Ministria e Brendshme ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi me mbështetjen e projektit “Bashki të Forta” për vetëdeklarimin e adresës së banimit duke qenë se vendi nuk e ka ende një sistem të konsoliduar adresash të shtetasve të tij.
Të pasurit të një adrese të saktë banimi përveç orientimit më të lehtë sjell dhe akses në shumë shërbime publike që ofrohen online.
Shërbime të gjendjes civile (certifikatë personale, regjistrim lindjeje, certifikate martese). Po kështu pa pasur një adresë të saktë banimi nuk mund të regjistrohet një fëmijë i porsalindur. Po kështu nuk mund ta regjistroni fëmijën tuaj as në kopsht nëse s’keni në sistem një adresë të deklaruar banimi.
Shërbimi postar (sistemi gjyqësor, sistemi arsimor, sistemi bankar, sistemi fiskal). Një mori shërbimesh të kësaj natyre aksesohen online, por për t’i përfituar këto shërbime parakusht është të pasurit e një adresë banimi të regjistruar.
Shërbime publike (Shërbim i mbrojtjes nga zjarri, Shërbimit të Urgjencës Mjekësore). Ndonëse këto struktura kanë mekanizma më të sofistikuar për të mbërritur te ju në rast të një emergjence, duke pasur një adresë të saktë banimi natyrisht që është më e lehtë edhe për ta.
Edhe shtetasit që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë përfitojnë shërbime të gjendjes civile në shtetin amë, por edhe në përfaqësitë iplomatike e konsullore nëpër botë. Pa pasur një adresë banimi nuk e formalizon dot marrëdhënien me shtetin ashtu sikundër ata e kanë të formalizuar me shtetet ku jetojnë e punojnë prej vitesh. Për regjistrimin e adresës së banimit janë dy forma. Së pari përmes portalit ‘eAlbania’ me një procedurë të thjeshtuar që kryhet në pak minuta. Së dyti duke u paraqitur vetë pranë zyrave të Gjendjes Civile të bashkisë ku banoni.
Sot në Regjistrin Kombëtar të Adresave kemi rreth 750 mijë familje me një adresë të deklaruar dhe të verifikuar. Në përfundim të këtij procesi që do të vazhdojë përtej kësaj fushate, objektivi është që Regjistri Kombëtar i Adresave idealisht të jetë referenca e vetme e saktë dhe e përditësuar për të ditur më në fund kush banon ku dhe që qytetarët shqiptarë të kenë akses në shërbimet publike.