MENU
klinika

Zbret në 11.3% niveli i papunësisë!

Në korrik-shtator u rrit punësimi në industri dhe shërbime

14.12.2021 - 18:16

Papunësia në tremujorin e tretë të këtij viti është ulur me 0.3% në raport me tremujorin e dytë. INSTAT raporton se niveli i papunësisë për muajit korrik-gusht-shtator ra në 11.3%, nga 11.6% që ishte në fund të tremujorit të dytë të vitit

“Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,9 % dhe për gratë 11,7 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0,5 pikë përqindje për burrat, dhe është ulur me 0,1 pikë përqindje për gratë”, thuhet në raportin e INSTAT.


Në këtë periudhë të vitit që përkon edhe me sezonin turistik, ka pasur ulje të papunësisë sa i takon të rinjve të moshës 15-29 vjeç.

“Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 19,9 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e tretë 2021, është ulur me 0,8 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e dytë 2021, ky tregues nuk ka ndryshuar. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,7 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm është ulur me 0,8 pikë përqindje”, vijon raporti.

Ndërsa INSTAT thotë se gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 0,2 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, dhe është rritur me 2,1 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2021. Industria dhe shërbimet kanë qenë sektorët që kanë pasur rritje të numrit të të punësuarve në këtë tremujor të vitit.

“Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 62,0 %. Ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2020 në tremujorin e tretë 2021, është +0,7 %. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 10,1 % në sektorin e industrisë, me 0,5 % në sektorin e shërbimeve, ndërsa ulet me 4,5 % në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2021, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,4 %. Punësimi u rrit me 4,9 % në sektorin e industrisë, me 1,3 % në sektorin e shërbimeve, dhe 2,3 % në sektorin e bujqësisë”, thuhet në raportin e INSTAT.

Industria për shkak se bizneset ju rikthyen aktivitetit normal të punës, dhe shërbimet si pasojë e sezonit të suksesshëm turistik.