Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla dhe njëherësh zv.kryeministre, është shprehur dje se autoritetet në Serbi nuk i kishin pranuar kërkesën për të vizituar Luginën e Preshevës. Sot, Gërvalla bën me dije se është nisur drejt Luginës.
“Me një ditë vonesë, pas pak do të filloj vizitën time të parë në Luginën e Preshevës. Ndihem shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë dhe të flas e të shoh nga afër se si mund të thellojmë bashkëpunimin tonë”, shkruan Gërvalla.
Ministrja theksoi se vizitën e saj do ta fillojë në Bujanoc dhe gjatë ditës do të qëndrojë edhe në Preshevë.
“Së bashku me prof. Rexhep Gjergjin jemi nisur drejt Bujanocit, ku do të takohemi fillimisht me kryetarin e kësaj komune, z. Nagip Arifi. Takime do të zhvillojmë edhe me përfaqësues të tjerë institucional në këtë komunë.
Gjatë ditës do të qëndrojmë edhe në Preshevë, ku do të takohemi edhe me kryetaren e komunës, znj. Ardita Sinani. Do të zhvillojmë takime me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe studentë”, shkruan ministrja e Jashtme.