit Evropian – që janë jashtë kontrollit të emigrantëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Po ashtu migrimi mund të rrisë ndjeshëm stresin social dhe emocional në familjet dhe komunitetet që dërgojnë emigrantë, në mënyra që anëtarët jo-emigrues të shoqërisë mund të mos i konsiderojnë të pranueshme, nëse do t’u kërkohet të jetojnë dhe punojnë në kushte të tilla.  /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al