MENU
klinika

Champions League

Milan jashtë Europës, Real mposht sërish Inter

08.12.2021 - 00:02

Milani mbetet jashtë Champions, pas humbjes në shtëpi 1-2 me Liverpool, me këtë të fundit që mbetet skuadra perfekte në Champions League me gjashtë fitore, ashtu si Ajax.

Atletico Madrid avancon më tej duke fituar një ndeshje të madhe në Portugali me rezultatin 3-1 ndaj Portos, mes tensionesh dhe në një sfidë ku pati plot 2 kartonë të kuq, dy për portugezët, 1 për spanjollët…

E të mendosh që në pjesën e dytë sfida u zhbllokua për miqtë me Griezmann. Më pas, Carrasco humbi toruan dhe reagoi duke dalë me të kuq. Por, në pak minuta, Porto gjithashtu nuk mbajti nervat dhe Wendell gjithashtu u ndëshkua. Correa dhe De Paul firmosën suksesin dhe biletën për në fazën me eliminim direkt.

Nuk ia del Milani, duke humbur sërish me Liverpool dhe mbyllur grupin me vetëm 4 pikë. Salah dhe Origi vendosin suksesin për Reds, që shkruajnë historinë duke i fituar të gjitha ndeshjet në grup.

Pjesa e parë pa Milanin që të lunte gati si i barabartë me Liverpool teksa pas golit të shpejtë të Fikayo Tomorit, gjatë një goditje këndi, ishte Salah ai që barazoi shifrat. Në pjesën e dytë, Liverpool gjeti golin me anë të një gafe nga Tomori, që fali topin.

Mane goditi, Maignan priti dhe më pas topi i kthyer gjeti kokën e Origi që nuk gaboi. Klopp bëri edhe zëvendësime të tjera dhe hoqi nga fusha e lojës si Salah ashtu edhe Mane, teksa përpos tentativave kuqezi deri në fund, nuk erdhi përmbysja.

Real Madrid fitoi në shtëpi përballë Interit me rezultatin 2-0. Kjo ndeshje pati gjithçka brenda, që nga golat spektakolar dhe deri tek polemikat. Me këtë triumf madrilenët përfundojnë grupin në krye.

Pjesa e parë ishte shumë e luftuar nga të dyja ekipet dhe u desh një supergol i Toni Kroos nga distanca për të kaluar në avantazh Realin. Interi nga ana tjetër shpërdoroi raste pafund.

Në pjesën e dytë zikaltërit mbetën me 10 lojtarë pas një sjelljeje naive të Barrella-s, i cili goditi Militaon. Në minutat e mbetura Reali gjeti golin e dytë me Asension që realizoi një kryevepër duke lënë të shtangur Handanoviçin. Në ndeshjen tjetër të Grupit D, Sherifi barazoi 1-1 në minutat e fundit me Shakhtar Donetsk.

Sebastian Haller ishte një emër i panjohur për shumëkënd deri në këtë edicion. Por sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, po shkruan historinë në Ligën e Kampioneve që në pjesëmarrjen e parë të tij.

Në ndeshjen e sotme ndaj Sporting Lisbonës (4-2), Haller u bë lojtar i dytë në historinë e turneut, pas Cristiano Ronaldos, që shënon në secilën prej 6 sfidave të fazës në grupe të një edicioni. Portugezi e kishte bërë në edicionin 2017-2018, ndërsa Haller iu bë i dyti që arrin këtë statistikë mbresëlënëse.

E megjithatë, rekordi tjetër që vendosi sot është edhe më i pabesueshëm. Ky ishte goli i 10 i tij në Champions, duke kaluar një rekord të Erling Haland që mendohej se ishte i paarritshëm. Norvegjezi kishte arritur kuotën e 10 golave në turne në 7 ndeshje të luajtura. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Dortmund fitoi 5-0 ndaj Besiktas (Haaland dopietë).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Champions League, ndeshjet e fundit në grupe

PSG shkëlqen me dopietën e Mbappe dhe të Messit, bie City