MENU
klinika

Intelektuali i përjashtuar

Mustafa Kruja letër për t’iu rrëfyer Nolit

27.12.2021 - 10:58

          Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Krujë, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, patriot, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të mbretërisë italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

I lindur në Krujë më 1887, studiuar në Stamboll për shkenca politiko – administrative (ku përgatiteshin elitat drejtuese të perandorisë osmane), ende shumë i ri, 25 vjeçar, është ndër firmëtarët e Aktit të pavarësisë në Vlorë. Shumë aktiv në jetën politike të vendit pas pavarësisë si deputet, prefekt, anëtar kabineti qeveritar dhe së fundi, edhe kryeministër.

I larguar nga atdheu në muajt e fundit të 1944-ës (i sëmuret dhe i vdes djali), i cilësuar kriminel lufte nga komunistët e ardhur në pushtet, ai jetoi në emigrim, fillimisht në Austri, Francë e së fundi në SH.B.A. ku edhe vdiq në 27 dhjetor 1958.

Më poshtë, një letër që i dërgon Imzot Nolit, në mars 1945, përmes të cilës hidhet dritë mbi vlerësimin që i bën ai situatës ndërkombëtare, Aleatëve të Luftës II dhe Shqipërisë, tashmë të drejtuar nga komunistët, si dhe rolit të tij kur ish në drejtimin e vendit.

Është “rëfimi” që ai bën para Nolit politikan, pse jo edhe Nolit si klerik.

Itali, 28 gusht 1945

Vëlla i dashur!

Në qoftë se dhe Ti ke besuar se unë e kam tradhëtuar Shqipërinë do të të kem thërritur kot vëlla si qëmoti. Po një monstruozitet t’atillë nuk dua e nuk mund t’a besoj prej Teje.

Qëllimi i kësaj letre s’është për të larë veten faqe Teje. Nuk dua të them se Italjanët s’patën as më të voglin koncesjon prej meje, por kisha nisur e po përpiqesha t’u heq ato që kishin marrë më parë. S’u lodha nga lufta, po u largova se më vranë Koculin dhe më braktisnë edhe shokët nacionalistë. Me këta u solla tepër bujar, me tjerët i egër brënda caqeve të ligjës. Nuk vrava njeri prapa krahvet, u fala jetën gjysmës të komunistëvet të dënuar me vdekje nga gjyqi. Ata q’u dhanë fuqí komunistëve, që bashkpunuan shumë kohë me këta, gjersa këta ua muarën krejt fuqinë nga dora dhe u vunë drunë e pastaj pushkën, ata sot janë në mërgim si unë. U ngjau si me Zogun. Dhe jam i sigurtë se akoma s’kanë zene mend dhe as për të zënë s’kanë.

Unë jam betuar me veten t’ime, mbi shpirtin e djalit që më vdiq e të miqve e të shokëve që më vranë n’emër të drejtësisë së popullit – jam betuar tashë mbi shpirtërat e gjithë këtyre që kështu e tutje s’kam për t’u marrë më me politikë shqiptare, dhe këtë rrëfim je Ti i pari që po e merr. Me gjuhë po, do të merrem, se kjo m’është bërë sëmundje, me gjithë që besoj se edhe kjo eshte e kotë.

Unë nuk dij se ç’fat i kanë ruajtur Shqiprisë së nesërme të zotët e botës së sotme; dij vetëm se sot në Tiranë sundon Titua me të tërë kuptimin e fjalës, dhe jo si Italija me Zogun. E pohoj se personalisht s’më hyn më në punë se kush e sundon Shqiprinë, pasi arrijti koha të pijmë gjakun e njêri tjetrit. E dijmë se ç’ka ngjarë në botën tjetër, sot edhe dje; dhe në vënde të qytetëruara si Franca bile. Po ç’më duhet mua bota? Unë shoh Kotten, Tromarën, Omarin me shokë në litar, e kur shoh ata në litar s’shoh asgjë tjetër më në botë. Kështu e tutje nuk do të dëshirojsha tjetër veçse një gjëndje që të më lejonte një jetë kafshe te patrazuar n’atë vent q’ë paskish mallkuar Perëndija.

Më fal, se Ti s’kishe nevojë për çfrimet e mija. Po me Ty s’e përmbajta dot veten. Adresën t’a mësova nga “Bashkimi” i Tiranës n’apelin e Kishës për njohjen e regjimit të Shqiprisë, a më eksaktërisht të qeverisë s’Enver Hoxhës. Unë i kuptoj fare mirë shkaqet e arsyet që të kanë shtytur Ty në këtë gjest, edhe pa ditur hollësirat; ashtu siç kisha kuptuar edhe gjestin tjetër më parë në favor të Zogut e tjetrin akoma kur në 38-ën të lanë Shqipot n’udhë të madhe, të sëmurë.

Të përqafoj me miqësi të vërtetë

Mustafai

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit